BlogEditorialKryesoreOpinions

Pika e mjaltit ” dhe mospërputhja e vizionin “Kina 2040” dhe “Shqipëria 2030 “

Nga Irena Beqiraj-

Në pranverën të vitit 2017, Zëvendëskryeministri i Kinës takoi Kryeministrin Rama, në Pallatin e Brigadave . Pasi u kujtua kënga “Dy luanë ka sot bota, një Azia një Europa”, shoqëruar me komentin e Ramës se që prej asaj kohe Kina u shëndrua në ” luan ekonomik botëror ndërsa, Shqipëria mbeti një mace e dobët e paushqyer, Kryeministri ynë shtoi:
“- Mikut tim Erdoğanit i kërkova që të harxhonte 30 min në muaj për Shqipërinë , juve po ju kërkoj vetëm 3 minuta”.
Në ato kohë Kina nuk i gjeti 3 minuta kohë për Shqipërinë por sot sipas KM -së ” kinezët që janë civilizimi më i vjetër edhe tregtarët më të padiskutueshëm nuk do i kishin vënë syrin dhe nuk do e konsideronin Shqipërinë si “pikën e mjaltit” në gjithë Europën “
Një qeveri e cila premton se në 2030 Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Europian , duke njohur Vizionin Kina 2040 , e kupton që këto dy vizione janë drejtëza të kithta që nuk takohen në asnjë pikë. Madje fakti që Kina nuk mendoi 3 minuta në muaj për Shqipërinë ka qënë një avantazh plus për Shqipërinë krahasuar me vendet e Ballkanit .
Në zemër vizionit KINA 2040 qëndron Iniciativa “Një Brez, një Rrugë” (BRI), e nisur në vitin 2013 dhe që tani përfshin mbi 150 vende që së bashku përfaqësojnë tre të katërtat e popullsisë së botës. Deri në vitin 2025, Kina ka investuar më shumë se 1 trilion dollarë në porte, hekurudha, autostrada, rrjete energjie dhe infrastrukturë dixhitale që përfshin Azinë, Afrikën, Europën dhe Amerikën Latine. Këto investime nuk ka të bëjë vetëm me ndërtimin e rrugëve, urave, ose infrastrukturës dixhitale. Kur Kina zhvillon portin , hekurudhën , infrastrukturën dixhitale të një vendi, ajo ndërton marrëdhënie që zgjasin me dekada. Këto marrëdhënie imponohen nga pronësia e infrastrukturës kyçe nga të cilat varen kombet . Ndërsa rrjetet e energjisë, portet ose rrjetet e telekomunikacionit të një kombi mbështeten në infrastrukturën kineze, zgjedhjet e tij në momente të bëhen ndjeshëm të kufizuara edhe drejtohen nga interesat e Kinës. Partneriteti ekonomik bëhet levë gjeopolitike afatgjatë.
Po ashtu deri në vitin 2040, Kina kërkon që ekosistemi I saj teknologjik të dominojë tregjet në zhvillim. Ky dominim i mundëson Pekinit ndikim drejt për drejt në mënyrën si vendosen standardet dixhitale globale, duke zëvendësuar potencialisht rregullat perëndimore mbi privatësinë e të dhënave, etikën e inteligjencës artificiale dhe sigurinë kibernetike, me kontrollin autokratik edhe të centralizuar .
Po ashtu të mos harrojmë se ndikimi ekonomik ka nevojë për arkitekturë financiare, dhe Kina po ndërton një të tillë. Institucione si Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë (AIIB) dhe Banka e Re e Zhvillimit (Banka BRICS) ofrojnë alternativa ndaj Bankës Botërore dhe FMN-së. Në të njëjtën kohë, Pekini po punon për të ndërkombëtarizuar juanin, duke përdorur sisteme si CIPS si zëvendësues të SWIFT. Qëllimi i Kinës është të sigurojë që tregtia dhe investimet të mund të vazhdojnë edhe nëse zbatohen sanksione perëndimore. Deri në vitin 2040, Kina dëshiron që juani të përbëjë të paktën 15% të rezervave globale, të mjaftueshme për të ulur ndjeshëm ndikimin financiar amerikan.
Por pjesa më ambicioze e vizionit të Kinës është ideologjike. Pekini po përpiqet të eksportojë një model qeverisjeje që përzien dinamizmin ekonomik me kontrollin politik të centralizuar. Për shumë vende në zhvillim, suksesi i Kinës, duke nxjerrë qindra miliona njerëz nga varfëria pa demokraci, ka sfiduar supozimet perëndimore se zhvillimi ekonomik edhe liria ecin në krah të njëra tjetrës.
Për qeveritë e korruptuara që drejtohen nga autokratë, Kina ofron një shembull të rritjes edhe mungësës së demokracisë.
E pra Kryeministri i një vendi që po kërkon që brenda 2030 të hyjë në Europë duke përkrahur vlerat edhe parimet perëndimore Europiane nuk mund të artikulojë me zë të lartë se ka mundësinë të flirtojë njëherazi edhe me Kinën .
Flirtimet ekonomike çojnë në martesa afatgjata gjeopolitike të cilat janë gjithmone shumë komplekse, aq me shumë në situatën e sotme.
Ndaj para se të sillemi si vajzat adoleshente të papjekura e kapriçoze duke i çuar mesazhe Amerikës apo Europës se ” Kina e madhe e na konsideron “pikën e mjaltit” duhet të pyesim veten a na intereson flirtimi ekonomik më këtë të fundit i cili çon në martesë të detyruar afatgjatë gjeopolitike ?
Një përgjigje e thjeshtëzuar mund të gjendej tek eksperienca e martesave njerëzore ku shpesh thuhet se ” martesa është nje përpjekje për të zgjidhur të gjitha problemet që nuk i kishe para se të martoheshe !

Artikuj të lidhur

Back to top button