BlogKryesore

Nje shtet telefoni dhe jo ligjesh!

Nga Çapajev Gjokutaj-

‘Filozofoj’ sabah sabah ndërkohë që po surb një kafe lëng gështenjash
Aparati po bënte xhibla ndaj dola ta pija kafen e mëngjezit në ndonjë nga lokalet rrotull. Hyra e dola në tri prej tyre, të tria me ajër të kondicionuar, por ç’e do: kutërbonin duhan si mejhanet qëmoti. M’u desh të kthehesha rruarqethur e të bëja një kafe turke, që më doli si lëng gështënjash.
Si për të shtuar pakënaqësinë m’u ndërmend odiseja e ligjit që ndalon pirjen e duhanit në ambjente publike të mbyllura. Ka mbi mbase 20 vjet që është dekretuar. Pasi ndenji në sirtar goxha kohë, me trysni nga lart e mobilizim nga poshtë arriti të bëhej edhe funksional. Tani me sa duket ka nisur të ligështohet, të paktën në kafenetë e periferisë.
Si shoqëri kemi një marrëdhenie të çuditshme me ligjin, marrdhënie që ka krijuar edhe aforizmin: ligji është si pema, nuk kapërcehet por anashkalohet.
Po të qe me letra e me ligj do e kishim bërë shtetin këtu e një shekull më parë. Fakti është që sot e kësaj dite e kemi rakitik.
Mbase për këtë ka ndihmuar zakoni që mbi ligjin të vësh maliqin. Ky maliqi mund të jetë kryeministër, ministër, drejtor a shef që synon të zgjidhë çdo gjë duke urdhëruar vartësit dhe jo duke i drejtuar të bëjnë punën sipas kompetencave e detyrimeve që kanë.
Ndërtohet kështu një shtet telefoni që funksionon mbi bazën e urdhrave dhe jo mbi parime institucionale. Funksionimi maliqçe nuk zgjidh hallet me radhë e me rregull, por i jep jetë praktikës ‘bëj atë e ler këtë’.
Drejtimi maliqçe ka edhe një kusur tjetër: u mbush mendjen shefave se janë vet zot e vet shkop, i bën të dehen nga pushteti dhe si gjithë të dehurit të bëjnë lloj lloj zullumesh, duke nisur nga korrupsioni, nepotizmi etj. e duke ardhur tek megallomania e arroganca.
Gjithsesi maliqët janë vetëm njera anë e problemit. Ana tjetër duket se jemi ne që bëjmë sehir e qahemi, mbyllim një sy ndaj kundravajtësve, nuk bëjmë trysni që institucionet të funksionojnë siç duhet e të bëjnë atë për të cilën i paguajmë me taksat tona. Nuk po hyj te fakti që, mos qoftë e thënë, po rrallë e tek e dëndur e shkelim vetë ligjin.
Në çdo rast harxhet i paguan populli, dmth ne. Rasti më emblematik për të vërtetuar këtë janë qeset plastike. Para ca kohësh ata sipër ndërmorën një ‘aksion me goditje të përqendruar’ për të zëvendësuar qeset plastike me qese letre, të cilat andej e tëhu nisën të paguheshin.
Muajt e parë duket se funksionoi, po tani jemi ku ishim: mbizotrojnë qeset plastike siç mbizotronin dhe dikur. Me qar doli biznesi që tanimë shet qeset plastike, një mall që dikur e jepte falas, me zarar mjedisi dhe blerësit. Ç’bënë 20 qindarka më shumë do të thuash, po përgjigjen mund të ta japin një masë jo e vogël që jetojnë me ndihmë ekonomike dhe pensione kooperativash.
Pse vall nuk zënë rrënjë këto ligje e vendime që në botën e qytetruar janë kthyer në zakon? Shkaqet mund të jenë të shumta, i them vetes ndërkohë që po surb kafen lëng gështenjash. S’të jep kurrfarë kënaqësie përveç faktit që të nxitka të filozofosh…

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button