BlogEditorialKryesoreOpinions

MIDIS DEMAGOGJISË QEVERITARE TË ZHVILLIMIT DHE ILUZIONIT DEMOKRATIK TË PROTESTËS

Nga Muharem Jakupi-

Në Shqipërinë e këtyre ditëve nuk po përplasen thjesht një qeveri dhe një protestë. Nuk po diskutohet vetëm fati i një resorti luksoz, i një ishulli, lagune, zone të mbrojtur a i një kontrate investimi. Ajo që po ndodh është më e thellë: po përplasen dy ide për zhvillimin, dy kuptime të demokracisë dhe dy pretendime për të folur në emër të së mirës publike.
Nga njëra anë qëndron filozofia qeverisëse e zhvillimit nga lart. Sipas saj, kapitali i madh hyn në territor, shteti ia hap rrugën, projekti shpallet “strategjik”, investitori paraqitet si fat historik, ndërsa qytetarit i kërkohet të besojë se çdo fitim privat do të kthehet vetvetiu në përfitim publik, mjafton të jetë i madh.
Nga ana tjetër qëndron protesta, e cila nuk po thotë domosdo se nuk duhet zhvillim, nuk duhet turizëm, nuk duhet investim, nuk duhet treg. Ajo po thotë diçka më themelore: jo çdo investim privat është interes publik, jo çdo projekt luksoz është zhvillim kombëtar, jo çdo kapital që vjen nga jashtë ka të drejtë të marrë me vete të përbashkëtën tonë.
Formula e konfliktit është kjo: qeveria po trumbeton interesin e kapitalit si interes të popullit, ndërsa protesta e refuzon këtë barazim si demagogji zhvillimore!
Qeveria thotë: investimi sjell zhvillim, zhvillimi sjell punësim, punësimi sjell mirëqenie, prandaj projekti është interes kombëtar. Protesta e këput këtë zinxhir të gatshëm dhe pyet: zhvillim për kë? Punësim me çfarë pagash? Fitim për cilët aktorë? Humbje për cilat komunitete? Kush e merr tokën, detin, ishullin, pyllin, lagunën, bregun? Kush vendosi? Ku ishte konsultimi? Ku është transparenca?
Këtu protesta del përtej sentimentalizmit ekologjik. Flamengoja, laguna, ishulli, pylli, bregdeti janë simbole të një pyetjeje më të madhe: a është e përbashkëta pasuri publike apo mall investimi?
Nëse e përbashkëta trajtohet si mall, qeveria nuk sillet më si kujdestare e interesit publik, por si ndërmjetëse dhe shërbëtore e kapitalit. Mirëpo kur shteti nuk shihet më si arbitër midis shoqërisë dhe kapitalit, por si avokat i kapitalit kundër shoqërisë, konflikti nuk mbetet më teknik. Ai merr karakter moral e politik. Nuk debatohet më vetëm për leje ndërtimi, por për vetë kuptimin dhe qëllimin e qeverisjes.
Pikërisht kjo është arsyeja pse parulla “Shqipëria nuk është në shitje” nuk është thjesht slogan. Ajo është përmbledhje e një filozofie politike: territori nuk është vetëm aset ekonomik – ai është kujtesë, natyrë, identitet, mundësi e përbashkët dhe e ardhme publike. Një shoqëri mund të jetë e varfër në para, por jo aq e varfër sa të pranojë se çdo copë e së përbashkëtës duhet t’i dorëzohet kapitalit sapo ky shfaqet me gjuhën e “investimit”.
Ky konflikt shqiptar është shprehje lokale e një problemi global. Kapitali i madh i kohës sonë kërkon gjithnjë e më shumë territor, privilegj, përjashtim nga rregulli, qasje të drejtpërdrejtë te pushteti si dhe legjitimitet publik, por pa marrë mbi vete asnjë përgjegjësi shoqërore. Këtë e shpjegon qartë James Livingston kur dallon oligarkun nga klasa sunduese. Sipas tij, pasuria nuk shndërrohet vetvetiu në autoritet politik dhe kulturor; kapitali duhet të prodhojë legjitimitet, institucione, kompromis shoqëror dhe një ide të përgjithshme për mirëqenien publike. Përndryshe ai mbetet thjesht oligarki: pasuri pa përgjegjësi, pushtet pa kulturë, ambicie pa mision shoqëror.
Këtu rasti shqiptar bëhet i lexueshëm. Problemi i qeverisjes së Edi Ramës nuk është vetëm se mbron një projekt të kundërshtuar. Problemi më i madh është se ajo duket se e ka kthyer zhvillimin në gjuhë justifikuese për përqendrimin përzgjedhës të pasurisë, territorit dhe vendimmarrjes. Kur çdo projekt i madh quhet strategjik, çdo investitor i fuqishëm paraqitet si shpëtimtar dhe çdo kundërshtim qytetar përqeshet si prapambetje, smirë, folklor a pengesë ndaj modernizimit, zhvillimi pushon së qeni projekt publik dhe bëhet ideologji sundimi.
Në këtë pikë shfaqet mangësia më e thellë e demokracisë shqiptare: ajo ka votë, por jo gjithmonë shpërndarje të drejtë të tepricës shoqërore.
Me “tepricë shoqërore” nuk duhet kuptuar vetëm fitimi kontabël i një kompanie. Teprica shoqërore është ajo vlerë që një shoqëri prodhon përtej mbijetesës së thjeshtë. Ajo është pasuria që krijohet nga puna, territori, burimet natyrore, infrastruktura publike, arsimi, historia, pozita gjeografike, taksat, siguria juridike dhe vetë bashkëjetesa shoqërore. Kur një bregdet bëhet i vlefshëm për turizëm, ai nuk është i vlefshëm vetëm prej investitorit që vjen sot. Ai është i vlefshëm edhe prej natyrës që është ruajtur, rrugëve që janë ndërtuar, punës së njerëzve, historisë së vendit, imazhit kombëtar dhe burimeve publike që e kanë bërë atë të shfrytëzueshëm. Prandaj pyetja me këndvështrim demokratik nuk është vetëm “sa para hynë?” në vend, por “si ndahet vlera që është krijuar nga të gjithë?”.
Nëse kjo vlerë përqendrohet në duart e pakicave ekonomike e politike, ndërsa qytetari merr vetëm premtimin abstrakt të zhvillimit, atëherë demokracia reduktohet në autorizim elektoral për përvetësim. Vota mbetet, por sovraniteti shoqëror bëhet theror.
Ky është gabimi i madh i qeverisjeve shqiptare pas vitit 1990 – jo vetëm i njërës palë. Qeverisja e tipit Berisha dhe qeverisja e tipit Rama kanë dallime historike, politike, madje edhe të stilistikës ligjërimore. Por të dyja, në mënyra të ndryshme, kanë prodhuar një model ku pushteti elektoral përdoret për të administruar tepricën shoqërore në favor të klientelave, grupeve të afërta ekonomike, rrjeteve partiake dhe pakicave të lidhura me pushtetin. Njëra më shumë përmes privatizimit të egër, konfliktit institucional dhe familjes politike. Kurse tjetra më shumë përmes koncesioneve, PPP-ve, projekteve urbane, turizmit elitar dhe spektaklit të modernizimit.
Në të dyja rastet, defekti është i ngjashëm: vota përdoret si mandat për të qeverisur të përbashkëtën, por jo edhe si detyrim për ta ndarë atë në mënyrë të drejtë.
Merita e protestës së sotme është se e nxjerr në dritë këtë dallim midis demokracisë si votë formale dhe demokracisë si kontroll shoqëror mbi të përbashkëtën. Ajo i kujton qeverisë se mandati elektoral nuk është çek i bardhë për të negociuar me kapitalin mbi pasuri që nuk janë pronë e qeverisë. Bregdeti nuk është pronë e kabinetit. Ishulli nuk është pronë e shumicës parlamentare. Laguna nuk është pronë e një ministrie. E përbashkëta nuk i përket atij që fiton zgjedhjet! Ajo i përket krejt shoqërisë, edhe kur shoqëria ia beson përkohësisht administrimin qeverisë.
Por pikërisht këtu nis edhe prova e vështirë e protestës.
Sepse një protestë që ngrihet kundër përvetësimit të së përbashkëtës nga qeveria nuk duhet të përfundojë duke përvetësuar edhe vetë përfaqësimin e popullit. Nëse qeveria gabon kur thotë “unë kam votat, prandaj përfaqësoj popullin”, protesta po gabon po aq rëndë kur thotë: “ne jemi në shesh, prandaj populli jemi vetëm ne”. Përveç kësaj, demokracia nuk është vetëm votë, por nuk është as vetëm shesh. Demokracia është votë, shesh, institucione, llogaridhënie, transparencë, kufizim pushteti dhe sidomos procedurë e pranueshme për ndërrimin e qeverisjes.
Prandaj thirrja “nuk negociojmë me qeverinë, duam pushtetin shtetëror që ta qeverisim vetë të mirën publike” bëhet problematike nëse kuptohet si kërkesë për marrje të pushtetit në tavolinë. Një pretendim i tillë nuk është automatikisht demokratik vetëm sepse vjen nga protesta. Ai mund të shprehë zemërim të drejtë, por jo domosdoshmërisht legjitimitet të mjaftueshëm për qeverisje.
Kush është “ne”? Kush e ka mandatuar? Si zgjidhet? Sa kohë qeveris? Kujt i jep llogari? Me çfarë programi? Me çfarë kontrolli? Si largohet nga pushteti? Pa përgjigje bindëse ndaj këtyre pyetjeve, misioni i vetëshpallur i protestës rrezikon të bëhet një demagogji tjetër: jo më demagogjia e kapitalit në emër të popullit, por demagogjia e protestës “në emër të popullit”.
Ky këndvështrim krik nuk e dobëson protestën. Përkundrazi, e forcon atë, sepse i kërkon të jetë më demokratike sesa pushteti që ajo vetë kundërshton. Protesta ka të drejtë të kërkojë dorëheqje, hetim, anulim kontratash, pezullim projektesh, referendum, zgjedhje të parakohshme, qeveri teknike me mandat të kufizuar, reformë kushtetuese, fund të korrupsionit dhe kontroll publik mbi pasurinë e përbashkët. Por nuk mund të kërkojë që pushteti t’i dorëzohet asaj si shpërblim për sinqeritetin e zemërimit. Zemërimi nuk është program. Morali nuk është institucion. Sheshi nuk është kushtetutë.
Këtu qëndron dallimi midis protestës demokratike dhe populizmit protestues. Protesta demokratike do të thoshte: pushteti duhet të kufizohet, të kontrollohet, të hapet, të japë llogari. Ndërkohë që populizmi protestues thotë: pushteti duhet të kalojë tek ne, sepse ne jemi populli. E para hap demokracinë, kurse e dyta rrezikon të krijojë një përfaqësim të ri të pakontrolluar.
Prandaj artikulimi më i drejtë i protestës do të ishte ky: jo pushtet për protestën, por rikthim i pushtetit te procedura demokratike; jo zëvendësim i një arrogance me një tjetër, por ndërtim garancish që pengojnë çdo pushtet të sillet si pronar i së përbashkëtës.
Në këtë kuptim, misioni historik i protestës nuk është të marrë pushtetin si dhuratë të gatshme. Misioni i saj është të detyrojë shtetin të pranojë se demokracia nuk mbaron te kutia e votimit. Ajo duhet të hyjë nëpër kontrata, në buxhet, në territor, në bregdet, në koncesione, në drejtësi, në marrëdhënien midis kapitalit dhe punës, në ndarjen e tepricës shoqërore.
Këtu qëndron edhe dallimi midis një shoqërie demokratike dhe një shoqërie autokratike brenda kapitalizmit. Kapitalizmi mund të bashkëjetojë me demokracinë vetëm kur pranon kufij shoqërorë, ekologjikë, ligjorë dhe politikë. Kur kapitali vendos vetë se çfarë është “zhvillim”, kur qeveria ia përkthen atij dëshirën si “interes kombëtar” dhe kur qytetari mbetet spektator i vendimeve që prekin të ardhmen e tij, atëherë kapitalizmi nuk është më ekonomi tregu brenda demokracisë. Ai bëhet oligarki me fasadë elektorale.
Shoqëria demokratike nuk është kundër tregut si të tillë. Por ajo nuk mund të pranojë që tregu ushtron sovranitet mbi demokracinë. Tregjet nuk janë “natyralë”. Ato janë ndërtime njerëzore, ligjore, kulturore dhe politike. Prandaj pyetja nuk është nëse duhet apo nuk duhet të ketë treg. Pyetja është: çfarë tregu, për kë, me çfarë rregullash, me çfarë kufijsh dhe në shërbim të cilit qëllim shoqëror?
Nëse tregu prodhon vetëm pasuri për pakicën, emigrim për shumicën, shërbime të dobëta publike, territor të rrethuar, bregdet të privatizuar dhe qytetarë të përjashtuar nga vendimmarrja, atëherë ai nuk është zhvillim; është zhvendosje e pasurisë së përbashkët drejt pakicës. Nëse shteti këtë e quan “zhvillim”, atëherë shteti bëhet pjesë djallëzore e demagogjisë.
Prandaj kriza e sotme shqiptare mund të përmblidhet në këtë fjali: qeveria kërkon ta paraqesë kapitalin si popull, ndërsa protesta, nëse nuk tregon kujdes, rrezikon ta paraqesë veten si “të vetmin popull”. Midis këtyre dy rreziqeve duhet të sipërohet demokracia e vërtetë: ajo që nuk lejon as kapitalin, as qeverinë, as protestën të flasin në emër të së përgjithshmes pa llogaridhënie.
Zgjidhja e duhur nuk është as nënshtrimi ndaj qeverisë, as dorëzimi i pushtetit te protesta si subjekt i vetëshpallur. Zgjidhja është hapje e një procesi të ri demokratik: pezullim dhe hetim i projekteve të kundërshtuara, transparencë e plotë kontratash, kontroll gjyqësor dhe parlamentar, konsultim publik real, referendum aty ku preket pasuria e përbashkët, qeveri teknike vetëm me mandat të qartë kalimtar, zgjedhje të parakohshme nëse kriza nuk zgjidhet ndryshe dhe, mbi të gjitha, një parim i ri kushtetues ende i pashkruar: asnjë qeveri nuk mund ta trajtojë të përbashkëtën si pronë të mandatit të vet.
Vetëm kështu protesta mund të fitojë kuptim historik. Domethënë jo duke kërkuar pushtetin “në tavolinë”, por duke e detyruar pushtetin të mos jetë më tavolinë ku ndahen pasuritë publike midis qeverisë dhe kapitalit. Jo duke u shpallur vetë sovrane, por duke e rikthyer sovranitetin te qytetari, te procedura, te kontrolli, te drejtësia dhe te ndarja më e ndershme e tepricës shoqërore.
Sepse demokracia nuk është vetëm e drejta për të votuar ata që do të qeverisin. Demokracia është edhe e drejta për të mos i lejuar ata që qeverisin që të përbashkëtën ta shesin në emër të popullit. Nëse kjo e drejtë bëhet ndërgjegje shoqërore e qëndrueshme, protesta nuk do të mbetet vetëm kundërshtim ndaj një projekti. Ajo do të jetë edhe fillimi i një kërkese më të pjekur, që nënkupton se kapitalizmi shqiptar, nëse do të jetë pjesë e një shoqërie demokratike dhe jo autokratike, të mësojë se zhvillimi nuk matet vetëm me vlerën e investimit, por me drejtësinë e përfitimit, me mbrojtjen e së përbashkëtës dhe me dinjitetin e qytetarit që nuk pranon më të qeveriset duke e lënë atë në fund të sallës si spektator të rëndomtë.

Artikuj të lidhur

Back to top button