Aktualitet/LajmeEkonomiKryesore

Pezullimi i rivlerësimit të pronave, agjentët imobiliarë: Vazhdon të ketë stepje për shit-blerjet

Pasi qeveria njoftoi pezullimin e procesit të rivlerësimit, në treg është rikthyer shit-blerja e pronave.

Sipas agjentëve imobiliarë, bllokimi që ndodhi pasi mazhoranca lajmëroi për fushatën e tretë të rivlerësimit ka filluar të zbutet, por sërish individët janë në pritje për të paguar një normë tatimi më të ulët se 15%.

“Stepja ishte shumë e madhe, pati edhe shumë ngërçe juruidike, duke qenë se palët binin dakord, bënin kontrata, në disa raste edhe kontrata kaparesh, të cilat në këtë moment po fillojnë të zgjidhen duke qenë se nuk do të kemi rivlerësim të paktën deri në përfundim të procesit zgjedhor. Një pjesë e kontratave që ishin nënshkruar arritën të zgjidhen duke pranuar pagesën e tatimit, ndoshta duke pasur edhe rritje të çmimit të shitjes sepse kishin rënë dakord me një tatim 5% dhe tani tatimi është 15%. Po shesin ata që kanë nevoja urgjente ose gjenden përballë dëshirës për të blerë diçka më të madhe, në zona më praktike dhe që janë të gatshëm të pranojnë edhe këtë normë tatimi më të lartë, duke menduar që nëse presin deri vitin tjetër, çmimet mund të jenë akoma më të larta”, tha agjenti imobiliar Arbër Brahaj.

“Vazhdon akoma të jetë një stepje në treg. Sepse njerëzit janë midis do të hapet përsëri ky proces rivlerësimi apo do vazhdojë kështu. Janë të stepur. Kush e kishte urgjente që do të duhej ta shiste, sigurisht që e ka shitur. Por kjo ka bërë që të jetë një treg i ngurtë, të mos jetë një treg i lirë i zakonshëm”, tha agjenti Dorjan Sanxhaku.

Në shtator qeveria premtoi se do të jepte mundësinë për të rivlerësuar pronën me një normë tatimi prej 5% nga 15% që është aktualisht, por më pas u tërhoq nga kjo nismë.

Sipas Ministrisë së Financave, fushata e tretë e rivlerësimit do të hapet pasi të rishikohen çmimet e referencës në të gjithë vendin.

Artikuj të lidhur

Back to top button