Aktualitet/LajmeKryesoreNdodhi

Me snajper në automjet gati për të kryer vrasje, në kërkim 23-vjeçari në Kurbin! Gjatë arratisjes rrezikoi jetën e policëve

Orgest Mehi, 23 vjeç është shpallur në kërkim nga policia e Lezhës, pasi dyshohet se do të kryente një vrasje, mesnatën e (18 dhjetorit).

Siç njofton policia, në bazë të informacioneve, në vendin e quajtur ‘Kryqëzimi i Fushë Kuqes’, Kurbin, ata i bënë me shenjë ndalimi një makine në të cilën dyshohet se po qarkullonte i riu që do të kryente vrasje.

23-vjeçari, i cili po drejtonte makinën, sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka rritur shpejtësinë, duke rrezikuar edhe jetën e punonjësve të policisë që ishin në patrullë. Pasi është larguar me shpejtësi në fshatin Gurës, ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga errësira është larguar me shpejtësi.

Gjatë kontrollit në makinë, policia ka gjetur një armë zjarri snajper me precizion të lartë, me një krehër me fishekë në fole të dhe një çantë me fishekë të tjerë për këtë armë.

Në kuadër të hetimeve, u arrestua Mateo Dashi, 21-vjeç, banues në fshatin Gurëz, Kurbin, si dhe u shpall në kërkim Gjon Martinaj 30 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin.

Sipas policisë të dy dyshohen si bashkëpunëtorë të Orgest Mehi, 23 vjeç, banues në fshatin Gurëz, Kurbin (i shpallur në kërkim), për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.

Ndërkohë policia po vijon kontrollin për kapjen e Orgest Mehit dhe Gjon Martinajt.

Vijon puna hetimore në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe për dokumentimin e plotë ligjor të saj.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button