
Dashnor Kokonozi-
U shkëput nga nxënësit e saj me të cilët kishte ardhur në atë takim letrar dhe më tha se kishte vendosur me çdo kushte të më tregonte se sa shumë kisha ndikuar unë në jetën e saj profesionale si gazetare e një Radioje për shumë vite.
Më tha se më kujtonte që nga fëmijënija e saj me zerin tim pak të ngjirur e të ngadaltë në kronikat e mëngjesit, që ajo kurrë nuk ikte në shkollë pa i dëgjuar deri në fund. Më foli për mënyrën si i formuloja lajmet dhe teknikën që i qasesha temave të kohës.
Bah, sa m’u bë qejfi.
Po përjetoja vërtet çaste kënaqësie e nostalgjie profesionale të punës sime si gazetar i Radios kombëtare deri më 1990 kur dhashë dorëheqjen dhe iu bashkëngjita shtypit të opozitës duke shpresuar se dikur do të kisha ç’ti them nipit tim kur të më pyeste “Ku ishe i Adam?”
Pastaj u shkunda i gjithi dhe dola nga ajo gjendje jermi sa të lavdishëm e nostalgjik po aq edhe idiot!
Ti i thashë vetes, shpresoj se nuk je çmendur ende! Dhe kisha të drejtë ta pyes se unë kurrë nuk kam folur mëngjeseve në Radio, kurrë nuk kam bërë kronika, kurrë nuk kam formuluar lajme apo transmetuar intervista informative.
Punën si “radist” siç talleshim nganjëherë, e kam filluar si përgatitës i emisionit Universiteti Popullor i Radios, që transmetohej natën. Po natën transmetohej edhe emisioni tjetër “Udhëtim nëpër botë” që ishte interesant sa kohë na sillnin revistën National Geographic”, Me Kolegun Xhelil Aliu kemi përgatitur “Teatrin në mikrofon” edhe që edhe ai transmetohej në orët e vona. Më gjatë jam marrë me një emision kuturor që sillte të reja nga studiot e piktorve, siç ishte edhe rasti i kësaj fotoje me piktorin Agim Faja. (me një UHER 8 kg. në qafë!)
Atëherë pse m’u bë qejfi aq shumë tek akaparova “lavdinë” e një tjetri, qoftë edhe për disa çaste sa i thashë të vërtetën?
Nuk e di. Por po t’i besojmë idesë së “akteve të munguara të Freud-it” kjo është shenjë se fshehurazi vuajmë për protagonizëm. Duam, lavdi, na pëlqen që njerzit të kthejnë kokën kur kalojmë ne!
Mua më zgjati vetëm nja tre minuta dhe dua të besoj se është në kufijtë e pranueshëm (pêr moshën: -)).
Por shpesh dua të kuptoj në cilin dimension jetojnë politikanët me mallëngjimin e tyre si një “troftë në agoni”, tek shohin turmat e eksituara që u duartrokasin përpara?
Dhe që kjo gjendje u zgjat, katër, tetë, dymbëdhjetë e me gjasa, akoma më shumë vite…?
Eshtë rasti për t’i kuptuar dhe mëshiruar!