BlogKryesoreOpinions

Moza

Nga Meri Dishnica-

E kam mësuar përmendësh çdo poezi të “Delirium”-it të saj. “Absurdin Koordinativ” e pata ngjitur me vinovil karshi krevatit, fotokopjuar në një kioskë të ndryshkur, ku fjalët mezi dalloheshin nga boja pikuar si mosozot.
Por e kisha valutë krenarie citimin e vargjeve të Mozës në çdo bisedë, një lloj passe-partout për të gjetur pakëz vend në rrethe intelektuale.
Do të vinte koha e lume ta takoja, intervistoja, gjithherët me një ankth bredharak nëpër trup. Këmbë e duar të ftohta, ekstrasistola zemre, tharje fyti, thartim stomaku. Sepse kisha frikën asgjësuese mos zhgënjeja veten (e kisha adhuruar gjatë) dhe Mozën (qe e pafundme, por e pamëshirshme me kufijtë televizivë).
Nuk kam lënë intervistë pa ia dëgjuar. Edhe qejfmbetjet e mërzititë mediatike ia kam mirkuptuar si vështirësinë e të notuarit të një mjeshtreje në cektinën që vetë televizioni e ka “thellësi” të natyrshme, sidomos në Shqipëri.
Derisa para pak minutash, në një nga videot virale të Fermës Vip dëgjova të pohonte hokatare, por me një të vërtetë ngjeshur ballazi batutës se “artistët kanë mbetur pa lekë, ndaj ndodhemi këtu”.
Moza ndoshta e tha për humor, mundet mos jetë hiç e vërtetë a ndoshta ka goditur me një fjali atë plagë të mahisur shoqërore përtej një rrëfimi personal.
Por mbetet një diagnozë publike.
Dhe Moza e ka shprehur edhe jashtë Fermës. Shumë herë. Troç.
Nuk ka asgjë për t’u parë me cinizëm në praninë e saj në një reality show. Humori e thëniet e pashtershme, që meritojnë thonjëzat e aforizmave po çmendin rrjetin. Të gjithë e duan, e çmojnë. Por edhe qeshin shumë. Megjithëse në shumë nga batutat e saj ka të vërteta vrastare.
Nuk ka asgjë të padrejtë që Moza është aty.
Përkundrazi, ka diçka thellësisht njerëzore. Dhe ndoshta, mu bash në atë kompromis të heshtur mes dinjitetit dhe nevojës, kuptohet më qartë se kurrë vlera e artit të Mozës dhe të ngjashmëve të saj.
Edhe aty, brenda atij formati. Por edhe paradoksi se si një nga mendjet më të rafinuara të kulturës sonë, gjendet në një reality, jo për ekstravagancë e zgjedhje, por për një nevojë.
Në çdo shoqëri të civilizuar ekziston një kontratë e pashkruar mes krijuesit dhe publikut. Arti nuk prodhon domosdoshmërisht të ardhura,
por shoqëria prodhon kushtet që ai të mos mbetet pa to.
Tek ne, distopia e butë e një shoqërie që varfërohet enkas kulturalisht për t’u kontrolluar më kollaj, nuk e ndalon artin, por e lë pa mbështetje.
Moza shpengueshëm, me mënyrën e vet e tha pse ndodhet aty. Nëse është e vërtetë s’ka pse të ketë hiç turp. As artistët e tjerë që ndodhen aty. Mirëpo ka diçka për t’u kuptuar dhe për t’u ndjerë me një lloj turpi ne si shoqëri për si i trajtojmë artistët.
Arti nuk varfërohet në mënyrë të rastësishme, por sidomos kur i mohohet shtëpia. Kur ia zhvesh muret, ia kalb skenën.
Kur shembet një godinë si Teatri Kombëtar, shembet në vetëdije edhe ideja se arti meriton një vend të qëndrueshëm në qytet.
Kur mbyllen, zbehen apo lihen në harresë hapësira muzeale si Muzeu Historik Kombëtar humbet kujtesa si nevojë shoqërore.
Kur libri blihet veç në panair për qokë popullore dhe stolis fotot e instagramit. Kur shkrimtari nuk fiton nga krijimi, sepse botimi është sport për çdo të paaftë me lekë, që do emrin në kopertinë.
Kur trashëgimia kulturore bëhet një hall më shumë në buxhetin e shtetit,
kur arti politizohet deri në pikën ku vlera matet me afërsinë me pushtetin dhe jo gjenialitetin e krijimit.
Mu aty, në atë katandisje lind paradoksi i dhimbshëm i një artisti që i përket thellësisë, por detyrohet të kërkojë frymëmarrje në sipërfaqe.
Në vendet ku kultura ende nuk ka një njoftim në shtyllë, ekziston një dorë e fortë që e mban artin kur tregu e lëshon. Dhe për këtë arsye, arti atje nuk zhduket. Ai zhvendoset, përshtatet, reziston dhe të mban ende me bukë. Atje ka një shtresë amortizuese, fonde publike, traditë leximi, respekt për mendimin, institucione që ndërhyjnë përtej logjikës së tregut.
Andaj ky paradoks zbutet.
Tek ne, ai shfaqet i cullak, i egër dhe rrezikon që spektaklin ta bëjë kushtin e vetëm të mbijetesës së artistit.
Do më kujtojë dikush se edhe në formatet reality në Itali psh, aty ku ende ato kanë audiencë të lartë, artistë, politikanë, soprano me karrierë ndërkombëtare nuk kanë nguruar të hyjnë në to. Se ky paradoks nuk është tipik yni.
Dakord, por kjo nuk e relativizon fenomenin, përkundrazi e universalizon atë.
Ka edhe një dallim thelbësor, që nuk kalon lehtë. Atje është krizë e modelit, këtu është mungesë e sistemit që mban gjallë artin. E çdo lloji.
Në Itali, një artiste mund të hyjë në spektakël sepse tregu ka ndryshuar ritmin e vëmendjes.
Por ajo del nga një botë që ekziston ende, teatro që funksionojnë, opera me agjendë të ngjeshur, galeri e muze, institucione që financojnë e subvencionojmë, publik që konsumon kulturë si nevojë, jo thjesht luks. E përgjithësisht hyjnë emra në perëndim karriere.
Ndërsa Moza jonë është tharm i pamoshë krijues. Fenomen letrar, kudhër filozofike. E begatë artistikisht.
Do ta ndjek Mozën tek Ferma Vip, sepse Moza reziston kudo si një kapsulë poezie e mençurie, por do të mbetem e ndershme ndaj çdo artisti, që ndodhet aty apo në dilemë për të hyrë me një pyetje: çfarë mbetet jashtë spektaklit, kur ai ul siparin?
Aty ku arti ka rrënjë, ai kthehet tek vetja edhe pasi reality mbaron.
Aty ku rrënjët janë prerë ai do të endet pezull. Ndaj kur shemben skenat, zbehet kujtesa, shastiset libri dhe politizohet krijimi, arti mund mos të zhduket, por do kuturiset duke kërkuar i dërrmuar një hapësirë që dikur e kishte të vetën.
Dhe ndoshta kjo është ajo që na duhet të pranojmë me qetësi të dhimbshme se nuk është e njëjta histori si në Itali, edhe kur duket e njëjtë.
Historia e Mimoza Ahmeti nuk flet për rënien e artit, por për një shoqëri që nuk di më si ta mbajë pranë në habitatin e vet natyral dhe e zhvendos vetëm aty ku mund ta shohë. Shpejt, virale, mes reels-ash ku çdokush kërkon 5 sekondat e famës.
Ndërkohë në kokën time gëlon Delirium-i i saj qysh nga viti 1994:
“Oh, gjeniale është kjo gjendje,
kur ndërsa kuptoj që gjithçka kam humbur,
lumturinë e pafundme ndjej,
të qenies sime
që e kam në dorë,
atë,
që s’mund të ma dhurojë
asnjë lavdi, kurorë.”

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button