Aktualitet/LajmeBlogKryesoreOpinions

Piluri – Kështjella e Qiellit dhe Porta e Lirisë

Nga Polo Çipa

Piluri qëndron lart, 704 metra mbi detin Jon, jo si një fshat i zakonshëm, por si një kështjellë e qiellit, e ngritur për të parë historinë nga sipër dhe për të mos iu nënshtruar kurrë asaj. Poshtë këmbëve të tij shtrihet Himara,” Lulja e Vilajetit”, dhe përtej saj Jonin e kaltër që lidh brigje, kombe dhe epoka. Mbi supet e veta, Piluri mban vazhdimësinë e vargmaleve të Akroqeranës, male që nuk kanë qenë thjesht gurë, por mburojë, strehë dhe betim lirie.
Që nga kohët e hershme, ky vend është njohur si fshat qiellor. Udhëtarë, kronikanë dhe piktorë e panë Pilurin jo si tokë, por si dritë. Edward Lear, piktori i madh anglez, e quajti një “yll të varur në re”, sepse vetëm kështu mund të përshkruhej një vend që jeton mes tokës dhe qiellit, mes reales dhe legjendës.
Historia e Pilurit është histori qëndrese. Ai është quajtur “Ballkoni i Bregdetit”, sepse prej këtu shikohet gjithçka, por edhe “Porta e Lirisë”, sepse prej këtu fillon mosnënshtrimi. Piluri ka qenë vend i besës dhe i trimërisë, ku fjala e dhënë vlente më shumë se çdo firmë, dhe ku nderi ruhej si flamur. Nuk është rastësi që disa e quajtën edhe “Porta e Diellit” — sepse këtu drita nuk ka njohur kurrë errësirën e robërisë.
Nga ky truall dolën burra që nuk u matën me vitet, por me veprat. Zerbin Çakalli, trim dhe patriot, që i dha armës kuptim dhe kauzës drejtim. Zoga Kaçake, simbol i sfidës dhe kryengritjes. Milo Mërkuri syshqiponjë e shumë të tjerë. Ata dhe shumë të tjerë e bënë Pilurin emër që shqiptohej me respekt, sepse historia e këtij fshati u shkrua me gjak, por u ruajt me krenari.
Por Piluri nuk luftoi vetëm me pushkë. Ai luftoi edhe me zë. Në këtë tokë lindi Princi i këngës polifonike, bardi i pavdekshëm Lefter Çipa, që i dha zë shpirtit të Jugut dhe e ktheu dhimbjen, trimërinë dhe dashurinë në këngë të përjetshme. Këtu u formua grupi i famshëm i Pilurit, që e ngjiti polifoninë shqiptare në altar kombëtar. Prej kësaj toke dolën edhe Andrea Bala dhe Koço Çakalli, zëra të artë të epokës së Neço Mukos, që e bënë këngën shqiptare të dëgjohej përtej kufijve të detit.
Nga lartësitë e Pilurit, syri nuk njeh kufi. Riviera Shqiptare shtrihet si një hartë e shenjtë, deti Jon shndrit si shpatë nën diell, dhe në netët e kthjellëta shihen dritat e largëta përtej detit, si dëshmi se Piluri gjithmonë ka parë më larg se të tjerët. Këtu thëllëza dhe bilbili këndojnë dymbëdhjetë muaj në vit, sepse edhe natyra ka zgjedhur të mos heshtë.
Populli thotë se në Pilur Zoti ka fronin. Dhe ndoshta është e vërtetë. Sepse ka vende që nuk janë ngritur rastësisht. Piluri është ngritur për të ruajtur lirinë, për të lindur trima dhe për të kënduar historinë.
Piluri nuk është thjesht vendlindje.
Është betim, është kështjellë, është yll i varur në re — që ndriçon sa herë Shqipëria ka nevojë për kujtesë dhe krenari.
Patra-Greqi

Artikuj të lidhur

Back to top button