
Nga Irena Beqiraj-
Imagjinoni për një moment një qytet ku gjithçka që ndodh shkruhet në dy regjistra. Njëri është trasparent i dukshëm për të gjithë : taksat që paguhen , ligjet e zbatura apo shkelura, dënimet e vuajtura. Tjetri është i padukshëm, por më i rëndë.
Një burrë vjedh bukë. Regjistri transparent shënon vjedhjen. I padukshmi regjistron një trup të uritur, frikën e një dyqanxhiu, një fëmijë që shikon dhe mëson se si duket mbijetesa. Një grua bën sikur nuk kupton për të mbajtur punën e saj. Regjistri transparent ngre supet, asnjë ligj i thyer. I padukshmi shënon një thyerje në besim, një gërryerje të qetë që do të dalë në pah më vonë. Një udhëheqës shfrytëzon pushtetin. Regjistri transparent e quan strategji. Regjistri padukshëm mbushet me emra delinkuetësh që nuk do të shqiptohen kurrë me zë të lartë.
Ndërsa, regjistri i dukshëm është një hartë, një përfaqësim simbolik i një territori ku ndahet e e drejta me të gabuarën , ai nuk është vetë territori.
Regjistri i padukshëm është thelbi i pavetëdijshëm, i karakterit kolektiv organik dhe themelor të kombit: fryma e tij publike, mënyra e jetesës dhe kuptimi i përbashkët i autoritetit dhe ligjeve morale të së drejtës dhe të gabuarës, pra ai është vetë territori.
Sipas pikëpamjes tonë Kushtetuta mbetet një tekst i shenjtë, gati-magjik që përcakton të drejtat tona dhe i mbron ato duke kufizuar fuqitë e qeverisë. Fjalët në faqet e saj janë ngritur në një status gjysmë-transcendent, sikur të ishin një formë shkrimi i shenjtë i pajisur me autoritetin e tyre sovran. Ky autoritet përcakton rregullat çfarë është e lejueshme e çfarë jo, dhe njerëzit e mençur të veshur me rrobën e gjykatësit interpretojnë, “sola scriptura”, këto parime kombëtare për të përcaktuar nëse ligjet veprimet apo mos veprimet përputhen ose e kanë tejkaluar autoritetin që u është dhënë atyre nga Kushtetuta. Në këtë kuptim, Kushtetuta formon themelin për sundimin e ligjit.
Por kushtetuta nuk është një garanci se rezultatet do të jenë gjithmonë të drejta ose të kënaqshme. Ajo nuk ekziston për të zgjidhur çdo problem ose për të hequr barrën e zgjedhjeve të vështira, dhe nuk ka pasur kurrë për qëllim të mbrojë nga mosmarrëveshjet. Ajo ishte menduar të përdorej nga qytetarët që e kuptojnë qëllimin e saj, që janë të gatshëm të ngadalësojnë gjërat dhe që i rezistojnë zgjidhjeve që duken të drejta, por që e dobësojnë në heshtje sistemin .
Pas gjithë kësaj fshihet një e vërtetë e pakëndshme. Një Kushtetutë nuk mund të shpëtojë një “popull” që pret që ajo të bëjë punën për ta. Ajo mund të kufizojë pushtetin, të kanalizojë autoritetin dhe të krijojë hapësirë për liri, por ajo nuk mund të prodhojë virtyt.
Por mbi të gjitha ajo nuk mund të funksionojë kur fryma mbi të cilën është projektuar ndryshon katërcipërisht nga ajo mbi të cilën një shoqëri operon .
Fryma me të cilën qeverisemi, është tërësisht e ndryshme nga ajo që përshkruhet në çdo kushtetutë e një vendi demokratik . Ndërsa kemi humbur sensin se si është projektuar e sesi duhet të funksionojë sistemi demokratik ,realiteti i ri i brendshëm i përshkruar në regjistrit padukshëm tregon se llogaridhënia përgjegjësia edhe transparenca të cilat janë thelbësore për demokracinë edhe për funksionimin e ligjit bazë Kushtetutës janë braktisur njëherë e mirë . Të pa aftë për ta korrigjuar ketë anomali me veprime politike demokratike na ka mbetur vetëm të gjykojmë interpretimet , arsyet, shtysat e vendimeve të tyre .
Ndarja e konstitucionalistëve tanë për çështjen Balluku , është një rast që tregon qartazi ( përtej çdo skenari tjetër ) se ndërsa fryma me të cilën qeverisemi edhe drejtohemi nuk ka asnjë lidhje me virtytet edhe territorin moral një shoqërie demokratike Kushtetuta, dhe të gjitha llojet e ligjmërisë kushtetuese, nuk mund dhe nuk do të na shpëtojnë më .



