
Nga Maria Lasgush Poradeci-
Në vitin 1981, Moikom Zeqon, do ta shtynte të zhytej në Buqezën e Linit, për vëzhgim arkeologjik, një fjalë e Nuçi Tirës, i cili i besoi një të fshehtë që vinte nga enigma e shekujve. Vetë Nuçi Tira, këtë sekret e kishte mësuar prej kujtimeve të daktilografuara, të një kushëriri të mjekut Jorgji Karamitri, para se ky i fundit, të vritej nga gjermanët në Luftën II Botërore.
Jorgji Karamitri, paralel me studimet për mjekësi, në Krakovë të Polonisë, ndiqte edhe fakultete të kulturës së përgjithshme. Kështu, një profesor historie, kur mëson se Jorgji ishte shqiptar, i rrëfen se kishte zbuluar një dokument në latinisht, të një kronike të harruar, që thotë se, pikërisht në tempullin e gadishullit të Linit, Perandori i Bizantit, Justiniani i Madh, kishte urdhëruar të varrosnin një thesar perandorak, në fundin e liqenit, në gjirin e vogël të quajtur Buqezë.
Kështu, Moikomi, të nesërmen e kallëzimit të pazakontë, e gjen veten në një varkë që po i drejtohej Buqezës, së bashku me plakun e palodhur, Nuçi Tirën, drejtorin e muzeut, Manastirliun dhe një burrë, që u ishte prezantuar si shefi i arsimit të rrethit (Moikomi, atë ditë, do të zhytet disa herë me maskë të thjeshtë xhami dhe do të rrijë nga 1 minutë e gjysmë nën ujë, për të rilevuar fundin e liqenit, në thellësi 10-15 m).
Ndonëse nuk gjen ndonjë thesar perandorak, Moikomi, vihet në mendime nga mungesa e rrumbullakësisë së gurëve të çakullit, çrregullsia e të cilëve, sikur tregonte se ishin thyer mbi tokë. Befas bën Zbulimin e Madh sepse sheh një grumbull pilotash prej druri, të ngulura në mënyrë vertikale, si dëshmi e një arkitekture prejhistorike dhe thotë me vete se, sapo të mbërrinte në Tiranë do t’i tregonte për këtë ndërtim palafit të Buqezës, historianit Çesk Prendi (ky vendbanim palafit i Buqezës do të filmohej më pas, për herë I, nga regjizori Xhemal Mato, sipas skenarit të Moikomit dhe të dy do të zhyteshin kësaj here me akualangë).
Para se të kthehej në Tiranë, Moikomi shkon të takojë Lasgushin dhe bisedon me të për këtë dëshmi arkeologjike, që tregonte për lashtësinë e jetës në brigjet e liqenit. Lasgushi i shpreh gëzim dhe i thotë se e dinte që më përpara se jeta në liqenin e tij- kështu i’u shpreh, në liqenin e tij-, ishte që nga gjeneza e botës, madje arkeologjia në këtë rast nuk mund të ishte shumë e rëndësishme. Pas një pauze të mistershme në kundërshtim me të gjithë pandehmat dhe hamendësimet për thesarin e Justinianit, Lasgushi i thotë se: “Nuk ka thesar”, “thesari- Moikom -, nuk është në lëndë, është në kuptim.”
Referuar faqeve 17-23 të librit “Lasgushi i Panjohur,” (Shtëpia botuese: Erik; viti i publikimit: 2017; autor: Moikom Zeqo)
(c) L.P. 24/07/2023



