
Nga Auron Tare-
Në fushatën zgjedhore të vitit të kaluar u shfaq një dukuri që do ta kishte bërë të qeshte edhe vete Aristofanin plak. Një vend me plagë të panumërta u bind se armiku më i madh nuk ishte varfëria, as shpopullimi, as pensioni që tretet para se të mbërrijë në xhep, as ujërat që mungojnë e dritat që fiken, por… Bufi.
Ky shpend i heshtur u ngrit në rangun e armikut kombëtar. Për të kënduan rapsodë, për të u thurën vargje, për të u ndezën tribunat. Karvani i fushatës e shëtiti bufin nëpër Shqipëri si dikur mesjeta shëtiste shtrigat. Populli duhej të qeshte, dhe qeshi. Sepse kur politika nuk di të zgjidhë hallet, shpik kukulla të cilat duhen qëlluar me gurë.
Kështu ndodhi që simbol i së keqes nuk u shpall arroganca qeverisëse, por një zog nate, i cili, me sa dimë, nuk ka marrë ende pjesë në asnjë tender publik.
E teksa kjo dalldi kundër bufit të shkretë kishte përfshirë të madh e të vogël që ndiqte karvanin elektoral, askush nuk përpiqej të kuptonte simbolikën e këtij “armiku” të shpikur.
Mirëpo Shqipëria ka edhe njerëz të shkolluar në fushën e ornitologjisë. Të arsimuar në universitete prestigjioze evropiane, ata do të mjaftonin me një shpjegim të thjeshtë, bufi jo vetëm që është një nga shpendët më të dobishëm të natyrës, por ai ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit ekologjik duke u ushqyer me minj, hardhuca, gjarpërinj dhe parazitë të tjerë që ju vene pas karvaneve.
Dhe jo vetëm kaq. Historia dhe mitologjia na mësojnë se Bufi, që në antikitet, ka qenë simbol i mençurisë, dijes dhe gjykimit të drejtë. Nuk është rastësi që Athina, djepi i demokracisë antike, e kishte Bufin simbol të qytetit dhe të perëndeshës Athena.
Edhe romakët e lashtë e lidhën simboliken e Bufit me Minervën, perëndeshën e mençurisë.
Por le të kalojmë te fushata e sotme kundër “korbave dhe sorrave të bulevardit”.
Nga dritaret e pushtetit u hodh sot një tjetër metaforë. Të rinjtë që protestojnë për vendin e tyre u pagëzuan “korba” e “sorra”. Sigurisht Ishte menduar si fyerje. Por fyerjet shpesh kthehen kundër atij që i shpik ne se je mjaftueshem i pa lexuar. Metafora hedhur nga dritarja kryeministrore ndaj të rinjve që prej muajsh protestojnë në mbrojtje të vendit të tyre nga padrejtësitë dhe arroganca e pushtetit mbart një ngarkesë të fortë përçmuese. T’i quash “korba” e “sorra” të rinjtë që kërkojnë një atdhe më të pastër, më të drejtë dhe më të bukur, është një etiketim që, paradoksalisht, mund të kthehet në një kompliment.
Edhe këtë herë duket se metafora është përdorur pa u kuptuar domethënia e saj. Shqipëria, megjithatë, ka specialistë që njohin mirë edhe botën e këtyre shpendëve. Ata do të shpjegonin se korbat dhe sorrat janë ndër shpendët më inteligjentë në natyrë. Ata pastrojnë mjedisin nga kërmat, brejtësit, insektet dhe organizma të tjerë që mund të përhapin sëmundje. Janë pjesë e mekanizmit natyror që mban ekuilibrin e jetës. ne nje fare menyre sanitaret e mjedisit
Edhe në kulturën antike greke dhe romake, korbi dhe sorra kishin një simbolikë të veçantë.
Korbi lidhej me Perendine Apollo dhe konsiderohej simbol i inteligjencës, mençurisë dhe profecisë. Edhe Sorra shihej si një lajmëtare, një ndërmjetëse mes botës njerëzore dhe asaj hyjnore, që paralajmëronte ndryshime të mëdha.
Po kështu në fenë islame, Korbi përmendet në Kuran, (Sureja El-Maide) ku atij i jepet atributi i një mësuesi ndaj njeriut dhe që sjell mënçurinë e Perëndisë.
Ndërkohë në mësimet e lashta hebraike ( të cilat janë në modë sot). Korbi përmendet shpesh në intepretime të ndryshme duke filluar si shpendi i preferuar i Noes i cili e dërgoi atë për të parë se ckishte mbetur pas përmbytjes së madhe.
Prandaj për të gjitha këto, ndoshta do të ishte me vend që të gjithë ata që mbushin përditë topat e propagandës kundër protestuesve të njihnin më parë kuptimin e metaforave që përdorin. Sepse korbat dhe sorrat nuk janë shpendë “të këqij” sic duan ti njollosin. Në traditën kulturore dhe në natyrë ato janë simbole të zgjuarsisë, të pastrimit dhe, sipas besimeve të lashta, edhe lajmëtarë të Ndryshimeve të Mëdha.
Natyrisht, për ata që u besojnë ende profecive.



