Aktualitet/LajmeKryesoreRajoni

Paralajmëron Vuçiç: Serbia së shpejti prezanton një sistem anti-dron të blerë nga Rusia

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi të martën se Beogradi do ta prezantojë muajin e ardhshëm një sistem rus për mbrojtje ndaj dronëve, të quajtur Repellent, të cilën e ka blerë kohë më parë nga aleatja e vet, Rusia.

Prezantimi i tij do të bëhet në Festën Kombëtare të Serbisë më 15 shkurt në qytetin jugor Nish, sipas tij.

Vuçiç nuk tregoi se kur e mori Serbia saktësisht sistemin e ri, por shtoi se “ai është në duart tona”, dhe se Serbia e ka paguar për të shumë kohë më parë.

Gjatë një vizite në kazermën Topçider në kryeqytetin serb më 30 janar, Vuçiqi kishte thënë se janë ndarë para nga buxheti i Serbisë për “701 sisteme komplekse të armëve nga industria vendase” dhe se “më shumë se 850 të tjera do të prokurohen në vitet e ardhshme”.

 

 

Ai përsëriti se Serbia është një “superfuqi rajonale e tankeve” dhe se Serbia është “afër kompletimit të baterisë së tretë të sistemit raketor të mbrojtjes ajrore, FK-3, nga Kina”.

Vuçiç njoftoi për sistemin e ri anti-dron disa javë pasi Shtetet e Bashkuara e pranuan një kërkesë nga Kosova për blerjen e raketave antitanke Javelin, e cila do të shqyrtohet nga Kongresi amerikan, vendim të cilin lideri serb e cilësoi si një “zhgënjim i madh”.

Serbia e deklaron veten si një vend ushtarakisht neutral dhe blen armë si në lindje ashtu edhe në Perëndim.

Ajo synon anëtarësimin në Bashkim Evropian, por është kritikuar vazhdimisht nga Brukseli për shkak të bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën në fushën e mbrojtjes.

Që nga viti 2016, Serbia ka blerë vazhdimisht pajisje ushtarake dhe armë nga Rusia.

Megjithatë, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, asnjë kontratë e re për prokurimin e armëve nuk është lidhur. Vuçiq deklaroi në mesin e shtatorit 2022 se një pjesë e dërgesave të mëparshme nuk kishin mbërritur për shkak të luftës në Ukrainë.

Në mesin e atyre dërgesave të mëparshme, në atë kohë u përmend edhe sistemi anti-dron, Repellent.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button