BlogKryesoreKulture

MONUMENTI I ODISEUT TË KOSOVËS

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Monografia si zhanër mbetet tepër e komplikuar për t’u definuar. Zakonisht dallohen lloje të ndryshme të monografisë, por në esencë një monografi mbetet një studim i detajuar për një problematikë specifike, në fakt një studim gjithëpërfshirës që thellon argumentimin në një tematikë të caktuar. Monografia biografike është një ndër llojet që fokusohet në jetën dhe në të arriturat e një individi, personaliteti. Ky lloj i monografisë eksploron me një faktografi që depërton thellë në jetën personale, duke sjellë kështu fakte nga jeta e një personaliteti, gjithë atë trajektore personale që ka mbrujtur esencën e një njeriu, një figure të rëndësishme, në të gjitha dimensionet e mundshme, zakonisht të panjohura deri në fund nga publiku. Monografitë, zakonisht nuk mund të receptohen si matrica të ngurta shkrimi, përkundrazi në të shumtën e rasteve, ato gërshetojnë një faktografi të stilizuar, të konceptuar dhe të strukturuar si një tërësi.

Përtej definimeve teorike, sa herë që puna e do të flasim për monografi, mendja më shkon te Stefan Cfajgu, ky mjeshtër i monografive letrare, sidomos tek monografia e tij mbi shkrimtarin francez Honore de Balzak. Një monografi që të trondit, një jetëshkrim letrar që tejkalon definimet, konceptet dhe rregullat e ngurta.

Njësoj të trondit edhe monografia “Bekim Fehmiu-Odiseu i Kosovës”, e gazetarit dhe publicistit, Fahri Musliu, me gjerësinë e faktografisë që sjellë, për gjithë ato shkrime të pafundme të mediave të ndryshme të rajonit dhe atyre ndërkombëtare mbi aktorin e përmasave ndërkombëtare, shqiptarin, që në asnjë rast nuk hezitonte ta theksojë përkatësinë e tij, në çdo vend, në çdo paraqitje të tij. Një monografi për një aktor dhe njeri të jashtëzakonshëm nuk kishte mundësi të fillonte nga e zakonshmja, përkundrazi fillon me vdekjen e Bekim Fehmiut, më atë çast dorëzimi suprem dhe madhështor, që si lajm tronditi gjithë botën. E thotë edhe vetë autori i monografisë në një intervistë “nuk i respektova rregullat e punimit të monografisë për personalitete, ku fillohet nga lindja, sepse unë shkova me piramidën mbrapsht dhe e nisa me vdekjen e Bekimit dhe reagimet pas saj. Kjo për shkakun se vdekja e tij ishte jo lajm i thjeshtë, por bombë shpërthyese, që u dëgjua në mbarë botën dhe ishte top-lajm i të gjitha mediave elektronike e të shkruara në mbarë rruzullin tokësor”.

Një fillim që duket si një tragjedi antike, që vjen dhe shpërfaqet me gjithë ato shkrime dhe reflektime mbi figurën e Odiseut të Kosovës, Uliksit të lashtë, që tashmë ishte inkarnuar në kinematografinë botërore si një emër i përveçëm, si një gjenialitet në botën e filmit, ku përveç roleve ai po luante edhe dramën e popullit dhe të identitetit të tij. Një fat tragjik, paraprakisht i përmbushur me hiret më kulmore të kinematografisë botërore në mbi 40 role në filma të ndryshëm, duke filluar nga produksionet në hapësirat e ish Jugosllavisë, për të vazhduar në Itali dhe në qendrën e kinematografisë, në Holivud.

Pikërisht këtë madhështi prej aktori kalibër, këtë përmasë universale arti filmik, e sjellë me përunjësi para lexuesit, gazetari, autori i monografisë, Fahri Musliu. Tetë kapujt e kësaj monografie strukturojnë një jetëshkrim të jashtëzakonshëm të Odiseut të Kosovës, gjithë trajektoren e karrierës së tij, e cila mbetet e papërsëritshme në vokacionin e vetë, mbetet hulli gjenialiteti aktorial, që ka reflektuar dhe reflekton në majat e kinematografisë botërore.

Sigurisht, kjo monografi për më tepër përfshin edhe pjesë nga libri autobiografik i Bekimit Fehmiut me titullin “ E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” një metaforë e marrë nga shkrimtari i absurdit, Albert Kamy, një metaforë që mbetet gjithashtu esencë e vetë jetës së Bekim Fehmiut, një jetë dramatike, me shumë gjenialitet dhe refuzime, një jetë që ka dramën e saj të brendshme të identitetit, por edhe estetikën e padiskutueshme të një aktori skajshmërisht profesional, skajshmërisht të pakompromis me mediokritetin, por edhe me ataket ndaj vertikales kombëtare që përfaqësonte.

Monografia eksploron me një dokumentim të gjerë, me shkrime të panumërta, fotografi, intervista dhe shkrime tjera, që e bëjnë të jetë gjithëpërfshirëse dhe unikate për jetën e Uliksit tonë. Për më tepër, kjo monografi përfaqëson një lloj testamenti të autorit Fahri Musliu, i cili duke qenë  në radhë të parë gazetar ka arritur që mjeshtërisht të gërshetojë faktografinë me shpërthime të herëpashershme përshkrimesh që i japin gjak, nerv dhe emfazë krijuese monografisë.

Gjithsesi vetë strukturimi i monografisë na mundëson që ta njohim në gjithë planimetrinë e vetë, aktorin Bekim Fehmiu. Gjithçka fillon nga çasti tragjik, nga vetëvrasja si një akt personal, një tonalitet që merre përmasa epike, njashtu siç ishte vetë jeta e Odiseut të Kosovës. Dhe gjithçka përfundon me poezitë kushtuar Bekim Fehmiu. Një mbyllje e monografisë që sikur na bën të kuptojmë se ai tashmë është në hemisfera tjera gjallnie spirituale, njashtu siç shpërndahet gjithandej ujrave meditaren urna e tij, testamenti i tij shpirtëror, hiri i tij që u shpërnda në lumin e vendlindjes së tij.

Kjo monografi do të mbetet një referencë e pashmangshme mbi jetën e Odiseut të Kosovës, një dokument bazik për gjithë ata që dëshirojnë të njohin përmasën e aktorit shqiptar Bekim Fehmiu dhe gjithë studiusit tjerë, që në të ardhmen do të merren me jetën dhe përmasën artistitike të aktorit me përmasa universale.

(Fjala në promovimin e opusit krijues të publicistit Fahri Musliu)

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button