
Nga Dashnor Kokonozi-
Këtu e më shumë njëzet vjet të shkuara, shkoja shpesh në Mont Noir (Saint-Jans-Cappel), një lartësi në kufirin franko-belg ku gjendet një shtëpi e Margaritte Yoursenar.
Përveçse është një vend i mrekullueshëm për të shëtitur e soditur krejt Flandrën franceze, vila prej vitesh ishte shndërruar në rezidencë për shkrimtarë nga e gjithë bota.
Ishte edhe rast takimesh e njohjesh të pa harruara , sepse në përfundim të qëndrimit të tyre, shkrimtarët kishin një detyrim të vogël: Të lexonin në gjuhën amtare fragmente të krijimtarisë që kishin bërë gjatë qëndrimit aty, te Vila Yoursenar.
Dhe kjo në prani të të ftuarve të ndryshëm dhe publikut.
Nuk mungoja kurrë!
E tepër të them se çfare kënaqësie ishte të dëgjoj e të njoh aty, disa nga penat e ndritura të kohës sonë, që recitonin në gjuhën amtare!
Një fillim vere, se atëherë zhvillohej kjo krijimtari, pas një poeti japonez,e një dramaturgu anglez, i vjen radha dikujt, që nis e lexon në … shqip.
U hodha përpjetë nga habia.
Kur pyeta më thanë se quhej Luan Starova. Ah, thashë, këtij i kam lexuar thuajse gjithçka, i shtyrë më fort nga shtypi francez që e priste me interes çdo libër të tij.
Dija edhe se kishte qenë ambasador i Maqedonsë në Paris.
Në fund shkova ta takoj. Qe një kënaqësi e madhe njohja personale me të.
Kurrë nuk përtoi t’i përgjigjej dhjetra pyetjeve që kisha, se e dija që kishte qenë dëshmitar i një bote tjetër që nuk kishte asgjë të përbashkët me tonën.
Atë verë, sa kohë që qendroi aty, shkoja dhe e merrja me makinë, bashkë me zonjën e tij, Gëzimen, për të kaluar ndonjë darkë në shtëpinë time, ku nuk mungoja të ftoja edhe miq, që kishin dëshirë ta njihnin.
Me gjasa edhe kjo foto aty është bërë, por nuk e di se nga kush.
Starovën e kujtoj si një intelektual i rrallë, që fliste shtruar dhe ruante detaje per çdo rrëfim të tijin. Ishte vërtet një njeri që të pasuronte me praninë e tij të fisme.
Nga të gjithë ato kujtime, ka mbetur kjo foto e një një prej atyre netëve që ai qëndroi në Vilën Yoursenar.



