
Nga Auron Tare-
Në Shkollën “Skënderbej” dikur kishim një rregull të pashkruar: kurrë nuk flisnim kundër apo nuk ziheshim jashtë mureve të shkollës me dikë që mbante uniformën e skënderbegasit. Brenda mureve shpesh kishte debate të ashpra apo edhe zënka moshe, por asnjëherë në publik. Unë e kam ndjekur gjithmonë këtë virtyt të shkollës.
Kjo ishte një parantezë mbi atë që po shkruaj më poshtë për një deklaratë të ish-ministrit të Brendshëm të Republikës dhe gjeneralit z. Sander Lleshaj. Si ish-skënderbegas e respektoj Z Lleshaj maksimalisht, por më bëri përshtypje një deklaratë e tij mbi agjentura apo njerëz të medias që punojnë kundër interesit kombëtar.
Si ish-skënderbegas e di mjaft mirë se formimi i gjeneralit Lleshaj është i shëndoshë dhe kombëtar. Megjithatë, si ish drejtues i Ministrisë së Brendshme do të doja shumë që z. Lleshaj të kishte bërë publikisht identifikimin e këtyre njerëzve që punojnë kundër interesit kombëtar, por pse jo edhe ti kishte arrestuar ata që ai mendonte se ishin pjesë e shërbimeve të huaja në kohën kur shërbente si ministër i Brendshëm.
Deklarata e tij mbrëmë më bëri të ulem dhe të shkruaj disa rreshta për një nga çështjet që prej kohësh më ka vënë në dilemë.
Për kë punojnë shqiptarët?
Nga historia di se shqiptaret kane punuar per shekuj per ata qe i kane paguar me mire. sa per nje perandori ne tjetren ata jane shquar gjithmone si mercenare te klasit te pare. Shqiptaret mund ti gjesh kudo te shperndare sa ne hapsirat e pa mata te Osmaneve ne ato te Egjiptit, Rusise Perandorake, Venedikut e deri ne Skocine e larget mesjetare deri sa me ne fund u beme me shtet.
Por si pjesë e pasionit tim kam kërkuar në disa nga arkivat më të mira botërore për të gjetur dhe kuptuar më shumë nga historia e panjohur e Shqipërisë që nga ekzistenca e saj në nëntor të vitit 1912.
Në atë kohë një grusht burrash, që i kishin shërbyer gjithë jetën një perandorie të madhe e cila po fundosej para syve të tyre, vendosën t’i dedikoheshin një vendi ndoshta më të prapambeturit në Evropë: analfabetizëm i madh, mjerim ekstrem, pa industri, pa bujqësi moderne, i rrethuar nga moçale dhe i kafshuar nga fqinjët.
Megjithatë, këta burra vendosën t’i përkushtoheshin këtij vendi të vogël. Ata u quajtën Rilindës Enderrimtare per nje shtet te forte dhe te pa varur. Për ironi të kohës dhe fatit, ata arritën të krijonin një shtet edhe pse të dobët dhe pa ndikim, por që në një farë mënyre mblodhi energjinë dhe ëndrrat e atyre që e quanin veten shqiptarë.
Nga ky moment, logjika të thotë se të gjithë duhej t’i dedikoheshin një kauze të madhe: shtetit të shqiptarëve. nje lloj Israeli per shqiptaret i cili ne themelin e vet ka ceshtjen kombetare.
Por arkivat tregojnë një histori më komplekse.
Në çdo fazë të jetës së shtetit shqiptar, një pjesë e eksponentëve kryesorë te tij kanë punuar edhe për interesat e të tjerëve.
Në arkivat italiane, për shembull, mund të gjesh seri volumesh me dosje pagesash sekrete që shteti italian bënte çdo vit për disa nga emrat kryesorë të shtetit shqiptar të kohës.
Në arkivat e Beogradit mund të gjesh të tjerë që paguheshin nga serbët. Ndërsa në arkivat britanike lexon emra intelektualësh, gazetaresh dhe shtetarësh që përfitonin fonde sekrete.
Madje edhe vete Ahmet Zogu ka marrë mbështetje financiare nga Italia dhe me vone nga Serbia për të ardhur në pushtet. Këto pagesa të fshehta në kurriz të çështjes shqiptare e gërryen shtetin e tij, i cili në fund e dorëzoi vendin pa një përpjekje serioze, jo domosdoshmërisht sepse nuk donte të rezistonte, por sepse e dinte që një pjesë e madhe e rrethit të tij ishte e paguar.
Për të mos u zgjatur nuk po ndalem te 45 vitet e regjimit të Enver Hoxhës, i cili duam apo jo ta pranojme, përmes ideologjisë dhe frikës arriti në një farë mënyre të konsolidojë shtetin shqiptar deri ne shkermoqjen e tij.
Duke ardhur në kohën tonë, në 35 vitet e fundit është bërë gjithnjë e më e vështirë të identifikosh se kush punon realisht për interesin kombëtar dhe për një Shqipëri të fortë.
Mjafton të shohësh çfarë ka ndodhur me ushtrinë shqiptare, bankat, ekonominë, rrugët, mjekësinë, arsimin dhe trashëgiminë kulturore për të kuptuar se shumë pak idealizëm ka mbetur në shërbim të shtetit.
Sot, pas më shumë se 100 vitesh, duket se shteti shqiptar ende nuk ka bërë përpjekjen serioze për të krijuar një shtet modern dhe të fortë në shërbim të shqiptarëve. Perkundrazi ikja e vazhdueshme e shqiptareve tregon zhgenjimin e thelle ne te ardhmen e vendit.
Gjenerali Lleshaj me te drejte ne intervisten e tij shqetësohet se mund të ketë shqiptarë që punojnë për Iranin. Por ironia është se ata që mund të punojnë për ajatollahët kanë gjetur vetëm një hapësirë të vogël, sepse lista e atyre që punojnë për interesat e fqinjëve apo fuqive të mëdha si Turqisë, Izraelit, Amerikës, Kinës, Rusisë e të tjerë është kaq e gjatë, sa hapësira që ka mbetur per ta është vetëm periferia e ajatollaheve.



