
Nga SUBI ÇAKO-
Boston MA
(Me rastin e 80 vjetorit të gazetarit dhe poetit, Fuat Memelli)
Para disa ditësh Fuat Memelli, mbushi 80 vjet. Ky është një rrugëtim i gjatë, 65 vjet në Shqipëri dhe 15 vjet në Amerikë; i mbushur me punë, ngjarje, udhëtime në Shqipëri e nëpër botë.
Me shumë vështirësi mundëm t’i shkëputim disa momente nga jeta e tij, pasi Fuati thotë: Nuk kam bërë ndonjë gjë të veçantë, që të shkruhet për mua, unë punën kam bërë.
” Fuati ka lindur dhe është rritur në fshatin Sinicë të Devollit. Pas mbarimit me rezultate të mira të shkollës 7 vjeçare, ai vazhdoi Teknikumin Bujqësor “Irakli Terova” në Korçë. Ai mbaroi shkëlqyeshëm Teknikumin dhe sipas rregullit të asaj kohe, ata që mbaronin me rezultate të tilla, u jepej direkt e drejta e studimit.
Nga dashuria për letërsinë që po hidhte “rrënjë” në shpirtin e tij, në kërkesat që bëheshin, shkroi tri herë “gjuhë letërsi”. Kjo dëshirë nuk ju realizua dhe vazhdoi Institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësisë, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Pasioni për gazetarinë dhe letërsinë e nxiti të botojë shumë shkrime e poezi tek gazeta Zëri i Rinisë. Fuati konkuroi midis 100 studentëve të degëve të ndryshme dhe nga 20 që fituan, njëri ishte Fuati dhe vazhdoi kursin dyvjeçar të gazetarisë pranë Fakultetit të Shkencave Politike e Juridike.
Gazetarët e shquar që jepnin mësim si Vangjush Gambeta, Dritëro Agolli, Hamit Boriçi, gjuhëtari Androkli Kostallari, etj, i dhanë mundësi që ai të shtojë njohuritë gazetareske dhe publikimet në shtyp. Ndërsa ishte student në vitin e fundit, në Institutin Bujqësor nisi botimin gazeta “Studenti i Bujqësisë” dhe ai u caktua kryeredaktor i parë i saj.
Në mbarim të zborit gjashtë mujor Fuati mori lajmin e gëzueshëm se ishte caktuar të punojë në Televizionin Shqiptar. Kjo ishte një punë që ai nuk e kishte menduar.
Televizioni ishte në hapat e para dhe në shtator të vitit 1969, Fuati nisi të ngjitë shkallët e këtij institucioni. Fuati punoi me pasion si redaktori i parë i emisioneve të bujqësisë.
Pas festivalit të 11-të situata në Radio Televizion filloi të ndryshojë. Pas pleniumeve të famshme të Komitetit Qendror , “tërmeti” ra edhe në këtë institucion. Kështu, u largua Todi Lubonja e më pas edhe punonjës të tjerë për shfqaje liberale si dhe për “njolla” në biografi.
Një nga ata që e pësoi nga “njollat” ishte edhe Fuati. Në maj të vitit 1975 e Fuatin e larguan nga TVSH-ja. Ai nuk i përkiste asaj kategorie, pasi familja e tij kishte ndihmuar luftën; atë vit motra e tij ishte pranuar në parti, kishte xhaxhanë oficer dhe komunist, etj. Disa militantë nga fshati u bënë xhelozë “pse djali i Orhanit të rrijë në Tiranë, ndërsa fëmijët tanë të punojnë në kooperativë?!” Kjo xhelozi i nxiti që t’ja shtrembërojnë biografinë. Kishin shënuar pesë fjalë për qëndrim të mirë gjatë luftës dhe më shumë për kushërinj të dytë me probleme politike. Për tre vjet Fuatin e caktuan të punojë si agronom në kooperativën e Petrelës. Ai nuk ju tremb fshatit, por e shqetësonte hija e njollës, që i vunë, e cila e ndiqte pas.
Tre vitet e punës në Petrelë ishin një shkollë e dytë për të. Ai i kujton me respekt fshatarët e thjeshtë dhe specialistët me të cilët punoi.
Rrugëtimi i tij vazhdon në ish Shtëpinë e Propagandës Bujqësore, ku u emërua në sektorin e filmit bujqësor. Rikthimi te filmi e lumturoi. Së bashku me operatorin dhe montazhierin, ai përgatiste dokumentarë shkencorë për bujqësinë, blegtorinë, pyjet si dhe emisione e kronika të cilat trasmetoheshin në Televizionin Shqiptar. Kështu, megjithëse si i thonë fjalës “e nxorën nga dera e këtij institucioni, por ai, hyri nga “dritarja”.
Pasioni dhe profesionalizmi, si dhe puna e mëparshme, i’a hoqën pengesat.
Në ato vite filluan festivalet e filmave artistikë dhe dokumentarë, që organizoheshin nga ish Kinostudjoja dhe Televizioni Shqiptar. Grupi që drejtonte Fuati mori pjesë disa herë në atë festival me dokumentarë të karakterit shkencor dhe fituan tre çmime. “Pasioni ishte “arma” ime gjatë 42 vjetëve që punova”,- thotë me siguri Fuati.
Në fillimet e para të demokracisë duke njohur realitetin e fshatit dhe njerëzit e pafajshëm që e kishin pësuar keq nga regjimi, Fuati shkroi disa artikuj te gazeta Rilindja Demokratike. Nga këto publikime e thërret ish kryeministri Aleksandër Meksi dhe i thotë për t’u bërë zëdhënës i kryeministrisë. Fuati pasi e falenderon, i thotë se do vazhdojë punën si gazetar i thjeshtë dhe nuk u pendua kurrë për këtë. Nuk mbajti asnjëherë teser partie në xhep. Në ato vite njohu disa njerëz që dolën nga rruga e demokracisë që kishte ëndërruar.
Për shkrimet e botuara te RD-ja kur ndërroi pushteti, deshën ta largojnë nga puna, por u desh ndërhyrja e Dritëro Agollit që mos e largonin. Dritëroi ishte një mik i veçantë i tij. Fuati ka bërë disa shkrime për poetin Dritëro, si dhe publikime të tjera. Fuati ka qënë në shtëpinë e tij disa herë, si dhe Dritëroi ka qënë në shtëpinë e Fuatit. Një foto, në fundin e këtij shkrimi është një penë, dhuratë e Dritëroit dhe Sadijes me rastin e 65 vjetorit të lindjes.
Pas viteve 1990, Fuatu mori pjesë disa herë në festivale ndërkombëtare te filmit dokumentar bujqësor dhe fitoi katër çmime. Ato nuk shoqëroheshin me ndonjë vlerë monetare, por vetëm me kupa. Për Fuatin këto çmime morale kishin më shumë vlerë se disa lekë.
Në shkurt të vitit 2011 ai doli në pension. Fuati, ngaqë ishte mësuar me punë dhe udhëtime pune, i dukej vetja shpeshherë si mysafir në shtëpinë e tij.
Ai nuk e përjetoi mirë shkëputjen nga puna, që e kishte dashur aq shumë. Në mars të vitit 2011 Fuati nisi një rrugëtim tjetër në jetën e tij. Ai erdhi në Amerikë me bashkim familjar ku kishte dy vajzat dhe gruan, ndërkohë dy djemtë zgjodhën Kanadanë për të jetuar. Pasi Fuati çmallet me njerëzit e familjes, filloi shkollën dy vjeçare për gjuhën angleze. Ai kishte mësuar pjesërisht në Shqipëri, por ato njohuri ishin pak. Në klasë ishin të rinj e të reja, ndërsa ai ishte studenti i vetëm me flokë të bardhë, me moshë 65 vjeçare. Shkolla i vlejti pasi mësoi më mirë jo vetëm gjuhën, por edhe historinë e traditat e këtij vendi të lirë.
Pjesëmarrja aktive në jetën e komunitetit shqiptar të Bostonit është një vlerë e tij. Pasioni dhe përkushtimi për gazetarinë e ndoqi pas.
Gjatë 15 vjetëve që jeton këtu ka bërë mbi 100 shkrime të shoqëruar me fotografi. Ato i kushtohen veprimtarive të komunitet tonë këtu si festa e 28 Nëntorit, Shoqatës “Mass.Besa”, Shkollës Shqipe “Besa”, figurave të disa shqiptarëve të shquar që kanë lënë gjurmë të pashlyera, veprimtaritë e kryera te kishat shqiptare, etj. Për këtë kontribut është vlerësuar me dëshmi mirënjohje të shumta. Për ngjarjen e bombave që u hodhën në Maratonën e Bostonit në vitin 2013, ka bërë fotografi, shkrim e poezi. Poezinë kushtuar viktimave të asaj dite, e recitoi në një veprimmtari të madhe, kur u përurua Parku i Paqes në qytetin Medford afër Bostonit.
Poezia është një pasion tjetër i tij. Ka botuar tre vëllime dhe në “magje” ka poezi të tjera. Jo vetëm kur ishte në Shqipëri, por edhe kur erdhi në Amerikë, nuk e ka harruar Atdheun ku jetoi e punoi, Fuati nuk e harron Sinicën, djepin që e përkundi. Ai ka bërë shkrime, filma si dhe poezi për të. Në njërën prej tyre kushtuar vendlindjes, shkruan: “Dhjetra herë kam ardhur, E shumë herë do të vij, Veç gjithmonë ndodh me mua, Vij këtu të çmallem, dhe iki më i malluar”.
Në vitin 2019 Këshilli Bashkiak i Devollit, për punen dhe veprimtarine, publikimin e shkrimeve, fotografive, kronikave e dokumentarëve, etj, për këtë krahinë, e shpalli “Qytetar Nderi”.
Për rrugën e tij 80 vjeçare, nga puna dhe jeta në Shqipëri e Amerikë, është drejt përfundimit të një libri, të cilin ka dëshirë ta promovojë shpejt, kur do të shkojë pësëri në Shqipëri.
Ne krenohemi me mikun tonë Fuat Memelli që me mbi tetë dekada jetë është i papërtuar në dy kontinente, Të paçim me jetë Fuat Memelli!



