Nga Orest Çipa
Mania, babëzia, shfrenimi emocional i një “çetë” turistësh për të fotografuar pa pushim femijët dhe pleqtë e fshatit, të cilët mbushin ujë tek çezma, në qafë, më ngacmoi, më irritoi, më la një shije e cila ma trubulloi gjithë ditën.
Ma vrenjti ballin nga pakuptimësia e kontrastit që iku pa u perceptuar!
Ky “atentat” vazhdoi me një breshëri shkrepjesh për disa minuta! Doja shumë t’jua shpjegoja udhëtarëve që kishin ardhur në këto anë, miqve, fenomenin e rradhëve të ujit në muajt korrik-gusht.
Por ata ikën më shpejt seç e mendova unë!
Me vete nisa të bluaj disa mendime akute, lidhur me këtë ngjarje e cila është shpeshtuar me kalimin e viteve. Shqipëria si Europa !
– Vallë, a mbajnë mend gjë turistët nga ajo që fotografuan?
A e dinë ata sa gjatë kalohet në pritje për të mbushur një bidon një litrosh?
A e dinë ata se ndonjherë të pickon dhe grerëza në behar?
A e dinë ata se këtu të than murrëri në dimër?
E,
Meqë,
nuk munda t’jua shpjegoja pak këtë merselen e dhimbshme të ujit, “hipotetikisht” si shkrepetima e rrufese në qiell të hapur, po ju shkruaj turistëve të ikur (por edhe atyre në ardhje) me shpresën se një ditë do më mbajnë vesh!
Në fshatin tim nuk ka shumë ujë, prandaj ka vetëm një çezëm.
Në Pilur, uji ka qënë i munguar… por gryka e fshatarëve s’ka qenë asnjëherë e tharrë!
Në fshatin tim nuk ka shumë ujë, por nga kjo rubinetë, kanë mbajtur frymën gjallë për disa dekada rreth 150-të shtëpi.
Burrimet janë në mal. Thuhet se rezervuarët dhe puset e ujit mbushen sa herë vetëtin e bubullinë Çipthi!
Në fshatin tim, uji është shumë i rrallë… por etjen, mesa duket e ka shuar prezenca e detit që shtrihet gjerë e gjatë në të gjithë hapesirën përkundruall!
Sa për çezmën, tubacioni i kohës së komunizmit e ka sjelle ujin në qendër të fshatit. Në krahë të shtëpsë së kulturës, ndoshta jo pa arsye! Uji dhe kultura shkojnë bashkë! (Tani vone, është rindërtuar çezma e re).
Në behar.
Nga fëmijëria më kujtohen rradhët e pritjes së ujit në periudhën e verës. Kishte raste që mezi prisnim të çoheshim herët në mëngjes dhe të ishim të parët në rradhë, pasi uji ishte i ftohtë dhe kishte me bollëk. Nëse cohesh vone, ishte shumë pa fat, rradha të kapte deri vone.
Mesdita dhe pasditja ishte tmerr!
Më kujtohet kur numëronim pikat e ujit (aty ndoshta kam mësuar dhe të numëroj). Më kujtohet kur nga padurimi fëminor ziheshim si femijë njëri me tjerin, ziheshim e griheshim, por të nesërmen ishim shokë. Vapa ishte shumë e nxehtë dhe bëhej shumë më e nxehtë kur aty pranë, kalonte ndonjë nga ato plakat e fshatit dhe të hidhej në qafë për të të puthur. Të rrufisnin fare ! …E kisha humbur rradhën disa herë për këtë arsye ( atëherë kish dashuri mes njerëzish dhe respekt).
Rradha lirohej nëse vinte dikush me kafshë dhe kafsha donte të pinte. Rradha lirohej, nëse fëmijët donin të pinin apo ndonjë arsye të llogjikshme. Kish nga ato herë që çobanët hapnin ujin në mal dhe ne si fëmijë thithnim llastikun për të pirë ndonjë gllënjkë ujë.
Nuk e di pse, por në rradhë gjithnjë ishin fëmijë, gra dhe plaka. Në Pilur nuk mbushnin ujë burrat!
Tek çezma, përballë ishte një murr i lartë dhe një fik sipër tij . Aty bëhej kalvari si në Kakavije!
Nga ora 8-të deri në orën 10-të të mëngjesit, gratë dhe plakat merreshin me thashetheme ndërsa ne fëmija, kapnim ndonjë zhapë (bretkosë) dhe e sillnim vërdallë.
Gratë kishin lezetin e tyre dhe fëmijët kishin të tyre, dhe plakat po ashtu…
Jeta gjallëronte kur kishte pak !
Në dimër.
Ka ujë shumë.
Ka erë shumë.
I ftohtit të futet deri në palcë.
Ka nga ato ditë që ngrijnë tubat e ujit dhe çezma nuk hedh asgjë . Kjo periudhë është shumë e hidhur. Kushdo që mbush ujë,… duhet të jetë shumë Pilurjot !
Kujtimet dhe mendimit lidhur me turistat dhe çezmën nuk kishin të sosur, ishin bërë lëmsh!
Dikur, kur uleshe për kafe tek rrapi, të servirnin ujë fshati, falas ! Ndërsa sot duhet të blesh bidonin i cili vjen nga fabrikat e shteteve fqinje!
E rimendova dhe një herë atë revoltën time të brendshme dhe thashë me vete: “S’kanë faj turistët që bëjnë foto tek çezma e ja mbathin me aparate mbi shpinë andej nga kanë ardhur” !
Ndoshta një ditë do vijnë turistë pa aparate por çezma s’do jetë më aty.
Gratë plakat dhe fëmijët s’do jenë më bashkë (siç ju ka “lezet“),… tek radhët e ujit…