Aktualitet/LajmeBlogKryesoreKultureNdodhi

“Mohimi i Historise”

Nga Auron Tare-
Dje postova një shkrim mbi një episod nga Lufta Italo-Greke e viteve 1939–1940 qe bente fjale per renien ne Kuoten 731 ne Malin e Trebeshines te nje Princi te Familjes se Burbone-Parma.
Shkrimi, i bazuar në disa kronika te kohes dhe i marre nga disa gazeta, pati shumë reagime. Interesant ishte fakti që një pjesë e komentuesve shpreheshin se Shqipëria nuk ka pse të ruajë apo të mbrojë memorien e kësaj lufte, pasi sipas tyre nuk ishte e përfshirë si palë në konflikt.
Komente të tilla, në fakt, më nxisin të shkruaj edhe më shumë për ngjarjet historike të asaj periudhe, për t’i ndihmuar lexuesit të kuptojnë se ky konflikt, me përmasa ndërkombëtare mes Italisë dhe Greqisë, i zhvilluar në territorin shqiptar, nuk ishte vetëm një episod i rëndësishëm historik, por edhe një ngjarje që përfshiu vende dhe figura me peshë për kohën. Fakti qe Gjermania u detyrua te shtynte Operacionin “Barbarosa” kunder Bashkimit Sovjetik dhe te nderhynte ne Greqi per te siguruar prapavijen e saj, flet vete per rendesine strategjike te konfliktit.
Shqipëria jo vetëm që ishte pjesë e këtij konflikti, por kontribuoi edhe me ushtarë, pavarësisht se më vonë u kuptua se ishte një ndërmarrje me pasoja të rënda historike. Mjafton të kujtojmë se parlamenti shqiptar i asaj kohe i dorëzoi Kurorën e Skënderbeut Mbretit Viktor Emanuel ne Rome dhe më pas i shpalli luftë Anglisë, në vijim të përfshirjes së Italisë në konflikt.
Zelli i kohës ishte aq i madh, sa edhe Biblioteka Britanike në Tiranë, e ndërtuar nga Lady Carnarvon, u dogj me urdhër të Ministrit të Arsimit të asaj kohe.
Reparte me “këmisha të zeza” shqiptare morën pjesë në luftime, dhe ka plot episode të tjera që meritojnë të përmenden. Këto janë të rëndësishme jo vetëm për historinë, por edhe për edukimin e brezave që vijnë pasi Historia është një mësim i vlefshëm për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës.
Prandaj, të gjithë atyre që mendojnë se memoria e Luftës Italo-Greke nuk duhet ruajtur, do t’u thosha të shohin se si vendet e qytetëruara ruajnë çdo vend me rëndësi historike, nga kampet e shfarosjes deri te betejat epike.
Sa më mirë ta kuptojmë këtë, aq më shumë mund të mësojmë nga e kaluara. Për më tepër, këto vende mund të shndërrohen edhe në pika të rëndësishme të turizmit kulturor.
Në kodrat dhe malet ku dikur kaluan ushtri të fuqishme, ne nuk mund të tregojmë vetëm se si qethen delet , por edhe betejat dhe emrat që kanë bërë historinë.
Me kete ne mendje me poshte disa foto nga Arkivi Italian “Luce” mbi viziten e Musolinit ne Shqiperi ku inspektoi Fronti Italo -Greke nga 09 Marsi deri ne 21. te 1940-s.

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button