
Nga Mustafa Nano-
Menjëherë pas postimit tim të fundit polemik, u ngut për të bërë një ndërhyrje Ergys Mërtiri (shihni te komentet poshtë postimit tim). E përfundon duke ma hequr të drejtën për të folur për Islamin, pasi unë nuk ia paskam haberin “akides, tefsirit, usulit, fikhut, linguistikes, siras, hadithit, ilmu-rixhalit.” Dhe këtë zanat kanë një pjesë myslimanësh (ku bëka pjesë edhe Mërtiri). Një ideologji barbare si Islami e bëjnë shumë të të ndërlikuar. Një libër arab të shkruar në shekullin VII e bëjnë si librin e librave. E kështu me radhë. Unë nuk di se çfarë di Mërtiri nga Islami, ku besuaka, pasi nuk ka patur guximin të matet me ndonjë në publik në këtë lëmë. Do doja të mësoja, sidomos, çfarë ka ditur kur është bërë mysliman sefte. Është e sigurt që ai nuk është bërë mysliman, pasi ka mësuar se ç’është akidi, tefsiri, usuli, fikhu, sira, hadithi, ilmu-rixhali, etj. Përkundrazi, të gjitha këto e të tjera, nëse i di, aq sa di, i ka mësuar më pas. Kështu i bie që ai paska të drejtë të bëhet besimtar pa ditur gjë prej gjëje, si tekayt, ndërsa unë nuk paskam të drejtë të flas për Islamin pasi kam studjuar Kuranin, pasi kam lexuar nja dy mijë faqe të Hadithit sipas Buhariut, e pasi kam lexuar dhjetra libra mbi Islamin të shkruara nga islamikë, anti-islamikë e dijetarë laikë. E njoh thelbin e Islamit më mirë se shumë myslimanë shqiptarë. Nuk e di sa e njeh Mërtiri, pasi në të vërtetë ai nuk flet për Islamin, a thua se i vjen turp që është mysliman. Fakti që ai më përmend ca terma e nocione të Islamit, si ilmu-rixhali, etj, nuk është provë se di ndonjë gjë. Ka njerëz që Islamin e njohin më mirë sesa unë? Me siguri. Por puna është që unë kam mësuar për Islamin aq sa më duhet për të kuptuar dukurinë, me fjalë të tjera për të kuptuar se Islami origjinal është një ideologji primitive e barbare, ashtu si edhe Judaizmi e Krishtërimi i origjinës xhanëm, dhe se, nëse Islami sot shfaqet më barbar sesa është në të vërtetë, kjo nuk ka të bëjë me Islamin e origjinës. Ka të bëjë me myslimanët vetë. Me fjalë të tjera, shumë myslimanë, ku po fus edhe Mërtirin, janë më barbarë sesa feja e tyre e origjinës. Unë do të fajësoja ata pra, e jo islamin e origjinës. Po njësoj, nuk është Krishtërimi që është një fe moderne. Janë të krishterët që kanë vendosur t’ia përshtasin fenë e tyre kohës, në të cilën jetojnë. Vetë Krishtërimi është po aq “modern” sa edhe koha, kur ai lindi, dmth shekulli një. Pse e them këtë? Sepse edhe Krishtërimi është mizogjinik (Testamenti i Vjetër është më i mbrapshtë se Kurani kur vjen puna te gruaja). Krishtërimi i origjinës legjitimon skllavërinë. E kështu me radhë. Fajin pra nuk e kanë fetë që, edhe në qençin për faqe të zezë, siç janë, kanë si alibi kohën kur kanë lindur. Shkurt, fajin e kanë besimtarët. Kur këta të fundit duan të jenë më barbarë sesa feja e tyre e origjinës, atëherë feja ngjan e tmerrshme, siç ngjante Krishtërimi gjatë kryqëzatave apo gjatë gjuestisë së shtrigave apo gjatë inkuizionit, apo siç ngjan Islami në ditët e sotme.
Ka shumë myslimanë që nervozohen e fyhen kur të tjerët (jo myslimanët) flasin për Islamin, e kështu kanë gjetur që ta trajtojnë Islamin si një ideologji ezoterike, të mbyllur, ose si një ideologji për konsum të brendshëm. Unë nuk do isha kundër, por çojeni deri në fund këtë qasje, me fjalë të tjera, mos pushtoni hapësirën publike, mos dilni nëpër rrugë e sheshe, faluni nëpër apartamentet tuaja, ezanin dëgjojeni në celular apo në youtube, gratë e mbuluara mbyllini me shtatë kyçe në shtëpitë tuaja, e kështu me radhë. Në këto rrethana, në thënça një fjalë për Islamin, apo kundër Islamit, më thertë në grykë! Se ç’punë do kisha unë me një rincoglionito që është në punë të vet e që mua nuk më shqetëson fare? Përkundrazi, do ta respektoja në max.
Reagimi i Mërtirit është nervoz, mirëpo unë jam mësuar me këtë lloj nervozizmi. Kam debatuar që herët me myslimanët, që në kohët kur Islamin e njihja shumë më pak sesa e njoh sot (por më shumë sesa e njihte Mërtiri kur është bërë mysliman). Mbaj mend të kem polemizuar me shkrim e me gojë (në studio TV) me Ervin Hatibin, që shfaqte të njëjtin nervozizëm. Këta njerëz sillen sikur të jenë bartës eksluzivë të së vërtetës, a thua se sapo kanë dalë nga një takim me engjëllin Gabriel. Të dashur Mërtira e Mërtire, bëhuni debatues normalë! Futni në llogari që besimi juaj ca të tjerëve u hyn nga njëri vesh e u del nga tjetri. Futni në llogari që të tjerët mund të kenë pikëpyetje e dyshime mbi besimin tuaj, për të mos thënë sigurinë se ai besim është një pesë me hiç, si të gjitha besimet.
Pastaj, në ka njerëz, të cilëve duhet t’u hiqet e drejta e të qenit i fyer, këta njerëz janë myslimanët vetë. Për ata që nuk e dinë, Islami i bën sulmin më të egër Krishtërimit. Islami ka lindur si një fe anti kristiane. Në Kuran refuzohet e përqeshet ideja se Jezu Krishti është bir i Zotit, se ai u kryqëzua dhe se ai u ringjall në të tretën ditë. E shihni? Islami godet brinjë më brinjë thelbin e Krishtërimit. Sepse ky është thelbi: Së pari, Jezui është bir i Zotit, së dyti Jezui u kryqëzua si sakrificë për njerëzimin, e së treti Jezui u ringjall si shenjë se fuqinë në këtë botë nuk e ka vdekja, por ringjallja. Nëse i hedh poshtë këto tri gjëra Krishtërimit, atëherë pirdhi në të. Dhe të kuptohemi, këtë fyerje nuk e bëjnë Mërtiri me shokë. E bën vetë Islami. Por të krishterët nuk e kanë bërë për të madhe. Ndërsa myslimanët fyhen edhe po të japësh një opinion të balancuar mbi fenë e tyre. Ke parë ti kështu?
Edhe një gjë të fundit. Mërtiri bën të më japë mësime për kulturën, për përkufizime të ndryshme të saj, apo edhe për për ndryshimin mes kulturës e qytetërimit. Mund t’ma kursente këtë ngrefosje ex cathedra nga maja e minbarit. Por e dini? Nuk po ndalem në këtë pikë. Unë po e sfidoj Mërtirin: Jepe ti, i dashur, një përkufizim tëndin n’daç të qytetërimit, n’daç të kulturës, dhe më shpjego se si e në ç’pikë Islami yt është një qytetërim i barabartë me qytetërime të tjera fetare apo laike, si Krishtërimi, Judaizmi, liberalizmi, apo ku di unë.



