
Nga Dashnor Kokonozi-
Ne vitin 1943 atëherë kur u ndodh në Londër për të riorganizuar rezistencën franceze kundër pushtimit nazist filozofia Simonë Weil (që A. Camus e cilwsonte “le seul grand esprit de notre temps ») shkruan një ese që vazhdon të komentohet edhe sot e gjithë ditën. Bëhet fjalë për zhbërjen e partive politike
Ideja mund të duket paksa ekstreme sepse zakonisht janë diktaturat ato që i shuajnë partitë politike për të mos pasur kundërshtarë. Simone Weil është për zhbërjen e tyre, por kjo për arsye krejtësisht të kundërta. Ajo sheh te partitë politike një problem themelor: ato janë të papajtueshme me kërkimin e së vërtetës.
Ta kapim nga fillimi. Cili është qëllimi i një partie politike? Të marrë pushtetin, apo jo? Një parti ekziston për të fituar zgjedhjet, për të peshuar në vendimmarrje, për të imponuar programin e saj.
Me pak fjalë, një parti ekziston për të dominuar dhe kur kërkon të dominosh, nuk kërkon më të vërtetën. Kërkon t’i kthesh të tjerët te e vërteta tënde, t’i bësh ta besojnë atë.
Le të marrim një shembull: ju anëtarësoheni në një parti politike. Merrni pjesë në mbledhje, mbroni qëndrimet e partisë, por një ditë vini re se nuk jeni dakord me një nga vendimet e saj. Kujt nuk i ka ndodhur kjo?
Në këtë rast hapen dy mundësi: e para nuk flisni fare, nuk kundërshtoni atë që thuhet. I nënshtroheni vendimit të partisë sepse kauza e saj është mbi gjithçka. Por në këtë rast, ju tradhtoni të vërtetën, të paktën, konceptin tuaj për të vërtetën.
Në rastin e dytë, ju shprehni mospajtimin tuaj. Në këtë rast, tradhtoni partinë.
Kjo është arsyeja pse Simone Weil thotë se të militosh në një parti politike do të thotë të jesh i dënuar të tradhtosh: ose tradhton partinë, ose tradhton veten.
Ajo shkon edhe më tej kur thotë se partitë politike ushtrojnë mbi anëtarët e tyre një presion kolektiv. Kur i përket një partie, kur je antar i saj nuk mendon më lirshëm, nuk mendon si individ; mendon kolektivisht. Kjo shuan premisat e gjetjes së të vërtetës, sepse për natyrë mendimi ushqehet nga mospajtimi.
Në një logjikë të synimit të marrjes të pushtetit, mospajtimi nuk shihet si mjet përsosmërie, nuk është i mirëpritur. Më keq akoma. Të shprehësh mospajtim do të thotë t’i japësh armë kundërshtarit, do të thotë të dobësosh kauzën tënde. Dhe kështu luan kundër interesave të partisë.
Ideja e i Simonë Weil është shqetësues, sepse tregon se angazhimi politik, sado i lavdërueshëm të jetë, është i pajtueshëm me mënyrën e kërkimit të së vërtetës. Të angazhohesh në një parti do të thotë të heqësh dorë nga ushtrimi i mendimit kritik. Do të thotë t’i japësh përparësi logjikës së pushtetit mbi logjikën e së mirës, të drejtës e të së vërtetë.



