
Nga Irena Beqiraj-
Vendi i veçantë i Ramës në bordin e Paqes edhe vlerësimi i posaçëm vetëm për të nga Presidenti Trump ra .Të njëjtën ftesë e ka marrë edhe Kosova ( nëpërmjet Presidentes Vjosa Osmani ) edhe besoj do ta kenë marrë edhe vende të tjera të Ballkanit , që ndoshta prej kujdesit që kërkojnë rrethanat, kanë vendosur të mos bërrtasin “Rroftë Trump” .
Ajo që më tërhoqi vëmendjen është se edhe Vjosa Osmani e konsideronte ftesë personale .
Pse kështu ? A u mungon liderave shqiptarë, aftësia për të lexuar ftesën edhe pasojat e saj ?
Jo ! U mungon vetëm legjitimiteti , edhe kur ndjejnë se pushteti pesonal u është kërcënuar , e kërkojnë vlerësimin “e posaçëm personal” ku të mundin, për të imponuar pa zëvendësueshmerinë e tyre .
Në këto13 vite në pushtet, Edi Rama ka marrë vetëm një letër personale, atë të Presidentit Obama për çështjen e armëve kimike .
Për shkak se në atë kohë sapo ishte zgjedhur, Rama kishte legjitimitetin maksimal . Ai jo vetëm që nuk e publikoi letrën , jo vetëm që nuk e shiti atë si vlerësim e besim të posaçëm për të personalisht, por përkundrazi , e refuzoi kërkesën e Obamës .
Asgjë nuk e pengoi Ramën e vitit 2013 që midis kërkesës së partnerit strategjik edhe interesave të Atdheut të vendoste Atdheun . Në atë kohë as e ndjeu nevojën t’u tregonte shqipëtareve se sa i pazëvëndësueshëm ishte . Forcën për refuzimin edhe qendrimet modeste të asaj kohe i ushqente pikërisht legjitimiteti i tij .
Ndërsa sot, nxitimi që në emër të partneritetit strategjik , ai pranon pa u menduar dy herë , madje ushqen “llazoret e tij” të paneleve ( siç i quan ai vet ) për ta paraqitur ftesën e Trump si “sukses personal” , si “përzgjedhje për shkak të karakteristikave të veçanta edhe arritjeve të liderit ” , tregon thjesht se Rama është plotësisht i vetëdijshëm pikërisht për mungesën e legjitimitetit të tij .
Por le të kthehemi tek ftesa personale e Vjosa Osmanit . Ndërkohë që Trump është transaksional, kundër rregullave, edhe besnik vetëm ndaj vetes, lajkat, servilizmi vetëm sa tërheqin vëmendjen e mediave ndoshta dhe mund të ndihmojnë në promovimin momental , por ato vështirë se mund të sigurojnë mbështetje të qëndrueshme.
Fundja nuk është më sekret sepse sipas fjalëve të vet Trump ” morali i tij është i vetmi kufizim për veprimet e tij edhe ai nuk ka asnjë dëshirë të respektojë ligjet e rregullat ndërkombëtare” . Ai dallohet për vendime kritike të marra në pak ose aspak kohë në dukje të rastësishme, edhe të pa nxitura nga emergjencat; ai vepron në mënyrë agresive në rajone të shumta në të njëjtën kohë, me një shpejtësi që asnjë fuqi e madhe e mëparshme nuk mund ta parashikonte . Impulset e paqëndrueshme të Trump, mbi të cilat ai vepron më shpejt dhe më lehtë se çdo udhëheqës mund ta vendosin Vjosën në një situatë që nuk do t’ja uroja as hasmit!
Nuk e di sesi Vjosa Osmani do t’i përgjigjej një letre tjetër, por kësaj here vërtet personale, që mund ti vinte nga Tramp për njohjen e menjëhershme të” të drejtave” që pretendon Serbia në Veriun e Kosovës, apo më keq pranimin e aneksimin të Veriut të Kosovës nga Serbia përndryshe Kosova do të përballej me sanksione apo luftë!
Ku do ta mbështeste Vjosa mbrojtjen e Pavarësisë së Kosovës kur rregullat ndërkombëtare kanë rënë edhe paqa është diskrecion i individit ? Si do të përgjigjet Vjosa kur ajo vet ka pranuar se lidershipi individual edhe jo institucionet multilaterale i përcaktojnë më mirë kushtet e paqes ?
Dhëntë Zoti që liderat tanë pa legjitimitet mos të vendosen në këtë provë , sepse historia na ka treguar se liderat shqiptarë kur humbasin legjitimitetin midis pushtetit edhe Atdheut , kanë zgjedhur gjithmonë pushtetin .



