
Nga Endrit Marku-
Duke e parë Odisenë u përballa me një tregim familjar, që ngjason shumë me rrëfimet e eposit tonë dhe, supozoj, edhe me ato të fqinjëve ballkanikë. Pashë rrugëtimin e një njeriu të munduar nga pesha e besës së shkelur ndaj kanunit e, për rrjedhojë ndaj Zotit, dhe besës së dhënë ndaj njeriut më të dashur e familjes. Odiseu është edhe Konstandini, edhe Gjergj Elez Alia, por përveç brengave të njeriut mbart mbi supe edhe ato të njerëzimit. Tipari i fundit e bën tregimin universal.
Besa ndaj njerëzimit
Qytetërimin e mbajnë në këmbë drejtësia, morali dhe besimi tek to. Madje edhe në luftë duhet të ketë nder. Qytetet, e bashkë me to edhe progresi, ekzistojnë për aq kohë sa shtëpitë tona mund të ngrihen krah njëra tjetrës, të sigurta se fqinji nuk do të na i vjedhë apo djegë pabesisht. Shtëpia mund të jetë vetë qyteti, banesa, por edhe besimi, mendja, ndërgjegjja dhe botëkuptimi ynë. Nëse besimi thyhet, shoqëria shembet në anarki. Duke ndërtuar kalin dhe duke e marrë Trojën tinëzisht, inteligjenca njerëzore ndahet nga morali dhe Odiseu tradhton vetë njerëzimin.
Besa ndaj familjes
Ashtu si Konstandini me Dorontinën, që i premton nënës se një ditë do t’ia sjellë të bijën në shtëpi, edhe Odiseu nuk mund ta shkelë premtimin që e shoqja ia rrëmben në prag të ndarjes. I duhet të zbresë në ferr, fjalë për fjalë, që të mund të kthehet tek ajo. Besëthyesi i njerëzimit duhet ta vuajë dënimin e tij që të mos jetë më i tillë. Ai ia del. Në fund arrin të mos e tradhtojë edhe besimin e familjes së tij. Kjo ka rëndësi, pasi familja është thelbi. Aty është gjeneza e vlerave mbi modelin e të cilave lindi dhe mund të rilindë qytetërimi. Ndërkohë që filmi akuzohet për të ashtuquajturin “wokism”, tregimi i Nolanit ngjan thellësisht tradicional.
Shëlbimi i heroit
Rrëfimi në tërësi zhvillohet rreth dëshirës për t’u kthyer në shtëpinë e parë, në Itakë. Kjo dëshirë bëhet edhe më e rëndë prej vonesave shumëvjeçare. Mospërmbushja zëvendësohet nga ndëshkimi që Odiseu ia ndjell vetes, pasi ndjenja e fajit për Trojën e tradhtuar, të dhunuar dhe të djegur prej tij është e papërballueshme. Pabesia ndaj saj është njëkohësisht tradhti edhe ndaj Itakës. Tragjedia që zhvillohet ndërmjet është e vetmja mënyrë për të mbushur hendekun mes dy botëve dhe për të bërë të mundur një fillim tjetër.
Një rifillim, pasi mbarim nuk ka. Heroi veçse e prek Itakën. Ai merr shpagimin duke ripërsëritur tradhtinë ndaj rendit të vjetër, ndaj kanunit të Zeusit edhe në Itakë. Ribashkohet me të dashurën, por ishulli nuk është më shtëpia e tij. Në gjithë botën e njohur nuk ka më një vend ku mund të kthehet. Rendi i vjetër është krisur në Trojë dhe shembet përfundimisht në Itakë. Shtëpia nuk është vend, por pjesë e rendit moral që zhbëhet kur njerëzimi bëhet bashkëfajtor në shkatërrimin e shtëpive të njëri tjetrit.
Itaka e Nolanit kthehet në pikë mbështetjeje mes së shkuarës dhe së nesërmes, mes Trojës dhe Perëndimit. Heroi vazhdon të lundrojë në ndjekje të perëndimeve. Por ky udhëtim ndryshon nga i pari. Pasi la Trojën ai besonte se e dinte destinacionin. Ndërsa këtë herë ai di rrugën.
Rrëfimi zanor
Filmi i Nolanit nuk mund të kuptohet pa pjesën dëgjimore, pa kolonën zanore, pa tingujt, qofshin ato zhurmat e kockave të itakasve nën përtypjet e Polifemit, dy zërat e Agamemnonit apo motivet muzikore që shoqërojnë çdo skenë. Muzika është thelbësore. Si rrallëherë në një film, ajo nuk resht për asnjë çast. Ajo bëhet sa shqetësuese aq dhe e domosdoshme, pasi i gjithë filmi ngjan me një gjendje jermi. Nolani rikrijon atmosferën e pjesëve kulmore të Interstellar, ku heroit i duhet të komunikojë me të shkuarën brenda hapësirës ndërdimensionale të vrimës së zezë. Të njëjtën ndjesi e shtrin përgjatë gjithë kohëzgjatjes së Odisesë. Për këtë arsye filmi është i mbingarkuar dhe muzika plotëson vazhdimisht hapësirën mes kujtesës dhe realitetit, mes Odiseut të përgjumur që dëshiron të heqë dorë dhe heroit që duhet të zgjohet, i tërhequr nga forca e pashtershme e premtimit.
Tingujt tanë
Në këtë kontekst, fyelli, dhe më duhet të përmend edhe një pasazh shumë të shkurtër që m’u duk si një iso polifonike, kanë rëndësinë e tyre. Në film ata përdoren për të evokuar ndjesinë e vendlindjes. Jo të familjes apo të brendisë të shtëpisë, por jashtësinë, peizazhin, kullotat, gurët dhe shokët e dikurshëm.
Kjo zgjedhje nuk është e rastësishme. Vështirë se ka diçka që e përcjell më pastër ndjesinë e Mesdheut ballkanik sesa dridhja e thatë e polifonisë apo fryma e fyellit, si imitime arkaike të fenomeneve parësore të natyrës, të detit që përplaset në breg dhe të erës që fryn në shkëmbinj.
Arkitektura
Ndërtimet në film kanë një madhështi primitive. Ato i përkasin një bote njëherazi racionale dhe të ashpër. Pallatet e Trojës dhe Itakës ngjajnë me arkitekturën e Minecraft-it, kuboide të glorifikuara që i përkasin një shoqërie e cila ende nuk ka zbuluar zbutjet dhe stërhollimet e harkut.
I vetmi element i huaj mes ngurtësisë së këtij peizazhi artificial është kali. Sinuoz dhe dinamik, ai është një shfaqje baroke brenda asaj bote të lashtë. Ai është fara e të menduarit dredharak që do të zhbëjë strukturën e sheshtë, sa të drejtë aq edhe trashanike, të rendit ekzistues.
Dredhia, konceptuale dhe formale, e kalit përmban mendimin e ri. Duke tradhtuar botën e vjetër, ai përgatit terrenin për të renë.
Sofistikimi i tij është i tillë sa arrin të shohë edhe brenda vetes. Kali është njëkohësisht objekt dhe hapësirë. Ai mahnit me pamjen e jashtme, por të vërtetën e fsheh në brendësi. Në barkun e tij qëndrojnë ushtarët e ndotur që do të djegin Trojën, por edhe bartësi i mendimit që do të nisë udhëtimin katartik drejt rendit të radhës.
Në fund
Odisea e Nolanit është më shumë se historia e një njeriu që kërkon të kthehet në shtëpi. Është historia e një njeriu që përpiqet të bëhet sërish i denjë për të, sepse nuk mund të kthehet pa rindërtuar themelet e rendit moral që e bën kthimin të mundur.
Këtu bashkohen të gjitha fijet e rrëfimit. Besa ndaj qytetërimit, Besa ndaj familjes, Kali, Troja, Itaka, kolona zanore dhe arkitektura. Së bashku thonë se qytetërimi nuk ndërtohet mbi fitoren, por mbi besimin. Sepse shtëpia nuk është vendi ku mbërrin, por rendi moral që e bën kthimin të mundur. Çdo fitore e arritur duke e tradhtuar atë, sado e lavdishme, e lë heroin pa një shtëpi ku të mund të kthehet.
Tiranë, Korrik, 2026



