Aktualitet/LajmeKryesoreNdodhi

Nga banakierja e Don Boskos te kamarieri i Memaliajt dhe kalimtarja në Shkodër, viktimat e pafajshme të krimit në Shqipëri

Ngjarjet kriminale të ndodhura gjatë 2 viteve të fundit kanë tronditur mbarë opinionin publik.

Rasti më i fundit ishte ai ditën e djeshme në Dobraç të Shkodrës ku u qëllua me breshëri plumbash ndaj automjetit ku ndodheshin Hamza Lici dhe Arlind Bushati, të cilët humbën jetën.

Një ngjarje e tillë la pas dhe një viktimë të pafajshme, kalimtare të rastit

Flutura Basha humbi jetën teksa së bashku me bashkëshortin e saj po ktheheshin në shtëpi me motor. Ata janë përplasur nga makina ku ndodheshin Arlind Bushati dhe Hamza Lici.

Gruaja ka ndërruar jetë menjëherë në vend ndërsa bashkëshorti i saj Bashkim Basha po lufton për jetën në spital.

Po ky nuk është rasti i vetëm ku krimi prek të pafajshmit.

Vrasja e kamarierit Gledio Muka dhe klienti, Marsel Çela

Një tjetër ngjarje që tronditi opinionin publik ishte ajo e ndodhur mbrëmjen e 21 korrikut 2024 në një lokal në Memaliaj, ku mbetën të vrarë Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, kamarieri Gledio Muka dhe klienti Marsel Çela.

Siç u mësua më pas, shënjestër e atentatit ishte Shyqyri Kalemi, por krahas tij plumbat nuk falën as Gledio Mukën që punonte për bukën e gojës dhe as klientin e lokalit i cili kishte zgjedhur që atë mbrëmje të ngrohtë korriku ta kalonte jashtë shtëpisë, deri në orët e vona.

Vrasja e banakieres Mimoza Pajës në Don Bosko:

E ndodhur në vendin dhe kohën e gabuar, ishte edhe banakierja Mimoza Paja në një lokal në Don Bosko.

Atentati i Don Boskos, në Tiranë, ka ndodhur më 12 marsin të vitit 2023 ku një grua u qëllua me breshëri kallashnikovi nga një automjet në lëvizje dhe 58-vjeçarja Mimoza Paja ishte në vendin e saj të punës kur iu mor jeta pabesisht. Nga kjo ngjarje nuk u kursye as mbesa e saj e mitur e cila mori lëndime nga thyerja e xhamave. Ndërsa 5 persona të tjerë morën plagë në pjesë të ndryshme të trupit nga plumbat, por fatmirësisht nuk rezultuan në fatalitet. Atë pasdite të 12 marsit u qëllua me breshëri plumbash lokali i Fatjon Muratit, person i shumëkërkuar nga autoritetet. Ky i fundit është një personazh i njohur për policinë. Fatjon Murati dyshohet i përfshirë në masakrën e Fushë Krujës u ekzekutuan Brilant Martinaj, Besmir Haxhia dhe Diklen Vata. Gjithashtu, Fatjon Murati ka qenë i dënuar për armëmbajtje dhe posedim të municioneve pa leje. Prokuroria e Tiranës i ka sekuestruar Fatjon Muratit një pasuri me vlerë 5 mln euro.

Vrasja e Enea Thomaraj në Elbasan

29-vjeçari Enea Thomaraj  u plagos rëndë nga tritoli që u vendos në banesën e dy motrave Nikolli, më 14 korrik pasi Giovana Nikolli iu drejtua me një video Nuredin Dumanit. Banesa e Themollarit ishte ngjitur me banesën e motrave Nikolli në pallatin ku jetonin.

Pas gati muaj në koma, më 4 tetor ai ndërroi jetë nga plagët e marra. 29-vjeçari nuk kishte asnjë lidhje me motrat Nikolli apo me botën e krimit. Ishte një njeri që punonte për të mbajtur familjen e tij dhe humbi jetën pas tritolit që u shpërthye ngjitur me derën e banesës.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button