
Nga Dashnor Kokonozi-
Fillimin e përvitshem të kurseve universitare të filozofisë e pres me kënaqësi. Nisin rregullisht në muajin nëntor dhe janë të hapura për publikun.
I ndjek prej më shumë se 20 vjetësh.
Krahas tyre, edhe bisedat e gjalla e të hapura të një organizimi tjetër, të quajtur “Caféphilo”, që zhvillohen në disa kafé të caktuara të qytetit, plotësojnë mjaft mirë aspektet “teorike” të kurseve universitare.
Megjithatë, këto të fundit ndonjëhere shndërrohen në debate politike. Pavarësisht kësaj, më pëlqen t’i ndjek, por gjithmonë u rri larg tavolinave të para, ku mund të ndodhte ndonjë takim i padëshiruar me ndonjë filxhan kafeje që po fluturon andej në qejf të tij.
Zakonisht kufizohem me mbajtjen e shënimeve. Ftohen filozofët më të mëdhenj të kohës dhe njohësit më të mirë të sistemeve dhe domeneve të caktuara të filozofisë. I ndjek për kënaqësinë time dhe, mbi të gjitha, për të kapur fillin e evolucionit të ideve filozofike të ditëve tona.
Kujtoj me kënaqësi një ditë, rreth 10–15 vjet më parë, kur po hanim drekë në restorantin e punës, nga ekrani i televizorit, presidenti i kohës, Nicolas Sarkozy, foli për nevojën e njohjes së mendimit bashkëkohor filozofik francez dhe veçanërisht ngriti lart figurën e Edgar Morin-it. Vura re se disa kolegë e dëgjonin për herë të parë emrin e tij. Me atë rast, me modestinë time shembellore për të mos i vënë në pozitë të pakëndshme, u bëra një paraqitje të shkurtër të opusit të mendimit të filozofit të shquar francez, të cilin vite më parë e kisha ndjekur në konferencat që mbante.
Nuk mund të mos kujtoj se, dikur për brezin tim, leksionet e filozofisë, kuptohet, marksiste, ishin shprehje e mendimit dogmatik. Detyra jonë ishte t’i gëlltisnim ashtu siç i kishin paketuar pedagogët e përgatitur në Moskë.
Shtoj së fundi se kurse të tilla filozofie të universiteteve popullore kurrë nuk do të kishin suksesin që kanë, po qe se në sistemin shkollor frances filozofia nuk do të ishte e pranishme si lëndë kryesore që në shkollat e mesme.
Me shumë interes do të qe të futej edhe ne sistem e arsimit shqiptar! Mbase do t’i largoheshim disi shkretetirës së mendimit filozofik në aerealin shqiptar. Me zbehjen e ndikimit fetar, filozofinë e shoh edhe si spiritualitet laik që do të plotësoje vendin e lënë bosh!
Po, kujt i thua?
Sa ka ende diçka për të vjedhur nuk mendon njeri për këto punë.



