-Nga Ymer Hysa-
Për bashkohësit e mi studentë apo me saktë për të gjithë studentët të cilët patën fatin dhe nderin ta kenë profesor apo edhe Rektor të Universitetit Haxhi Aliko do të mbetet përjetësisht në kujtesë si profesor kompetent në lëndën Fiziologjia e Kashëve Bujqësore që jepte në Fakultetin e Veterinarisë. Kishte një trup kollos, vishej bukur dhe krehej mirë dhe ishte kënaqësi ta ndiqje në leksione zërin e tij përmes një gjuhe të pasur letrare, që të detyronte da dëgjoje gjithë sy e veshë.
Prof. Haxhiu zotëronte njohuri të thella jo vetëm në lëndën e tij por në kompleks. Kjo e bënte një metodist serioz dhe tepër të dashur me studentët. Jo vetëm unë autori i këtyre radhëve, por mbarë studentët që kaluan përmes “duarve të tij” ruajnë kujtime të bukura dhe e kujtojnë me shumë mall si profesor babaxhan.
Karriera e tij pas përfundimit të Fakultetit të Veterinarisë më 1962 në Institutin Bujqësor sot Universiteti Bujqësor do të lidhej me punën kërkimore shkencore mbi sëmundjet metabolike në kafshët bujqësore dhe do zinte shumicën e viteve të punës së tij. Falë rezultateve të arritura në studimin e sëmundjeve metabolike në kafshë arriti të fitojë në vitin 1979 titullin Kandidat I Shkencave dhe vetëm pesë vite më vonë dhe pikërisht në vitin 1982 falë studimeve të thelluara dhe të avancuara do të merrte titullin Profesor i Asociuar dhe më pas Profesor. Si lektor dhe Profesor do të jepte lëndën Fiziologjia e Kafshëve në fakultetin ku u shkollua, apo si shef i katedrës “Fiziologji- Biokimi”, katedër që e drejtoi për 16 vite duke vijuar për 4 vite të tjërë si Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Prof Haxhi Aliko falë reputacionit që zotëronte do të tërhiqte edhe vëmendjen e politikës. Ai do të angazhohej si deputet dhe në “Qeverinë e Unitetit Kombëtar “me Kryeministër Bashkim Fino do të zgjidhej Ministër i Bujqësisë, detyrë që e vlerësoi maksimalisht dhe e kreu me nder.
Ky aktivitet i gjatë dhe i larmishëm i dha figurës së tij intelektuale përmasat e një intelektuali të shquar. Gjatë gjithë viteve të punës së tij Profesr Haxhi Aliko do të realizonte botimin e shtatë teksteve, tre librave, mbi tridhjetë artikujve dhe si udhëheqes i shtatë desertacioneve. Ai mbart çmimin Laureat i Republikës i dhënë në vitin 1982.
Me profesor Haxhi Alikon kam patur fatin dhe nderin jo vetëm të jem student i tij por edhe të takohem në aktivitete të ndryshme, veçanërisht në përvjetorët e Themelimit të Mjekësisë Veterinare apo të ngritjes së Fakultetit të Veterinarisë, si edhe në takime me Urdhërin e Mjekut Veterinar ku ndihma e Prof, Alikos nuk do të mungonte kurrë.
Ai u nda nga jeta në moshën 82 vjecare dhe sa ishte “me këmbë e me dorë” nuk e ndau ndihmën dhe bashkëpunimin me kolegët, ish studentët, me miqtë dhe me gjithë të njohurit. Brezat e studentëve do ta kujtojnë me mall pedagogun e shquar, njeriun që mban mbi vetë vlerësime, tituj dhe dekorata dhe mbi të gjitha emrin e madh njeri.