
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, gjatë një tryeze diskutimi të organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit për administrimin e procesit zgjedhor, vlerësoi përmirësimin e situatës në lidhje me përdorimin e aseteve publike gjatë fushatës zgjedhore.
Celibashi theksoi se krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021 dhe 2023, ka pasur një progres në sjelljen e institucioneve publike në raport me përdorimin e aseteve publike gjatë fushatës zgjedhore, por shtoi se ka ende shumë për të bërë.
“Situata krahasuar me zgjedhjet e 2021 dhe 2023 ka një lloj ndryshimi pozitiv sa i përket sjelljes së institucioneve publike në raport me përdorimin e aseteve publike në prag dhe gatë fushatës zgjedhore. Duke thënë këtë nuk jam duke konfirmuar se standardi i sjellës së të gjitha institucioneve është ai që duhet të jetë, duhet të mbajmë në vëmendje se të paktën nuk jemi duke bërë regres në këtë çështje por as ndonjë progres sinjifikativ. Duket që ka një interes të shtuar apo merak të shtuar thuajse nga të gjithë drejtuesit e institucioneve publike për të qenë në rregull me ligjet që përcaktojnë sjelljen e administratës publike në këtë periudhë. Deri diku nga zori e deri diku nga ndërgjegjësimi, ata ia kanë dalë që t’i respektojnë këto rregulla, por ka ende shumë për të bërë dhe kuptojmë që mentaliteti është ai që duhet të ndryshojë”, tha Celibashi.
Kryekomisioneri pati dhe një paralajmërim për institucionet publike, se nëse shkelin ligjet në prag apo gjatë fushatës zgjedhore në përdorimin e aseteve publike për qëllime politike do të ketë sanksione deri të karakteri penal për ta.
“Ne si KQZ jemi përpjekur që t’i përgjigjemi të gjithave kërkesave dhe denoncimeve të organizatave të ndryshme lidhur me këtë aspekt dhe është mirë që në denoncimin e këtyre fenomeneve të prezantojmë gjetje të rëndësishme. Duhet të presim si do jetë situata në vijim, shpresoj që të kuptojmë të gjithë dhe institucionet që ka disa kufij që nuk duhet t’i shkelin, përndryshe sanksionet do të jenë edhe të karakterit penal në disa raste”, përfundoi Celibashi.
Prej vitit 1996, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka monitoruar shumicën e zgjedhjeve parlamentare dhe të qeverisjes vendore në Shqipëri si dhe ka ofruar ekspertizën e tij ligjore në procesin e hartimit dhe ndryshimit të legjislacionit zgjedhor.