Gjykata e Korçës ka lënë në burg Vahide Shulin, 37-vjeçaren nga Librazhdi, e cila akuzohet për ushtrim prostitucioni.
47-vjeçari pas kqyrjes dhe të dhënave nga ekspertiza mjekoligjore rezulton se ka humbur jetën si pasojë e hipertensionit.
Viktima punonte në një Fast-Food në qytetin e Korçës, ndërsa arrestuara nga Librazhdi, jetonte me bashkëshortin e saj në një shtëpi me qira në Korçë.
Të dy janë takuar në lagjen 10 të qytetit, në një rrugë dytësore ku kanë qenë duke kryer marrëdhënie seksuale ndërsa viktima nuk është ndjerë mirë dhe ka shfaqur simptoma (të vjella dhe rrjedhje gjaku nga hundët).
Grupi hetimor ka hapur telefonin e viktimës për këqyrje, ku janë hasur me bisedën e fundit që kishte me 37-vjeçaren, duke identifikuar kështu personin që ishte brenda mjetit.
Pasi policia bëri identifikimin e Vahide Shulit, ata e shoqëruan pranë drejtorisë vendore të policisë Korçë për ta pyetur në lidhje me ngjarjen.
Dëshmia
Sipas dëshmisë të siguruar nga grupi hetimor, 37-vjeçarja Vahide Shuli i ka thënë viktimës se duhet të lajmëronin ambulancën sapo ai shfaqi probleme shëndetësore, por ai nuk e ka lejuar. Më pas, sipas saj, ajo është larguar në shtëpi duke i thënë se e pret bashkëshorti. Këto ishin fjalët që e arrestuara dha në polici.
Ndërkohë sipas grupit hetimor në momentin e parë të njohjes me ngjarjen, viktima është gjetur gjysmë i zhveshur dhe në një dorë kishte një kartëmonedhë 500 lekëshe (të reja), çka konfirmon atë që policia ka dhënë në një komunikim zyrtar për ushtrimin e prostitucionit nga ana e 37-vjeçares.
Njoftimi i policisë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për shtetasin M. Ç., 47 vjeç, që u gjet i pajetë në automjetin e tij, në lagjen nr.10 Korçë, dhe nga veprimet e para u dyshua se kishte humbur jetën për shkaqe natyrale, ju informojmë se:
Nga veprimet hetimore të deritanishme, të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Korçë, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, është bërë i mundur identifikimi i shtetases V. Sh., 37 vjeçe, e cila rezulton se ka qenë në automjet, duke kryer marrëdhënie seksuale me shtetasin M. Ç., kundrejt pagesës.
Nga hetimet dhe nga ekzaminimet e deritanishme mjekoligjore, dyshohet se 47-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e hipertensionit.
Në vijim të veprimeve për rastin, është arrestuar në flagrancë shtetasja V. Sh., 37 vjeçe, e dyshuar për veprën penale “Prostitucioni”.
Vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.