
Nga Miho Gjini-
Disa ditë më parë, pas ndërhyrjes në zemër, me karrocë dore, vajta gjer në “Rendi” të Athinës, për të ngushëlluar të dashurit e mikut tim Grigor Jovani që iku e na la në afërsi të DITËLINDJES së tij të 1 prillit. Qe ndofta një rastësi tronditëse kur njeriu e “lë jetën” i brengosur, pikërisht në ditën e ardhjes në këtë jetë të trishtuar, ku s’ka më vend as për Poetin e talentuar, “Kalorësin e Kalit mitologjik PEGAS” që do të “fluturonte” tashmë nëpër trevat Shqiptare. Si i vetmi GREK që shkruante vetëm shqip. E që zgjodhi edhe poeten Liljana Furxhi, piktorin Leonidha Bullgari e Kritikun Miho Gjini si “stalljer të kalit”, për tu bërë si “tre muskiterët” e 12 numrave që dolën në dritë me sakrifica të mëdha e në kohë të vështira, në një kohë që njerëzia luftonte për mbijetesën e jo të merreshin me lexime revistash e gazetash, siç bënim ne, të “marrosurit e rradhës” së kësaj bote….
Unë do të ulesha përsëri në divanin shtëpisë së tij, tashmë i pagojë, ku shpesh më zinte gjumi mbi shkrimet e revistës, midis familjarëve me rroba zije e përball tavolinës së tij të shkrimit dhe karriges lëvizëse, para faqes së murit me rafte librash të vendosura me sqimë, nga njeriu i letrave. Teksa në murin përbri ndriste kandili i përmortshëm, para fotografisë së poetit. Bashkëshortja e përzishme rrëfen çastet e fundme të lëngimit , gjersa mbylli sytë nga sëmundja e pashërueshme e shekullit. Sikur nuk qe e mjaft ”plaga” e mbylljes së “Pegasit”, pas atij turneu “shpresëdhënës” të redaksisë “vullnetare”, nëpër shqipëri e Kosovë, për të përhapur e lexuar, “një nga revistat më të mira për letërsinë e artin”,-sikundër e quanin kopetentët,-me 128 faqe, me 24 rubrika dhe e ilustruar me 160 fotografi, skica e piktura prej Leonidha Bullgarit. Sepse është e trishtueshme, kur përreth teje njerëzia kanë harruar të lexojnë, ndërsa miqtë e tu presin t’ua dhurosh!. Kur edhe një ish ministër Kulture, disa vite të shkuara, na priti te shkallët e ministrisë së dikurshme, na dëgjoi shkarazi e pastaj na drejtoi tek sekretaria e tij , e cila (të mos na dëgjoj kush!) , pasi e shfletoi revistën tha se: “Nuk mund ta mbështesim një reviste greke!”, kur aty nuk kishte asgjë greke prej këtij vendi mikpritës të afro një milion shqiptarëve të mërguar , veç “flatrave të një kali të hapësirave, si simbol!”…Dhe do ta mbyllnim këtë turne të trishtuar në Piqerasin tim, me nga një “komb raqi” të fortë…
Ai nuk u largua menjëherë. Priti sa i erdhi e bija nga Luksenburgu, i përkëdheli flokët e pastaj i qetë mbylli sytë përgjithmonë. E dinte se do të vdiste dhe la porosi ta shpinin në Jorgocat, tek “streha” e përjetshme e prindërve , në kryqëzimin e rrugëve. Atje ia “mbytën” arkivolin me lule të freskëta, foli për shpirtin e tij poetik shkrimtari Murat Aliaj dhe, pas të qarave me klithma të grave të Jugut, e bija hodhi mbi të, tufën me lulet pranverore të mimozës, përreth manushaqeve të dimrit të fundit dhe ngriu e tëra si një selvi buzë humnere. Dhe shpirtin e tij, sikur e morën me vete ata dy borizanët-engjëj që poeti i kishte vendosur në faqen e përskuqur me rrezet diellore të sallonit, ku krijonte poezitë e tij dhe “ushqente me frymë” Pegasin. Përballë meje qëndrojnë të heshtur të dy prindët e Ollgës, të helmuar e gojë kyçur. Ndërsa sytë e mi u takuan me sytë e përlotur të Napoleonit, brigadierit të dikurshëm, personazhit tim jetësor të Minierës së Memaliajit ,që e pata vendosur edhe në librin tim “Udha për në Ferr”…Po ja ku u përballëm përsëri në këtë “helm të përbashkët” që e ngrin edhe jetën…Se, “udhët e Ferrit” qënkan të pasosura!
Po ai iku i dëshpëruar edhe nga një arsye tjetër, siç do rrëfente bashkëshortja: “Muajin e kaluar, teksa bënte çdo ditë terapi kundra sëmundjes së mallkuar,-tha ajo,-priti edhe lajmin “jetëdhënës” se romani i tij i parë, kishte fituar në një konkurs kombëtar në Tiranë, por që tri ditë më pas, çuditërisht “ishte anulluar”, po aty, përbrenda “asaj tepsie”, ku ishte vendosur gjithçka tjetër, nga personat e jurisë,-gjë që i dha Grigorit grushtin e fundit!”. Pas këtij lajmi tronditës, do të largohesha edhe unë me “karrocën e vdekjes”, i mbuluar nge errësira e natës. Në vesh më erdhën edhe fjalët qe më shkruante “muskëterja tjetër, pasi shpërndava në internet lajmin e hidhur disa ditë më parë, se: “Dhimbjen e humbjes së mikut tonë nuk e mbajmë dot mbi supe, i dashur miku im,-shkruante ajo,-Sepse atë nuk e mba dot asnjë fjalë, asnjë kornizë, ëndërrimtarin e pavdekshëm. Unë e ti , miku im humbëm “kalorësin e vargut” SOT, po jo mikun e zemrës…Po, a ka dhe që i mbulon poetët? Ata janë prej ajri, ere, dallge, janë YJE që do na bëjnë dritë!”
Dhe revista jonë, me frymëzimin, idenë e punën kolosale të këtij njeriu të letrave, “Poetit të Dionisit”,-sikundër e quante veten, nuk u botua më. I dëshpëruar grindesh edhe me mua, pas këtij udhëtimi të dështuar, teksa edhe shëndeti i tij e i imi po keqësoheshin… Poeti u shtrua tri herë në Spital (nga një goditje cerebrale) e pas tij edhe unë tri herë (nga Diabeti, nga një frakturë e femurit dhe më mbrapa, prej një ndërhyrje kirurgjikale në zemër!), duke mos e parë më njëri-tjetrin, të tre muskëterët sa ishim. E pata radhën unë të “ikja” e i isha lutur ta bënte ai nekrologjinë time dhe askush tjetër , po ja që “më tradhëtoi!”… Iku ai para meje , “kryemuskëteri” ynë…Ne tre të tjerët e qamë këtë ditë, me zemër në dorë…
Lamtumirë Gole! “Vreshtat e tua” që “t’i dhuroi Perëndia e Dionisit, si trashëgim pronësie”, do të bëjnë bute me verë të fortë për gjithë dynjanë. Duket sikur i gjithë “Oborri i Perëndive të Olimpit” i janë mirënjohtës Grekut të vetëm që shkruante poezi të perëndishme në gjuhën Shqipe, por edhe nga gjithë lexuesit, o martir i së bukurës, i vjershave të arta dhe i vuajtjeve e sakrificave të pafundme…Dikur ne i festonim ditëlindjet së bashku dhe nuk mundem ta harroj atë të fundit, tri-katër vite më parë, kur më telefonove të merrja pak nga ai ”Lëngu Dionisiak” i Piqerasit, pa u thënë grave tona “se e kërkonim edhe vdekjen!”, dhe vajtëm poshtë Akropolit , ku për tryezë patëm gurët e rrënojave, pa e ditur se edhe jeta jonë po rrënohej dhimbshëm…Dhe ti ike pa kthim…Pa u tjetërsuar kurrë…Me atë guximin për ta thënë fjalën tënde me këdo e kurdoherë dhe pa e pranuar as kapardisjen e as qëndrimin e kritizerëve bosh të asgjëkundit…Sikundër thoshte Aristoteli yt, shekuj më parë, se:”Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kritizimin: mos bëjë asgjë, mos thuaj asgjë dhe je thjesht asgjë!” Por ti i the të gjitha në jetën tënde të shkurtër, sepse pate ç’të thoshje: ca të vërteta ndryshe nga ato të 1 prillit. Ti tani je mbi flatrat e PEGASIT…Nëpër hapësirat qiellore..Më pritë ATJE edhe mua, i dashuri im. Unë tashmë jam nisur drejt teje!
Athinë. 28 mars 2025