Blog

NË PEISAZHIN ONIRIK DHE SURREAL “PËR TY, AMERIKË” TË POETES EMI KROSI

NGA ANGELA KOSTA
1. Që në fillim të vargjeve të strofës së parë të poemës “PËR TY, AMERIKË”, shkruar nga autorja Emi Krosi, ndodhemi në një peizazh surreal, onirik ku horizonti shkrihet me imazhe të mbushura me metafora: “albinët e tokës së indianëve të kuq” ndoshta i referohen pranive njerëzore ose shpirtërore të përhumbura në kohëra dhe hapësira.
“Retë si kalorës vrapojnë ujdhesave të qiellit”,
sugjerojnë një lëvizje epike dhe misterioze.
“Se ledhet e plakura të ullinjve / grisin planete me thonj”, paraqesin për lexuesin një univers në kaos të plotë, pothuajse kontradiktor.
“Mbi tokën e shkretë të Eliotit”, autorja na lidh me poetikën moderne (ashtu si e gjithë poema), duke evidenciuar ndjenjën e rrënimit dhe vetmisë. E gjithë poema, është tejet e pasur me vizione të fuqishme kozmike, midis mitologjisë, natyrës dhe vetë ekzistencës sonë.
Teksa përshkon vargjet, autorja lëviz dhe përkundet mes vizioneve reale e/ose atyre galaktike, pikturon peisazhin meditues dhe universal të cilin e shpie tek çdokush lexues, që do të ketë fatin ta lexojë këtë poemë.
Horizonti gri që derdhet përtej Atlantikut është humbja e identitetit së autores në fjalë, në një vend të panjohur, ku edhe vetë kufijtë mbesin pa kufij. “Vitheve të murgjashë të tokës së indianëve të kuq,” përziejnë njerëz, raca dhe kujtime epokash historike, në një pasqyrim që na rikujton kolonizimin dhe ngjarjet e atyre kohërave, të cilat, megjithëse jo të perceptuara nga çdokush, kanë ekzistuar sidoqoftë jo shumë larg nga era jonë.
“Retë, si kalorës”, sjellin dinamizëm në “qiejt-ishuj”, ndërsa “planetët” dhe koha që çalon – me paterica – na japin shumë qartë vizionin e plotë e tashmë të degraduar të planetit tonë.
Shkretëtira (Eliot) nxjerr në pah ndjenjën e thellë të zbrazëtisë dhe zhgënjimit. Shpesh, autorja Krosi evokon hënën (e bën këtë, në disa strofa të poemës), me “lulesat e limonëve” dhe “planetët me thonj”, të cilët krijojnë një atmosferë po aq të mrekullueshme dhe magjepsëse, por, po ashtu edhe disi të trazuar, (shpesh të çakorduar do të shtoja), ku natyra dhe universi duken sikur janë në luftë mes njëri-tjetrit, të fundosur në turbullirën ku ndodhet njerëzimi i tërë.
Poema na zhyt në vargje kulturore dhe poetike me profesionalizëm të lartë dhe thellësi të madhe; këtë lexuesi e ndien në horizontin gri që shtrihet mbi “vithet e albinëve të tokës së indianëve të kuq” (sipar i mrekullueshëm i poemës), me një skenë jashtëzakonisht kurioze, të mbushur me tension historik dhe pamor, ku përmes metaforave, autorja harmonizon dhe udhëheq atë fill të padukshëm të përplasjes së dhunshme mes kulturave, mes pushtimit dhe pastërtisë së humbur.
Përmes reve – kalorës dhe planetëve që grisen me thonj nga ledhet, Krosi na shfaq universin të mplakur, pa gjallëri, të ledhosur dhe herë-herë të pamëshirshëm.
Lëkundja e diellit dhe koha që ecën me paterica, na fundos në një realitet të brishtë, të çrregullt, ku progresi është jo garant dhe ekuilibri kozmik i copëtuar në mijëra thërrime.
Ashtu si “Toka e Shkretë” (The Waste Land), e publikuar nga T.S. Eliot në vitin 1922, një nga veprat më emblematike të poezisë moderniste që pasqyron krizën shpirtërore, kulturore dhe morale të Perëndimit pas Luftës së Parë Botërore, edhe poetja Krosi, me penën e saj të veçantë, na paraqet një botë të plasaritur, të gjymtyar, të shkretë e sidomos të zhveshur nga ndjenjat njerëzore. E strukturuar në disa strofa, duke versifikuar, poetja e derdh mitologjinë, fenë, historinë dhe letërsinë, në një mozaik kompleks dhe të shpërbërë, (një tekst i vështirë, po aq edhe i lehtë), që kërkon një interpretim shumë aktiv në pasqyrimin e zhgënjimit bashkëkohor.
E megjithatë, mes gjithë kësaj thatësire – shkretëtire, Krosi bën që hëna të lulëzojë si “lulesat e limonave”, një dukuri delikate e jetës kjo, e cila i kundërvihet me rrëzëllim errësirës.
2. Strofa e dytë duket një afresk pamor, në të cilin autorja bashkon alegoritë e mitologjisë me ato bashkëkohore, për të përshkruar një reflektim të thellë jo vetëm individual, por edhe mbi fatin tonë kolektiv.
Në vargun e parë “zgjohem nga hija e kaktusit”, Krosi sjell një atmosferë të trishtë dhe vetmie, e cila përshtrihet në një botë të banuar prej gjeneratash – mjellma që “pjalmojnë ujin”, (bashkim i hijeshisë dhe pjellorisë).
Globi që “aborton emigrantë” nuk është vetëm një denoncim i fuqishëm i dështimit të njerëzimit për ta menaxhuar këtë plagë që po e zgjyros jetën në llum, por edhe një afrimitet i popujve dhe racave, me gjithë kompleksitetin dhe përvuajtjet e tyre, të cilët kërkojnë strehë në kufijtë e virgjër, (në një botë të pastër që të gjithë ne dëshirojmë).
Indianët e Amerikës na rikujtojnë një të shkuar shpirtërore të zhdukur, ashtu sikurse vetë lidhja e origjinës së tyre me natyrën dhe misterin, sot e përmbytur, “e mohuar dhe e fyer” nga era moderne.
Pyjet e diellta, kuajt, shqiponjat, që Krosi pikturon në peisazhin e kësaj poeme të mrekullueshme, i përkasin një madhështie të lashtë, kurse “alfabetin rrokëzoj”, ajo e shndërron në metaforë për shkrimin e fatit pozitiv të botës, të atdheut pse jo edhe të vetvetes.
Me pathosin e saj të jashtëzakonshëm dhe proçesin kogntiv veçanërisht unik, poetja na rikthen historinë e jashtëzakonshme të fiseve autoktone amerikane.
3. Në strofën e tretë, lexuesi bashkohet me autoren në një udhëtim në zemër të Nju Jorkut, përmes shikimit të shpirtit të saj endacak, që kërkon vetveten mes rrënojave të ëndrrave amerikane. Në vargje gërshetohen figurat urbane dhe simbole mitike në një rrjedhë onirike, të cilat na sjellin ndërmend poezinë “beat” (rrymë poetike e lindur në SHBA rreth viteve ’50).
Gjuha e Krosit është e ashpër, e drejtpërdrejtë dhe ndonjëherë e theksueshme, njësoj si në poezinë “Amerika” të Ginsbergut (me dy dollarë e njëzeteshtatë cent më 17 janar 1956); kurse ajo, ndodhet në rrugë të pluhurosura, kafka në trotuare dhe plepa që lëngojnë (shkurt, 2000).
Statuja e Lirisë kthehet në një meditim të dyfishtë për lirinë dhe mëkatin, për epokën moderne ku gratë e sotme jetojnë në vende të begata siç është Amerika.
Në këto vargje, në lexim e sipër, Krosi na ofron penën e saj, vargëzimin guximtar dhe sensual, i përqendruar në Statujën e Lirisë, femër që shndërrohet në tundimtare, plot dëshira dhe thyerje normash morali.
“Një Safo e vogël lesbike” evokon identitetin e papërcaktuar të disave dhe lirinë shprehëse. Toni që përdor Krosi nëpër vargje është disi i çuditshëm, provokues, shpesh i egër por tejet rrëmbyes dhe poetik. Liria femërore merr formë dhe duke u rebeluar, shpërthen në eros.
Dëshiroj të ndalemi pak sëbashku këtu…
me modestinë e saj madhështore, autorja e quan veten të vogël përballë Safos së madhe greke, duke sjellë kështu tek lexuesit edhe njohuritë e saj të gjera mbi letërsinë e lashtë greke, të pasur me mitologji plot vlera.
Tejsa rrëshqasim nëpër vargje, vërejmë se poetja përballet me një qytet të panjohur, duke kërkuar ngjashmëri me atdheun e saj të largët, të varfër por njëkohësisht mikpritës (aty, tashmë shkohet në plazh – dy kontraste mes të ftohtit dhe të ngrohtit). Gjuha e autores vazhdon të jetë e pasur me metafora të guximshme dhe me imazhe befasuese: “me bark xixëllonjash ”, “vithe të ftohta”, “kafka të qelqta”, “re të kripura” (lot), “perëndime të lagura”, (përsëri lot).
E gjithë strofa vazhdon të përkundet midis reflektimeve dhe shqetësimit personal të poetes, mes ëndrrave dhe maktheve, mes mirazhit dhe realitetit, e shoqëruar nga ndjenja e huaj në kërkim të vetvetes, në këtë botë tashmë në rrezik.
4. Edhe në strofën e katërt, Krosi vazhdon të përdorë nuancat e larmishme të një qyteti në lëvizje të vazhdueshme dhe të përhershme, duke na çuar në vende ikona, si Central Park dhe Grand Central Terminal, të cilat bëhen skena të errëta me elementë të rëndësishëm (“semaforë që masturbohen” dhe “koha ime gugaçe”), duke sfiduar kështu, me bindjen e një autoreje shumë inteligjente, konventat gjuhësore për të na transmetuar emocione të thella, që mbeten gjatë në kujtesën e shumë lexuesve.
E gjithë poema në përgjithësi, ofron një pamje personale dhe intensive të poetes Krosi, jo vetëm mbi qytetin, por edhe rreth atyre që jetojnë aty. Prania e një “vajze me ngjyrë” në stacion është një kritikë e rëndësishme sociale nga ana e autores, e cila nënvizon pabarazitë dhe çarqet, prangat e skllavërisë së prostitucionit nga ata që përfitojnë, dhe kjo është një pikë mjaft kyçe në këto vargje, një temë që nuk mund ta injorojmë pa u përqendruar dhe pa u ndalur, ndaj për këtë, Krosi vendos si protagoniste vajzën me ngjyrë, dhe flokët kaçurrela në poemën e saj, sepse prostitucioni i grave afroamerikane në Shtetet e Bashkuara është një fenomen kompleks dhe thellësisht i rrënjosur në dinamikat historike, sociale dhe ekonomike. Gratë zezake janë tejet të përfshira në tregtinë seksuale, shpesh për shkak të faktorëve socialë si varfëria, diskriminimi i racës por edhe nga mungesa e mundësive arsimore dhe punësimi. Përballja me këtë problematikë, kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, që merr parasysh rrënjët e thella të diskriminimit racor dhe pabarazisë gjinore, duke nxitur kështu istitucionet politike, që të mbrojnë të drejtat dhe dinjitetin e të gjitha grave.
Të gjithë këtë, Krosi e “denoncon” dhe e “deklaron” në rrugët e ftohta të Amerikës, me një stil shkrimi të rrjedhshëm, ashtu si mendimet dhe vargjet e saj me tema të spikatura dhe të goditura në përgjithësi.
5. Në strofën e pestë, së bashku me Krosin, gjejmë realitetin e ashpër e të brendshëm të Harlemit, ku autorja portretizon njerëzimin tejet të stërmunduar, të shkatërruar gjithashtu, duke rrëfyer jetën e shumicës së qytetarëve që e kalojnë mes drogës, seksit dhe varfërisë.
Duke vazhduar të përthithë vargjet, lexuesi ndjen melankolinë po ashtu edhe dëshpërimin për atë që e rrethon poeteshën tonë shoqëruese në aventurën e këtij shtegtimi.
Cigaret e karbonizuara dhe hirnoret e drunjta reflektojnë zakonet e vjetra dhe ekzistencën që stërmundohet nga mungesa e lumturisë.
Teksa macja i gudulis kofshët lakuriqe, Krosi sjell një sensualitet të dukshëm, ndërsa “kur netët shkurrohen si “kurva të trishta”, sërish shfaqet trishtimi dhe zhgënjimi i thellë për shkak të vdekjes së mijëra dashurive.
“Një melodi e vjetër / më mori hënën përmes kafeneve të vona dhe “dhëmbët e arta të funditës” krijojnë atmosferën e natës e cila paraqitet mjaft regresive. Rrugët e Harlemit bëhen skena për “të dehurit me shkumme orgazmash të zeza”, ku droga dhe seksi dominojnë në vorbullat e humnerave. “Dhe fëmijët plot pluhur me turma të shurdhëta”, përfaqësojnë jo vetëm pafajësinë e zhdukur dhe braktisjen totale të brezit që do vijë, por edhe pasigurinë se ku do përfundojmë në një të ardhme që na pret pas një kohe jo të gjatë.
“Duhmat e uiskit si vullkane derdhur, nga kërcimtaret zezake, ashtu të përskuqura deri në agim, mbyll strofën e pestë me një ndjesi potente, tepër dëshpëruese e po ashtu edhe neveritëse.
6. Në vargjet e strofës së gjashtë, “Kam humbur
në kopshtet e Babiblonit”, (ashtu sikurse në strofat e tjera), Emi Krosi ndërthur elemente mitologjike, historike dhe bashkëkohore, për të analizuar dhe nxjerrë në pah tema të atilla, të cilat lexuesi i vetëpërjeton përmes udhëtimit emocional të saj, duke nisur nga kopshtet e Babilonit, pastaj duke kaluar nëpër epope dhe epoka deri në kohën tonë, në rrugët e sotshme, të pafundme të Nju Jorkut.
Uni lirik i autores që humbet në kopshtet e Babiblonit, na lidh me një të kaluar mitike, një bukuri shumë e rrallë, por fatkeqësisht e hirnosur (si cigaret që autorja shpesh nuk i ndan nga vetja). Ngjitja në shkallët Hyjnore dhe takimi me kolosët gjigantë të paqes mbi shkëmbinjtë e Mount Rushmore, është përpjekja e autores për të harmonizuar të kaluarën me të tashmen, duke shpresuar të realizojë atë që do të ishte ideale dhe reale për një botë dhe epokë më të mirë, më të gëzueshme dhe gjallëruese.
Në pjesën e dytë të strofës, Krosi vazhdon të përqendrohet në një realitet mëshirues dhe të dhimbshëm, me metafora që dëshmojnë mizoritë e botës moderne dhe humbjen e pafajësisë: “kur vajzat përdhunohen /kur vriten fëmijët /kur rrënohen kombet”.
Por megjithatë, pavarësisht gjithë kësaj murgëtire dhe errësire, Krosi nxjerr në dritë atë çka dëshiron përbrenda vetvetes, duke shpresuar në shpëtimin e një universi sadopak më të ndërlikuar.
“Një vajzë… një vajzë shqiptare”, (vetë Krosi).
Vargjet e autores, (siç e theksova më sipër), shpesh arrijnë në një transhendencë të vështirë, por me sintaksën e saj të përsosur, jo vetëm që lehtëson një leximin të rrjedhshëm, por e nxit lexuesin ta çojë deri në fund këtë poemë të mrekullueshme e tërheqëse.
7. Përmes një rrëfimi disi gurgullues por mjaft të kuptueshëm, në strofën e shtatë, Krosi na shoqëron dhe na zhvendos në qytetin dimëror të Manhatanit, duke e përzier jetën e përditshme me vizione onirike dhe ngjarje ekzistuese, reale.
Figura e gruas bjonde që ushqen qenushin e saj “lëkurëpurpurt”, i transmeton lexuesit jo vetëm lidhjen njerëzore me kafshët, por edhe dashurinë dhe detyrën që na takon secilit prej nesh për t’u kujdesur për ta.
Duke vëzhguar vrullin e qytetit teksa ajo vetë pêrtyp një çamçakëz, protagonistja Krosi qëndron e vetëdijshme dhe e vendosur në kontrast me turmën, duke sugjeruar kështu distancimin dhe introspeksionin e çdo individi që ndikon negativisht në ekzistencën tonë ose në mënyrën tonë të jetuarit.
“Vranga bore si vezë pulash shqerake, dhe “dhe duart i ngroh me frymë,” nënvizojnë nostalgjinë për klimën mesdhetare të vendlindjes së autores. Kontrasti midis të ftohtit amerikan dhe ngrohtësisë së vendit ku poetja ka lindur, thekson ndjenjën e të qenit e huaj në atë vend të panjohur, i cili gjithësesi për të ndoshta ishte i njohur më parë. (Siç e dimë, Amerika është shtet i njohur nga të gjithë – virtualisht).
Përmendja e “autostradës së Amerikës” i Allen Ginsberg, edhe në këtë strofë, sjell referencën e Beat Generation, udhëtimin e tyre të brendshëm dhe kërkimin e theksuar të vitalitetit në një botë të trazuar e fatkeqe.
Takimi me vagabondin që pëshpërit “love, love America…” paraqet një notë trishtimi – ngazëllimi, por edhe dëshirën e madhe për të jetuar me dinjitet në atë tokë, ku ai besonte se ishte e bollshme, e pasur dhe jo kaq e rrënuar.
8. Në strofën e tetë, Krosi paraqitet tek lexuesit me një rrëfim të përcaktuar dhe intensiv, të pasur me referenca kulturore dhe politike, të cilat pasqyrojnë përvojën e emigrantit të hutuar, i përhumbur (si shumë të tjerë kohët e fundit), midis ëndrrës amerikane dhe realitetit të një identiteti pa identitet.
Krosi vazhdon të zhbirojë në Nju Jorkun e zhurmshëm, duke kaluar përmes lagjeve të njohura si Midtown, Bronx, Queens, Brooklyn dhe Manhattan, duke krijuar një labirint ku ndjehet aq shumë e vogël, saqë e krahason veten me “një kokërr orizi”, e padukshme në një makineri shoqërore-kulturore gjigante.
Gjuha poetike e Krosit është e prerë, ironike, herë-herë surreale “nuk kam kohë të mbledh lulëkuqe,
nëpër semaforët syenjtur”.
Me aftësi poetja shndërron objekte, subjekte apo elemente të përditshme në metafora të pêrzgjedhura dhe përshtatshme.
Kjo vihet re nga citimet e “The Times”, Spielbergut, OKB-së, Shtëpisë së Bardhë, Trumpit, Bushit, Clintonit, të cilët i vendos në portret për lexuesit si simbole të pushtetit, ndikimit mediatik dhe politikës globale, që, jo pak herë ajo i ndesh, i përplas apo vetëpërballet me realitetin e emigrantit, memorialin shqiptar dhe luftërat e brendshme të komunitetit në diasporë.
Vargu në të cilin Krosi flet për “spiunët e Enverit” (diktatorit komunist të Shqipërisë) tregon se traumat historike mbeten prezente në të tashmen, dhe absurditeti i reflektimit ndaj tyre, ndodh edhe mijëra kilometra larg.
Mbyllja e strofës “a do ta takoj sot Trumpin,
Bushin, apo dhe Clinton?”, fsheh pafuqishmërinë dhe kritikën e saj, duke treguar sa larg janë figurat e mëdha politike nga të vërtetat e përditshme dhe përvuajtjet individuale apo të komuniteteve në veçanti.
9. Në strofën e nëntë, edhe vetë lexuesi humbet në ndjenjën e humbjes që përjeton poetesha shqiptare Krosi në metropolin e madh amerikan. Me penën e saj, poetesha shpreh vështirësinë për t’u përshtatur me një kulturë tjetër, duke nxjerrë në pah barrierat gjuhësore dhe kulturore që e ndajnë nga shoqëria që e rrethon.
Strofa vazhdon të jetë e gjitha e mbushur me rebelim kundër pritjeve të tejzgjatura për ndryshime sociale dhe kulturore, të cilat aktualisht janë të imponuara nga ata/o që vendosin padrejtësisht ligjet.
Sërish e vetëdijshme, Krosi refuzon të përshtatet me stereotipet gjinore dhe ato kulturore, duke afirmuar me forcë të plotë dhe krenari identitetin e saj shqiptar dhe mesdhetar.
Skena në McDonald’s e tregon qartë këtë, dhe ky, bëhet një element thelbësor i domosdoshëm i globalizimit dhe homogjenizimit kulturor.
Në rrugët e ftohta dhe borën që bie, Krosi shfaq vetminë dhe izolimin total nga të huajt në atë vend të huaj.
“Akulli” dhe “vrangat e borës”, përfaqësojnë ngurtësinë dhe ngrirjen emocionale, duke treguar vështirësinë për të gjetur pakëz ngrohtësi, afrimitet, një lidhje miqësie me dikë që i përshtatet mendimeve të saj, në atë ambient të akullt dhe të largët ndaj për këtë arsye ajo i thotë kamarierit meksikan: “jam shqiptare dhe mesdhetare”.
10. Udhëtimi i Krosit me lexuesin, vizioni i saj i gjerë gjatë natës, (asgjë nuk i shpëton syrit të saj të vëmendshëm që mbërthen çdo gjë që mund ta ndihmojë të përfundojë këtë tablo me alegori dhe metafora), vazhdon në tren, një udhëtim dhe kalim i rëndësishëm midis gjendjes shpirtërore dhe skutave të shpirtit.
Vargjet e para në fillim të strofës, krijojnë një atmosferë të dendur dhe klaustrofobike: “ku palca e ajrit është mykur”, “antenat e insekteve flenë”.
Me këto, poetesha shqiptare na çon në një dimension tjetër midis kaosit të përditshëm, (kaos i mbetur pezull midis realitetit dhe imagjinatës), ku errësira totale bëhet strehë por në të njëjtën kohë edhe fundosje e pashmangshme.
Duke i dhënë ngjyra rrëfimit – përshkrimit pamor, Krosi vendos në tablo edhe lumin Hudson si dhe satelitët, duke treguar kështu kontrastin mes natyrës, teknologjisë dhe vetmisë totale.
“Ku asgjëja bëhet frymë, dhe “fëshfëritja e hekurudhave të ndryshkura” jo vetëm shtojnë ndjenjën e përhumbjes, por edhe atë të heshtjes së mundimshme.
Pjesa e dytë e strofës, bëhet akoma më intime. Krosi kalon nga frika në lamtumira e përjetshme, nga përqafimet në rrokaqiejt. “Amebat e pluhurta” janë metafora të jetës së shuar (gati pa qeliza) dhe pa identitet. Përsëritja e fjalës “gri” forcon idenë për qytetin e New Yorkut, që megjithëse gjigant, shteron, thith pamëshirshëm gjithësesi ngjyrat gjallëruese së shpirtit.
Vargu i fundit: “Lamtumirë, ose Good Bye!” tregon finalizimin përfundimtar të Krosit: lamtumira e saj është personale por edhe universale. “God Bye”, është një ndarje e konfirmuar, përfundimtare ose ndoshta një hezitim për t’u ribashkuar midis dy botëve – shteteve të huaj, dy tokave, gjuhës amtare dhe gjuhës së panjohur, ndaj ajo preferon të jetojë në tokën e vogël të saj, që i mbush ditët, jetën, por mbi të gjitha shpirtin.
Duke përfunduar analizën e kësaj poeme, veçanërisht unike në peizazhin letrar shqiptar, dua të ritheksoj se Krosi na zhvendos në traditën e Beat Generation, (lëvizje rinore që pati shprehi edhe në fushën artistike, poetike dhe letrare, e zhvilluar pas Luftës së Dytë Botërore dhe kryesisht në vitet ’50 në SHBA), duke përmendur autorë si Allen Ginsberg (1926 – 1997) dhe Jack Kerouac (1922 – 1969), si dhe në poezinë bashkëkohore italiane, me referenca si poeti, shkrimtari, piktori dhe dramaturgu, Antonio Veneziani, lindur në vitin 1949 në Itali.
PËR TY AMERIKË
(si mirënjohje për Presidentin Bill Klinton)
1. përtej brigjeve të Atlantikut,
horizonti gri derdhet,
vitheve të murgjashe të tokës së indianëve të kuq,
retë si kalorës vrapojnë ujdhesave të qiellit,
zgarvat e planeteve,
si duar miope,
tundin lisharëset e diellit,
kurse koha me paterica ecën,
mbi tokën e shkretë të Eliotit.
I akullt ajri,
ku fshihen skelete yjesh,
dhe hëna me putra,
çel lulesa limonësh,
në bregun me dallgë e shkumë,
se ledhet e plakura të ullinjve,
grisin planete me thonj.
2. zgjohem nga hija e kaktusit,
teksa mjellmat pjalmojnë ujin,
gjurmët janë hije,
që rrokëzohen asfalteve të brymta,
në paqe gri.
Globi,
aborton nga pelena të shurrosura,
emigrantët,
gjithfarë njyrash dhe racash,
europianë, aziatikë, afrikanë, zezakë, indianë,
hapësirave të virgjëra,
indianët e kuq,
teksa kaishin kuajtë larushë,
si asketë të heshtur,
lexojnë profecitë,
nën hi.
Amerika e indianëve,
me pyje të diellta,
dhe kuaj hamshorë,
në floknajën e gjetheve,
të kaftë gëzofët e pemëve,
shqiponjat e bardha,
shpupurisin flatrat,
mëngjezeve me ujëvara dritash,
si memece, alfabetin rrokëzoj,
për të shkruar fatin e botës,
ashtu edhe fatin e tokës time,
pse jo dhe fatin tim!
3 …dhe ëndërrat e mia,
që zgjohen si murgjit me apokrife,
në hirnore me bishta cigaresh,
të pluhurta rrugët,
me kafka trotuarësh,
lëngojnë plepat,
kur vesha lëkurrën e imagjinatës,
në fluturimin me Boing,
të ujëta honet e oqeanëve,
me bark xixëllonjash,
në platformën e J. F. Kenedit,
në pragmbrëmje vonë,
me valixhen e vjetër,
duke pritur një taksi,
për Brooklin NY (*22)
Femërore Statuja e Lirisë,
si dreqi më fton në mëkat,
teska vithet e ftohta ia lëmoj si hienë,
një Safo e vogël lesbike,
rrokaqiejtë pinë në kupa retë e kripura,
nga musonet e Atlantikut,
kur lëpijnë gishta gjethesh,
perëndimeve të lagura,
që nderin si hamejtë,
pëllumbat e bardhë,
në kafka hotelesh, motelesh, kazinosh,
trenat e natës me të fjetur,
skaj më skaj New Yorkut
të dehur,
homoseksulë,
kinezë,
dhe sytë shqyej në errësirë,
të skicoj ndonjë ngjashmëri,
me atdheun tim të largët,
të varfër,
me kolibe prej plasmasi,
vetëm iluzione të tymta nga Hoollivudi, (*23)
si flutura agimesh,
që kridhen mbi petale,
në platenë e Madiosn Square Graden, (*24)
përtej kafkave të qelqta të Manhatanit, (*25)
kërkoj kufomën e vetes time,
në turmat depersive të urës së Bruklinit,
mespërmes Wall Stritit! (*26)
4. farat e qiejve,
në sqepa zogjsh,
mbi lëkura lëndinash,
lakuriqe janë aromat e blerimeve,
tek fshihen zgarvave të Central Parkut,
brirëdrerët mbi borë,
në semaforët që mastrubohen,
pritjeve të gjata,
asfaltë të grinjëta,
numra kilometrikë,
tabela rrugësh,
numra autostradash,
sinore kufijsh,
kryqe katedralesh,
dhe unë që endem…endem,
horizoneteve të mishta të Amerikës,
ora ime,
me fosfor të plakur,
nuk regëtin nën rigën e shiut të akullt,
koha ime gugaçe,
luloj mbi një qershi,
kokërrpjekur,
vithengritur një negre kaçurrele,
pa çorape mishi në janar,
kofshët e trasha me celulit,
ekspozon në stacionin e madh,
“Grande Central Terminal”. (*27)
5. m’u karbonizuan cigaret,
teska grinden në hirnoren time të drunjtë,
macja më gudulis kofshët lakuriqe,
kur shkurrojnë netët si kurva të trishta,
në shpirtrat e mi,
mijëra dashuri kanë vdekur,
kur gogësijnë plehrat,
kur belbëzojnë paqet,
kur vdesin urrejtjet,
nga fosile shkretëtirash,
aty, një melodi e vjetër,
më mori hënën,
përmes kafeneve të vona,
dhëmbët e arta të funditës,
rrugëve të Harlemit, (*28)
të dehur me shkulme orgazmash të zeza,
dhe drogë,
dhe sex,
dhe fëmijët plot pluhur me turma të shurdhëta,
sepse duhmat e uiskit,
si vullkane derdhur,
nga kërcimtaret zezake,
ashtu të përskuqura deri në agim.
6. kam humbur
në kopshtet e Babilonit,
ngjiten shkallëve Hyjnore,
me pushvese mbështjellë,
kolosët gjigandë të paqes,
(atje në shkëmbinjtë e Mount Rushmore, (*29)
në Black Hills, ashtu të dritësuar,
duart mbajë kohën, si një pishtar),
si pulëbardhë ujërash,
çelin lulesa madhështitë,
teksa honet e ëndërrës time,
derdhin pigmente ylberesh,
dhe hungërin liria e përgjakur si ulkonjë,
se shirat grimcohen nëpër netët e shkrumbëta,
kur një çengel hëne rrëzon dritën mbi puse,
kur spektatorët e heshtur,
përtej skutave të prostitutave,
derdhin indiferentisht ekstaza,
paradoksalisht,
verbërisht
shurdhërisht,
kur vajzat përdhunohen,
kur vriten fëmijët,
kur rrënohen kombet,
një vajzë… një vajzë shqiptare,
në rrugë të ëndërrta zgjat duart drejt yjësive,
të pluhurta,
me plot mantele galaktikash të panjohura,
nën një qiell të madh amerikan plot zhurma,
ku lartësitë, përtypin ozonin poshtë qiellit!
7. sot, s’ka më asnjë gjethe në Park Avenue,
(tani në Prill ka rënë borë,
dhe një bjonde në Manhatan,
pa çorape nailoni veshur hollë në të ftohtë),
po mëkonte qenushin e saj lëkurëpurpurt,
duke tundur vithet,
përmes mijëra njerëzve që vetëm vrapojnë,
kurse unë përtyp një çamçakëz.
Aty, në Long Island-in,
vranga bore,
si vezë pulash shqerake,
bërrrr-bërrrr… sa ftohtë,
dhe duart i ngroh me frymë,
sepse klima e vendit tim mesdhetar
(atje ka filluar plazhi,
të skuqur nga dielli si sanduiç i shtypur),
në autostradën nëpër Amerikë e Allen Ginsberg, (*30)
kërkoj vetëm ca cent,
në një dyqan kinez,
me gjëra të lira,
apo një supermarket i tërë,
me ushqim aligatorësh, zvarranikësh,
“vetëm një ujë”, – ju lutem,
-një ujë të thartë “Made in USA”,
nuk besoj të jetë nga ndonjë kanal,
se ca alga të kalbura,
janë ujtësur, ashtu si kjo mesditë
me kanavacë bojërash,
me miliona hijesh që ikin…
…ikin,
ca me vrap,
ca me hapa,
me metro,
autobuz,
kurse, një endacak që më preku vithet,
duke mërmëritur:“ love, love America…”
humbi mespërmes taksive të natës,
për takime të fshehta dashnorësh.
8. nuk kam kohë të mbledh lulëkuqe,
nëpër semaforët syenjtur,
kur lexoj Times-in, apo shoh filmat e Steven Spielberg, (*31)
mespërmes shiut eci kuturu,
se jam një kokërr orizi në Nju Jorkun e Madh,
Midtown, Bronx, Queens, Brooklyn dhe Manhattan,
(në Bronx, thashetheme me ca shqiptarë,
për çështje politike, derisa u kacafytëm mes vetes,
se X dhe Y janë spiunë, po, po, spiunë të Enverit,
në OKB, apo në Kapitol Hill),
viseve krejt të diellta të White House,
a do ta takoj sot Trump-in,
Bushin, apo dhe Clinton??!
9. nuk dua të jem e huaj,
hej dreq, nuk kam më internet,
diku në një cep, një McDonalds
“to eat breakfast”, një hot-dog,
por jo, – jam me dietë,
nuk e dua kolesterolin e tepërt,
hëmm, jam vonë,
bileta ime,
numri i getit,
numri i fluturimit,
numri i barkodit,
por s’kam rrjet
dhe nuk mundem të lidhem,
kur një kamarier meksikan më buzëqesh:
– Haw are you, – duke më joshur si djalli.
-Nuk flas anglisht, -ia kthej e nervozuar,
bëj sikur, po fut kodin e wi-fi -së,
por ai, tinëzisht e kupton hallin tim,
hallin tim them,
hallin, hallim për një selfie
në tik-tok,
në Instagram,
por ai po pret,
për porosinë,
për llogarinë,
për ikjen time,
për stacioni e fundit,
por orarin e taksisë
(se taksitë në Nju Jork,
janë tmerrsisht zvarranike).
– Akoma nuk më the,
-se nga jeni zonjë?
“Puuuu, unë zonjë”?!
-Ik o pirdhu, – ia kthej shqip.
Po, po, jam shqiptare dhe mesdhetare,
që pi vetëm cigare,
nuk bëj sex oral, as pi mariuanë,
vetëm kafe expres, jo një Long Black, (*32)
përtej një tabele hekurudhe,
krijesa të zveshura të rrugëve të ftohta
akull, akull, nën borën e fundit!
10. në udhëtimin e fundëm gjatë natës,
ku palca e ajrit është mykur,
antenat e insekteve flenë,
kur fluturojnë satelitët mbi lumin Hudson, (*33)
dhe qenia ime zhytur nën terrin e shpejtësisë së trenit,
ku asgjëja bëhet frymë,
gërhitje,
hungërima e ndonjë qeni apo maceje,
që putrat ia gllabëron fëshfëritja
e shinave të ndryshkura,
me valë argjendi nga oqeani,
në ikjen time përtej honeve,
përtej honeve të vetes,
të frikës,
të lamtumirave,
të përqafimeve,
të rrokaqiejve,
të amebave të pluhurta,
që pushërojnë stinët gri,
gri, gri të Nju Jorkut.
Lamtumirë…
apo Good Bye!
*22 lagje, në Nju Jork.
*23 Hoollivudi, qytetit i filmit.
*24/25/26 (emra vendesh të njohura në Nju Jork).
*27 stacion metroje, në Manhatan, Nju Jork.
*28 lagje, ku jetojnë zezakët, në Nju Jork.
*29 shkëmbinj, ku janë skalitur fytyrat e katër ish- presidentëve të Amerikës, në Dakotën e Jugut.
*30 Allen Ginsberg, ka shkruar poemën “America” në vitin 1956, ndërsa ai ishte në Berkeley, Kaliforni.
Ajo është pjesë e përmbledhjes së tij “Ulërima”], dhe poezi të tjera të botuara në nëntor 1956.
*Steven Spielberg është regjisor dhe producent filmi në SHBA.
*32 lloj kafeje, ekspres amerikane.
*33 Hudson, lumë në shtetin e Washingtonit.
(Emi Krosi 1-15 Shkurt, 2000)
©️ Nga: Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese

Artikuj të lidhur

Back to top button