BotaKryesoreNdodhi

Para, rrjete sociale, raketa e satelitë: Basti i madh i Elon Musk

 

 

Pak kohë më parë, një mijë kilometra larg Tokës, u testua për herë të parë një sistem lazer për transmetimin e urdhrave midis satelitëve, me shpejtësinë e dritës: një mënyrë më e sigurt dhe më e shpejtë për të zbuluar dhe përgjuar raketat e lëshuara nga një armik. Një evolucion i ombrellës mbrojtëse amerikane, nga SpaceX.

Jo vetëm revolucioni i makinave që i largohen naftës, me prodhimin e Teslas, bateritë e gjeneratës së re edhe për rrjetet elektrike, shtatë mijë satelitët Starlink që tani ofrojnë lidhje kudo në botë dhe hapësirën e ripushtuar nga Shtetet e Bashkuara falë raketave dhe anijeve kozmike të tija. Elon Musk, sipërmarrësi miliarder me paratë e tij, përdorimin e paskrupullt të platformës sociale që zotëron, është gjithashtu një figurë kyçe për sistemin amerikan.

Kompleksi ushtarak

I tillë është në sistemin ekonomik, por është bërë (dhe ndoshta mbi të gjitha) për sigurinë kombëtare. Ai zotëron të gjitha raketat e gjeneratës së re, më të avancuara dhe shumë më pak të kushtueshme, se ato të prodhuara nga Lockheed-Martin dhe Boeing. Dhe Musk zotëron satelitët ushtarakë dhe satelitët spiunë të ndërtuar dhe hedhur në orbitë në një fshehtësi të madhe për llogari të Pentagonit (duke u marrë terrenin emrave të tjerë historikë të kompleksit ushtarak-industrial: Raytheon, Grumman, Northrop).

Për të mos përmendur rolin gjeostrategjik të satelitëve Starlink, thelbësor në konfliktin në Ukrainë dhe të konsideruar si një armë e mundshme e padukshme në zona të tjera të nxehta, nga qiejt e Tajvanit deri në ato të Gazës.

Për këtë arsye, Elon mori një leje sigurie nga ushtria, e cila i jep atij akses në informacionet më sekrete, por gjithashtu vendos kufizime të rrepta konfidencialiteti. A i ka respektuar? Ai, kampioni botëror i fjalës së lirë, gjithmonë i etur për të mahnitur dhe me ndonjë çrregullim të personalitetit që e pranoi edhe vetë, çrregullim që e korrigjon (ose e mpreh) duke iu drejtuar kimisë, ka thënë tashmë se e ka kuptuar pse sekretet që i janë zbuluar, duhet të mbeten të tilla: sepse janë gjëra të mërzitshme!

Gjeneralët dhe krerët e shërbimeve sekrete dridhen: a mos i kanë rrëshkitur informacionet sekrete gjatë bisedimeve me Putinin? Dhe a i kishte informuar autoritetet kompetente për ato biseda (të cilat ai i mohoi në atë kohë, por u konfirmuan së fundmi nga Kremlini)?

E gjithë kjo ka shumë pak interes për Trumpin, i cili gjithashtu akuzohet për lehtësi të tepruar në marrëdhëniet e tij me Putinin. Deri më tani, udhëheqësi republikan ka shfrytëzuar paratë dhe popullaritetin e Elon Musk për zgjedhjen e tij.

Narcisist, i fokusuar vetëm tek vetja, për herë të parë The Donald mirëpriti në skenën e tij një personazh mbështetës shumë të njohur. Dhe në çdo miting, ai e përshkruan me admirim skenën e përforcuesve të raketave të lëshuara nga Musk, që kthehen me përulësi në Tokë, derisa platforma e lëshimit i kap me një pincë gjigante.

Një DOGE i ri

Nëse ai kthehet në Shtëpinë e Bardhë, cila do të jetë marrëdhënia midis një presidenti gati tetëdhjetë vjeçar, i cili shikon mbi të gjitha nga e kaluara me trashëgiminë e pakënaqësive të saj dhe këtij “kapiteni të ardhshëm”? Me fjalë, të dy tashmë e kanë një marrëveshje: Musk, i cili si sipërmarrës ka demonstruar aftësinë e tij jo vetëm për të inovuar, por edhe për të industrializuar teknologjitë e tij në mënyrë efikase dhe me kosto të ulët, duhet të zbatojë të njëjtën recetë në administratën publike. Elon ka krijuar tashmë një akronim për rolin e tij të ardhshëm: DOGE, dmth Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë. Me të cilin ai premton t’i kursejë shtetit dy trilion dollarë çdo vit.
E pamundur për analistët: buxheti federal, 6,500 miliardë, përbëhet kryesisht nga transfertat për kujdesin shëndetësor për të moshuarit (Medicare) dhe më të varfërit dhe për pensionet, ndërsa 850 milionë shkojnë për mbrojtjen. Nuk do të mjaftonte as të pushoheshin pothuajse të gjithë punonjësit publikë (dhe Musk, i cili shkarkoi 14,000 punonjës të Tesla-s këtë vit dhe që pasi bleu Twitter-in, pushoi më shumë se tre të katërtat e stafit, ndoshta po mendon pikërisht këtë).

Konflikti i interesit
Këtu pyetjet janë të pafundme: nga ato ligjore (ministër dhe sipërmarrës në të njëjtën kohë? Apo një konsulent privat me kompetenca të plota në fushën publike dhe një konflikt interesi të pashmangshëm, duke qenë se shteti është klienti dhe rregullatori i kompanive të tij? Pushimet masive nga puna të ndaluara nga ligjet e punësimit publik?) tek ato politike: Trump, shumë i interesuar për shkurtimet e shpenzimeve për të kompensuar shkurtimet e mëdha të taksave që synon të zbatojë, a do ta pranojë uljen e popullaritetit (me një potencial trazirash) prej pushimeve masive?

Por, mbi të gjitha, një personazh që tani ndihet i plotfuqishëm, të cilin historiani Niall Ferguson e ka krahasuar me Napoleonin dhe që ka pas vetes një pjesë të Silicon Valley – nga Peter Thiel te kapitalisti i sipërmarrjes Marc Andreesen – që synon të transferojë filozofinë e tij të përçarjes, a do të jetë i kënaqur me një rol reformator, ndonëse radikal, të sektorit publik? Përparimi i inteligjencës artificiale po i bind disa manjatë dixhitalë se mekanizmat e demokracisë liberale janë tashmë të vjetëruara: një tekno-autoritarizëm efikas, i mbështetur nga inteligjenca e makinave, është më i mirë.

Në një intervistë me Politico Fiona Hill, këshilltare diplomatike që ka punuar në ekipet e sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë me Bushin, Obamën dhe Trumpin dhe që njeh si Putinin dhe Musk, sheh një plan më pak teknologjik, por me një sfond autoritar. Një tezë që do të shpjegonte edhe besimin e çuditshëm të Elon-it dhe vetë Trump-it tek lideri i një vendi si Rusia, zyrtarisht armik i betuar i SHBA-së. Shpjegimi? Sharmi i modelit oligarkik të Kremlinit.

Gjithçka zgjidhet – luftërat, çështjet ekonomike, mosmarrëveshjet territoriale – përmes ujdive midis një numri të kufizuar aktorësh ndërkombëtarë që mbajnë fuqi politike, ekonomike dhe ushtarake. Pa ndërhyrje të bezdisshme të popujve dhe parlamenteve. / corriere della sera – bota.al

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button