
Nga Ermal Peçi
Në politikë ka një moment kur rregullat krijohen për të vendosur standarde, dhe një moment tjetër kur rregullat rishkruhen për të shpëtuar autorët e tyre. Partia Demokratike duket se po kalon pikërisht nga momenti i parë tek i dyti: nga “neni Basha” drejt një realiteti të ri që, me pak ironi, mund të quhet “neni Berisha”.
Dikur u shpall me bujë një parim që dukej si një hap drejt një politike më moderne: kryetari i partisë duhet të largohet nëse humb zgjedhjet parlamentare. Ky ishte “neni Basha”, një ide që synonte të sillte një standard përgjegjësie në një politikë shqiptare që historikisht ka qenë alergjike ndaj dorëheqjeve.
Ironia qëndron në faktin se ky nen nuk lindi si shpikje personale e Lulzim Bashës. Ai u fut në statut në periudhën kur Partia Demokratike nisi përplasjet e saj dhe Sali Berisha zhvilloi foltoret e famshme, me qëllim të krijonte një rregull përgjegjësie për drejtimin e partisë. Pra, në një farë mënyre, “neni Basha” mban një emër të gabuar: është një parim i lindur në epokën e Berishës, por që sot duket se po bëhet pengesë për të.
Sot, ky nen duket sikur është shndërruar në një problem teknik që duhet “rishikuar”. Jo sepse është i gabuar në parim, por sepse fillon të vlejë edhe për ata që e kanë promovuar vetë.
Kështu, Partia Demokratike është futur në një proces rishikimi statuti që, më shumë se reformë institucionale, ngjan me një operacion kirurgjik për të shpëtuar një lider nga rregullat që dikur i shpalli si standard moral.
Niccolo Machiavelli thoshte se politika është arti i ruajtjes së pushtetit. Por edhe Machiavelli ndoshta do të habitej nga kreativiteti me të cilin politika shqiptare arrin të rishkruajë rregullat për të ruajtur jo pushtetin ndaj kundërshtarit, por pushtetin brenda partisë.
Paradoksi bëhet edhe më i thellë kur shikohen shifrat politike. Në zgjedhjet e vitit 2021, kur Partia Demokratike drejtohej nga Lulzim Basha, diferenca me Edi Ramën ishte e vogël, por e djathta mbeti një bllok relativisht i bashkuar. Sot, pas rikthimit në krye të partisë të Sali Berisha, opozita jo vetëm që nuk është bashkuar, por është fragmentuar më shumë se kurrë.
Në aspektin elektoral, situata është edhe më e rëndë: Partia Demokratike rezulton me rreth minus 300 mijë vota më pak se në vitin 2021. Diferenca me qeverinë e Ramës po thellohet dhe opozita nën drejtimin e Berishës nuk ka arritur të bashkojë forcat e djathta; madje, shumë prej bashkëpunëtorë të tij po largohen, se nuk po shikojnë shpresë për të ardhmen politike.
Ka edhe një element tjetër që shpjegon këmbënguljen e Sali Berishës për të mbajtur drejtimin e partisë: përballja me drejtësinë. Hetimet dhe akuzat nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e kanë zhvendosur betejën e tij politike edhe në një dimension personal dhe juridik. Në këtë kontekst, drejtimi i partisë nuk është vetëm një pozicion politik, por edhe një platformë mbrojtjeje dhe ndikimi në opinionin publik.
Kjo e bën situatën edhe më paradoksale: një parti që duhet të ndërtojë një alternativë për qeverisjen e vendit rrezikon të shndërrohet në një instrument për betejat personale të liderit të saj.
Siç shprehej Alexis de Tocqueville, se: institucionet demokratike dobësohen kur ato identifikohen plotësisht me një individ. Pikërisht ky është rreziku që po përjeton sot opozita shqiptare.
Problemi nuk është vetëm humbja e votave. Problemi është se një parti që dikur pretendonte të ishte alternativa e pushtetit sot duket e përqendruar më shumë në ruajtjen e lidershipit sesa në ndërtimin e një strategjie për të fituar pushtetin.
Historia e politikës tregon se partitë humbasin zgjedhjet për shumë arsye. Por ka një arsye që i dobëson më shumë se të gjitha: kur lideri vendos të mos largohet kurrë, edhe kur votat po largohen çdo ditë. Kjo është pikërisht dilema që sot rëndon mbi figurën e Sali Berishës.



