Mund të mjaftojë postimi i prindit të një lojtari të Kombëtares për të kuptuar pak ose shumë se çfarë prapaskenash ndodhin brenda dhomave të zhveshjes së ekipit kombëtar.
Një situatë e akumuluar që me listën e Europianit, ku përzgjedhësi Silvinjo shkaktoi pakënaqësi të mëdha, por në vijim polemikat nuk përfunduan edhe në listat e lojtarëve që u grumbulluan në Ligën e Kombeve apo minutazhi i futbollistëve të caktuar në këto 6 ndeshje që u luajtën dhe deri te deklaratat pas ndeshjes së fundit me Ukrainën. Diçka e tillë u reflektua edhe në rezultatet e Kombëtares, e cila përfundoi e fundit në grup edhe pse dy ndeshjet e fundit i luante në shtëpi dhe si pasojë e kësaj paraqitje jo të mirë, u rrëzua në Ligën C të këtij kompeticioni.
Por, pyetjet që mund të ngrihen për këtë “krisje” dhe raportet e trajnerit me disa lojtarë janë: A ka probleme brenda grupit në ekipin kombëtar të cilat mund të ndikojnë për keq në të ardhmen e shëndetshme të skuadrës? A po menaxhohen si duhet nga trajneri dhe stafi i tij futbollistë të caktuar?
Si është puna me dëmtimet, nëse Uzuni ka luajtur i dëmtuar në ndeshjen me Ukrainën dhe ka sakrifikuar, mund të themi të njëjtën gjë edhe për Jasir Asanin i cili u dëmtua vetëm 3 ditë përpara ndeshjes? Po me Ernest Muçin si është e vërteta, ishte gati fantazisti për të zbritur në fushë duke ditur se mori një dëmtim në stërvitje përpara ndeshjes me Çekinë? Pyetja e fundit që ngrihet: A u rrezikua me këta futbollistë?
Këto përgjigje trajneri duhet t’i japë përpara se të bëhet gati për eliminatoret e Botërorit dhe të jetë më i sinqertë me opinionin sportiv, madje edhe kur përfshin në listë lojtarë të dëmtuar dhe dikush vjen paraqitet në Tiranë dhe dikush tjetër qëndron te klubi i tij. Është e sigurtë që sa më transparente të jemi në këtë pjesë, aq më mirë do të jetë për Kombëtaren shqiptare. (Panorama Sport)