
Nga Sebastian Zonja-
Ish-presidenti amerikan Riçard Nikson është figurë e rëndësishme e historisë politike në Perëndim për shkak të strategjisë për të dobësuar komunizmin në shkallë botërore. Autorë të ndryshëm i referohen shpesh për largpamësinë që pati me nda botën komuniste më dysh – mes Kinës revizioniste dhe Rusisë bolshevike. Disa autorë të kohës panë se komunizmi, me çarjen që pësoi, filloi të delegjitimohej në shkallë botërore, duke hamendësuar pasojat në dekadat në vijim. Që nga vitet ’70 deri diku në vitet 2000, thuajse për 40 vjet, publiciteti për gjigantin aziatik në Perëndim ishte i madh. Kinezët, me kulturën e tyre të mahnitshme, ringritën nga hiri një nga perandoritë më të vjetra që ka pasur njerëzimi. U hapën me botën dhe rritën mirëqenien e popullit në pak dekada. Të palodhur, me plane afatgjata, arritën të dilnin nga skamnia, si njëri prej vendeve më të varfra në botë, dhe u rikthyen kryelartë në skenën globale.
Duke qenë se propaganda amerikane kishte interesa në Kinë, rrallëherë, tek-tuk, gjeje autorë që kritikonin këtë qasje ndaj Kinës. Ekspertët e sigurisë dhe gjeopoliticienët i binin kambanave të alarmit, ndërkohë publiku ngopej me lajmet e krahut të lirë të punës që punësonin koorporatat atje.
Sot po ndodh thuajse e njëjta gjë.
Në nivel qendror, amerikanët duan që të rregullojnë punët me rusët. Kudo përhapet ideja se rusët për amerikanët nuk përbëjnë kërcënim. Dalin statistika, tregohet si kemi bashkëjetuar, se janë evropianë, se kemi bërë disa gabime, por tani e tutje do rregullohen. Kjo retorikë shkon deri në nivelin më të lartë, si dikur me Niksonin – presidenti Donald Tramp, emisarët, gazetarët dhe propagandistët thonë se lideri rus Vladimir Putin është njeri i sinqertë, që mund të bisedosh hapur dhe pa probleme dhe mund të besosh në angazhimin e tij për të zgjidhur probleme të ndërlikuara sigurie. Faktikisht, ne e dimë se “ç’pjell macja gjuan minj”. Siç e dinin ata që paralajmëronin se Kina është gjiganti i heshtur, ne kuptojmë se Rusia është ariu i plagosur. Gjysma e vendeve që e kanë në kufi tmerrohen për vdekje nga ariu rus. Gjysma e këtyre vendeve është gjysma e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian – baltiku dhe vendet nordike.
Le të hamendësojmë për një çast se ky ariu i plagosur fillon e rimëkëmbet si Kina e dikurshme, me kalimin e viteve, me ndihmën amerikane. Ne duhet të shtrojmë një pyetje të thjeshtë, larg ideologjive të momentit – ç’masa do marrim për vitet në vijim, ndërsa interesat tona strategjike nuk përputhen me interesat strategjike të kësaj superfuqie? Rusia nuk e fut dot Amerikën në krizë, por ka të gjitha mjetet që të shkaktojë kriza dhe panik sigurie e financiar në kontinentin tonë, në Evropë. Situata nuk është e zezë, por nuk është as rozë. Është një situatë që kërkon të reflektojmë seriozisht, ndërsa taboret e propagandës shtohen përditë e më shumë se nuk ka asnjë rrezik nga Rusia në Ballkan. Propaganda ruse është pikëtakuar me një vektor të interesave amerikane në rang botëror, ndaj duhet qetësi dhe maturi për të ndarë shapin nga sheqeri, se ç’materiale serbe na vijnë të përkthyera në anglisht me na qetësu emocionalisht.