
Nga Enver Robelli-
Para 26 vitesh filloi faza e fundit e çlirimit të Kosovës. Në tre muajt e ardhshëm politikanët do të flasin, shkruajnë e mbajnë fjalime për luftën, për lirinë, për heronjtë, për viktimat, për krimet, për shkatërrimet. Por askush nuk do të tregojë pse Kosova mbetet ndër vendet më të ndotura në Europë? Pse në kryeqytetin e Kosovës është rrezik të jetosh për shkak të ajrit të ndotur? Pse veturat në Prishtinë dhe gjetiu në Kosovë më shumë rrëshqasin nga rrugët me plot llum se sa kur bie borë e bëhet akull? Pse për 26 vjet nuk ka ndarje të mbeturinave dhe gjithçka përfundon në një kontejner: prej dyshekut të vjetër deri te bateritë e telekomandës dhe prej akumulatorëve te gomat e veturës?
Ka shumë vite që Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë e informon popullin e Kosovës dhe politikanët e tij mbi ndotjen e ajrit. Dhe populli e politikanët e tij vazhdojnë ta injorojnë problemin. Sepse duhet të flasin për patriotizëm folklorik. Banka Botërore vlerëson se kostoja e dëmeve që i bëhet ambientit i kushton Kosovës për çdo vit 222 milionë euro. I bie se për një çerekshekull Kosova i ka humbur gati 6 miliardë euro për shkak të mungesës skandaloze të kujdesit ndaj ambientit. Shto këtu edhe katastrofën urbanistike gjithandej nëpër Kosovë, ku secili ndërton ku t’i teket. Dhe sa t’i teket.
Gjeneratat e ardhshme do ta paguajnë një çmim shumë të lartë si pasojë e papërgjegjësisë së krejt shoqërisë ndaj ambientit. Dhe heronjtë, ata që s’janë më ndër të gjallët, por janë të pavdekshëm, gjithsesi do të turpëroheshin po të shihnin pisllëkun që shkëlqen tmerrshëm në Kosovën e lirë e të pavarur. Ky vend shpëtohet vetëm nëse do të ketë, në të ardhmen e afërt, një alternativë të gjelbër politike dhe nëse do të hyjnë në garë politike aktivistë që duan ta pastrojnë Kosovën dhe ta bëjnë vend të jetueshëm.