Aktualitet/LajmeBlogKryesoreKultureNdodhiOpinions

Një kujtim me Ismail Kadarenë

Nga Evarist Beqiri

Sot kujtojmë me respekt dhe mirënjohje Ismail Kadarenë. Pata privilegjin që ta takoja disa herë përgjatë vitit 2022. Bisedat tona nuk ishin vetëm për letërsinë, por edhe për historinë, shtetin shqiptar dhe sfidat e kohës sonë. Ishin takime nga të cilat mësoje më shumë duke dëgjuar sesa duke folur.

Gjatë njërit prej këtyre takimeve i paraqita përmbledhtazi idenë dhe përmbajtjen e librit tim. Folëm për rëndësinë e simboleve të identitetit tonë kombëtar.

Kam një mirënjohje të veçantë ndaj tij, sepse ai e vlerësoi me fjalë bujare librin. Ky është një nga nderimet më të mëdha të jetës sime. Fjalët e tij i kemi regjistruar edhe me zërin e tij të ngrohtë e kumbues:

“Ismail Qemali është quajtur vetvetiu THEMELUESI nga populli shqiptar. Figura e tij tregon se kombi shqiptar ka themele, ka bazë ku të rritet. Libri ‘Themeluesi’, i shkruar nga studiuesi Evarist Beqiri, vjen si një nevojë dhe si një domosdoshmëri për të riafirmuar Ismail Qemalin dhe kombin shqiptar. Një komb ka nevojë për riafirmime të herëpashershme dhe ky libër për Ismail Qemalin tregon se ai është një popull që do të riafirmohet si komb dhe do ta arrijë këtë gjë padyshim.”

Po Ismail Kadare i dha edhe titullin librit, “Themeluesi”.

Në një nga bisedat tona e pyeta se si e shihte politikën shqiptare të ditëve tona. Përgjigjja e tij ishte e shkurtër, por plot zhgënjim. Më la të kuptoja se nuk shihte te aktorët politikë lidershipin dhe vizionin që kërkonte e ardhmja e Shqipërisë. Këto fjalë të tij duhet që të na shërbejnë sot e gjithë ditën, si një testament për Shqipërinë, që gjendet tanimë në një udhëkryq historik.

Sot ai nuk gjendet më fizikisht mes nesh. Por vepra e tij, mendimi i tij dhe dashuria e tij për Shqipërinë do të mbeten pjesë e përhershme e ndërgjegjes sonë kombëtare.

Ismail Kadare i dha letërsisë shqipe një dimension universal. Ai i dha Shqipërisë një zë që u dëgjua në botën mbarë. Ai dëshmoi se një komb i vogël mund të krijojë vepra të mëdha.

Fotografitë me të mbeten për mua një kujtim tepër i çmuar, me një njeri që me penën e tij i dha pavdekësi historisë, kujtesës dhe identitetit tonë kombëtar. Një kujtim i përjetshëm me një nga mendjet më të jashtëzakonshme që ka nxjerrë kombi shqiptar.

Lavdi veprës së Ismail Kadaresë. Kujtimi i tij do të jetojë për sa kohë do të jetojë gjuha shqipe. Vepra e tij do të mbetet e pavdekshme, ashtu si dashuria e tij për Shqipërinë.

 

 

Artikuj të lidhur

Back to top button