BlogKryesoreKulture

Me rastin e 8 vjetorit të largimit nga jeta: GJENERALI BUJAR LAKO

Nga Miho Gjini-
Në një bisedë që kam pasur me Artistin e Popullit Naim Frashëri, si kishim parë debutimet e para të Bujar Lakos, në Teatër e në dy filmat e parë të tij, “Në fillim të verës” dhe “Përballimi”, në mesin e viteve ’60 të shekullit të kaluar, shprehu kënaqësinë e tij, për qetësinë filmike të Bujarit që fshihte emocione të brendshme burimore e të pasura në reflekse dhe shtoi se e kishte këtë
djalë me talent nga rrethi i tij familjar. Dhe unë do të vrapoja të nesërmen t’ia thosha atij, atje ku e kishte shtëpinë, në kryqëzimin e rrugës “Myslim Shyri”, ulur në një lokal të veçuar, ku shërbehej vera që ai e preferonte, po edhe pakëz raki rrushi, me ndonjë çikë’ meze. E vështroja më kërshëri këtë aktor Hedonist, Dionisiak e Hamlet të vonshëm. Kjo do të qe edhe biseda ime e parë me të, shoqëruar me një buzëqeshje elegante e maturi fjalësh të prera e të sakta.
▪ “Rrëmbimi” nga teatri
Kjo ndodhte pashmangshëm, për talentet që viheshin re menjëherë. I rrëmbente Teatri Qendror. Dhe kjo, s’kishte si mos të ndodhte me një djalosh tërheqës si Bujar Lako, për të cilin interesohej edhe Naim Frashëri, për studentin që kishte shkëlqyer ndër shfaqjet e diplomës. Me portretin e veçantë, me zërin e ngrohtë, me shikimin e zjarrtë dhe depërtues, si edhe me elegancën trupore. Dikur kishte studiuar shtresat nëntokësore të gjeologjisë, por ja që ishte i lindur për aktrimin dhe e kishte braktisur “drejtimin e parë”. Tip bohem që e dashuronte jetën, e menjëherë në institut, ra në dashuri me Mirën, studenten që i ishte përkushtuar muzikës. Dhe me të u trashëgua, duke kapërcyer edhe telashe e thashetheme shqetësuese, me vendosmërinë e një njeriu energjik, kurajoz dhe erotik.
Mirëpo, qe një kohë e politizuar, kur aktori vihej në “dilemën”: ose të dilje në skenë me rolin që të jepnin, ose të largoheshe menjëherë dhe të refuzoje kështu edhe ëndërrimet e tij për teatrin! Dhe, midis 70 roleve që iu ofruan Bujar Lakos në Teatrin Popullor qe i detyruar të lozte edhe role të ashtuquajtur “pozitive”, sikundër qe “Vata”, te drama e Kolë Jakovës “Toka jonë” në vitin 1974 e që do të vazhdonin me disa tekste akoma më skematike e të politizuara si: “Lezja”, “Gryka e nëmur”, “Furrnalta”, “Gjëmimi i atij dimri”, “Njerëz të thellësive”, “Vendimi” e kështu me radhë. Ndryshe do të ndodhte, kur në repertorin e këtij teatri qendror, do të hynin edhe disa vepra të dramaturgjisë së huaj, sikundër ishin “Vizita e Inspektorit” e Xh, Pristlit në vitin 1980, “Vdekja e një komisioneri” nga Artur Miller në vitin 1986, “Ditë vere” nga Mrozhek që e zgjodhi dhe e vuri vetë në skenë, “Ariu” i Çehovit dhe “Monserati” i Rables, rivënë në skenë nga Piro Mani në vitin 1985, tek të cilat aktori Bujar Lako do të rrëfente mjeshtërinë e tij, si një artist me shije të hollë në pasqyrimin skenik të personazheve të tij edhe kur ato ishin të “dorës së dytë”, me dimensionin, mjeshtërinë profesionale dhe me seriozitetin që karakterizonte natyrshëm dhe pa krijuar ndonjë shqetësim regjisorial. Te ky aktor nuk “kërciste roli” jashtë vetes dhe kineastët që erdhën nga jashtë pikasën aktorin e filmave të tyre…Gjë që do të dukej me gjithë shkëlqimin e vet, në shfaqjen e dramës së Oscar Wilde, “Portet i Dorian Greit”, ku regjisori Kiço Londo, do të vendoste tre nga aktorët tanë më të mirë: Bujar Lakon, Ndriçim Xhepën dhe Fatos Selën. Suksesi do të ishte i madh. Mirëpo kjo ngjarje artistike do të ndodhte në një periudhë tjetër kohore, në vitin 2002, kur tashmë “zinxhirët frenues” qenë këputur. “Bazili i Bujar Lakos, – shkruante pas kësaj shfaqjeje tronditëse, publicisti e shkrimtari Faruk Myrtaj, – është thjesht kujtesa e pamjes së tij, në telajo dhe në kohë, krijuesi dhe rrënimi i vërtetë…”
▪ Drita që vinte nga “Udha e Shkronjave”
Atëherë jetën nuk e kishe në dorën tënde. Sikundër do më ndodhte dhe mua që për 10 vite të përjashtohesha jo vetëm nga TEATRI, po edhe nga jeta normale. Në diktaturën e egër! Madje edhe pas viteve 1983, si kisha përfituar nga një “Amnisti” e imponuar nga presioni i jashtëm e i brendshëm për “shkeljen e të drejtave më elementare të njeriut” dhe do të dilja nga të ashtuquajturat “kampe riedukimi”, nuk do ta gjëja më profesorin e mikun tim NAIM FRASHËRI, po nuk do guxoja t’i dilja përpara as Bujar Lakos që e pata njohur në të njëjtën shkollë aktrimi, me drojën se edhe ai do “të më kthente krahët”, sikundër bënin edhe shumë të tjerë, teksa “frika ndaj nesh që kishim në fanellë etiketën e “Armikut”, gjithsesi mbetej” aq më tepër kur Bujari, kishte shkëlqyer (në mungesën time të gjatë), me rolin e Tunxhit, përbri aktorit të madh Sandër Prosi, në filmin “Udha e Shkronjave” (1978), me Halil Beratin në filmin “Gjeneral Gramafoni” (1978), me Mujo Barmemën në filmin “Ballë për ballë” (1879) dhe me rolin e Luigj Gurakuqit në filmin “Nëntori i Dytë” (1982), role UNIVERSALE e DRITËSJELLËSE për këdo njeri që e dashuron jetën, po për artin e shtatë. Regjisorët e rinj të filmit, sidomos Anagnosti, Gjika e Milkani, me guximin e aftësinë e tyre profesionale, po dilnin mbi kohën e tyre dhe nga shtrëngesat e regjimit. Ata sollën edhe personazhe që mbartnin mbi supe realitete të ndryshme shoqërore e tipare jete të jashtëzakonshme, të “servirur” në trajtat më të thjeshta e më të vërteta, të një realiteti të hidhur që kisha kaluar e do të hyja tashmë në sallën e një kinemaje me një kapele të rrasur në kokën time të qethur si delet, një mbrëmje dimri të vitit 1983 për të parë filmin “Dora e ngrohtë” që nga njëra anë do të më ngrohte, me mesazhin që përcillte për ne ish-të burgosurit politikë të pafajshëm që ngjanim si “fantazmat e një varreze”, po edhe do të më “mrekullonte e tmerronte njëherësh” përsëri Bujar Lakoja, me rolin e Spahiut që e lozte me aq vërtetësi, me tiparet e një keqbërësi, si ata të tjerët që mbetën nëpër burgje e që fshiheshin ende nëpër “skuta jete”, në të kundërtën, po ama me plotë natyrësi rrëqethëse, sikundër dinte t’i vishte rolet e tij ky artist brilant që unë e pata njohur në të njëjtën shkollë aktrimi.
Por në dhjetëvjeçarin që pasonte, nuk do të kisha më mundësinë që të shkruaja e të botoja as për të e as për kënd tjetër. Kishte filluar “seanca” e “luftës klasore” edhe më e rëndë akoma, sikundër e thoshte edhe profesori im i ndjerë Kujtim Spahivogli, se “qe më e rënduar edhe nga burgu, ngaqë dënoheshe pa asnjë “ditë lirimi” të shënuar në ndonjë letër, ashtu si e kishin të burgosurit me gjyqe të zakonshme që ishin aq të shpeshta!” Kështu që kisha kohë boll që të analizoja në vetminë time, rolet e këtij aktori që po i vinte vendit tim si një shëmbëlltyrë e ARTIT SUPERIOR, ashtu pa zhurmë, me vlera shpirtërore të brendshme, pa sforcime e gjeste, nëpër një jetë rrjedhëse në “qiellin e tij”. Me atë tunxhin që sjell ngarkuar në kuaj nga jashtë shtetit e nëpër male, germat e gjuhës shqipe, bashkë me Dhaskal Todrin e nuk di ende se çfarë qenë ato, por kur do ta mësojë, do të kishte një kthjellim perëndie si të zbulimit të një “miniere ari” aq sa kur do ta vrisnin atë, Dhaskalin udhërrëfyes, në mesin e një pylli të errët, do të lebetitej prej pabesisë së atyre vrasësve të dijes me një reagim të rrallë njerëzor. E gjitha kjo e ngjarë në një atmosferë kohe të kaluar që përcillte zjarre nate të errëta, në përgjime e “zgjime” të hatashme. Për të vajtur në një tjetër figurë që mbartte këngë mbi telat e një violine, si ajo e Laver Bariut të Përmetit që e “dridhte melodinë me klarinë, si ia donte shpirti brenda”. Se edhe filmi “Gjeneral Gramafoni” i vitit 1978 po atij i përkushtohej me një tjetër emër, me Halil Beratin që skenaristi Vath Koreshi e regjisori Viktor Gjika e patën përjetuar si karakter i pa përsëritshëm, me këtë aktor të famshëm, me Bujar Lakon. Aktori i frymëzuar do të njësohej këtu me personazhin e tij, si të ishte klarineta, një “brinjë e tij”, me partiturë të vetme, shpirtin e tij të pasur. Instrumenti qe vetë këngëtari, vetë tingulli e poezia, me ndjesinë e zogjve të qiellit, me freskinë e burimeve të maleve që gurgullojnë. Klarineta e tij dinte edhe të vuante, të qajë e të qeshë, si edhe t’i bënte burbuqet e luleve të çelnin, apo që të vibronte zëmra e njeriut, sa të pushtonte edhe hapësirat e përtejme. Ajo të prekte, “gjallonte edhe të vdekurit” e zgjonte vlera të pazakonte të një lirizmi të ngrohtë romantik. Më ndryshe do të ishte në rolin e Mujo Barmemës së filmit, “Ballë për ballë” (1979), të regjisorëve Çashku e Milkani, si figurë stoike e një BURRI SHQIPTAR i një patriotizmi të rrallë. E jo rastësisht nga kineastët është quajtur me emrin e Mujo Ulqinakut që u përball me pushtuesit Italianë dhe ra heroikisht nga plumbat e tyre. Po diçka më tepër. Një figurë heroike, sa e thjeshtë aq edhe e qëndrueshme, stoike që e kanë përbrenda vetes edhe trimërinë, qoftë edhe me një agresor më të madh e më dinak, përballë vetes e shtetit të tij të vogël, një personazh që e shpie gjer në triumf guximin dhe vlerën morale, ashtu qetë e me dialog të mprehtë, pa iu trembur syri. Karshi një admirali mendjemadh e agresiv që rreket të jetë edhe patetik e i vendosur, gjer në marrëzi. Ky dyluftim është parë e i trajtuar nga aktori ynë i ri në moshë Bujar Lako, në planin psikologjik e real, natyrshëm e i vërtetë që do ia kishte zili kushdo aktor, në atë dallgëzim deti të fortë, përballë rivalit të gurtë edhe ai, si në një duel midis jetës e vdekjes. Për ta mbyllur “ciklin e roleve të mëdha”, me një tjetër figurë patriotike, këtë herë me intelektualin patriot (real) Luigj Gurakuqi në filmin e Gjikës “Nëntori i Dytë” (1982), madje me një ngjashmëri të rrallë, të një figure “shik”, model i mençurisë e i bukurisë fizike, tek i cili fisnikëria është e mbetet tipari kryesor, me fare pak fjalë e me dinjitetin e një personaliteti të arsimuar e me kulturë, i cili do të qëndrojë përkrah figurës emblematike të Ismail Qemalit të Sandër Prosit, si një gjetje e realizim artistik i përsosur. Më së shumti, një figurë që flet pak, por edhe kur nuk flet fare, ashtu lirshëm e me qëndrimin i tij rrezatues, diellor, teksa i flisnin sytë e zinj me plotë mirësi dhe edukatë intelektuali, të pashembullt.
“Bujar Lako luajti tre gjeneralë, – thotë Mevlan Shanaj, aktor-regjisori dhe shoku i tij i jetës, e i shkollës së aktrimit, – gjeneralin e muzikës Laver Bariun, gjeneralin e marinës shqiptare Mujo Barmema dhe gjeneralin e ushtrisë së vdekur italiane”, si ZOT I EKRANIT, duke u shndërruar në legjendë me ikjen e tij… Ai e shfrytëzoi në mënyrë intuitive, shkëlqyeshëm. “Përkëdhelja e Aktrimit” të parë në ekran, i dha sharmin të shumëzonte në ngjitje, hijen e tij dhe si ç’do hije e bëri aktorin më të lakmueshëm në dy dekada.”
▪ Si në një “Galeri figurative”
Në sistemin e ri shoqëror, kur u ndje edhe liria e shprehjes në një frymëmarrje të gjerë, u krijuan mundësi të larmishme interpretuese edhe në dramaturgjinë bashkëkohëse. Pa kufizime e censurime, kur teatri e zgjidhte vetë repertorin e tij. Teatri Modern po i “hapte dyert” edhe te ne. Po vinte kështu edhe flladi i ri i interpretimeve. E kjo do të ishte ca më e dukshme, në filmat e mëvonshëm. Kur Bujar Lakon do ta shihnim edhe në figurën sekondare të një tankisti të çakërdisur në filmin e Mevlanit “Lule të kuqe, lule të zeza”. Ky bashkëpunim artistësh e miqsh të pandarë kishte ndodhur edhe me filmin “I Paharruari”, ku Teatri Zonja e Bujtinesar Lako interpreton me dinjitetin e një artisti të përkorë, figurën e kryerolit Besim Peja, me një natyrësi të admirueshme, për të dalë në realizimin e aktit të tij të guximshëm e trimëror, me vërtetësi e kundër klisheve të njëhershme”. Po shfaqej tek ai talenti filmik, i një artisti që e kishte të vetin ekranin, si një
pasqyrë e shpirtit, etje e pashuar e trupit, rrahje e gjakut, kthjelltësi e syrit të pa lëvizur. “Pus i thellë” i emocioneve dhe i dijeve bashkë, si edhe një sugjestion zhbirues e damkosësh. Por edhe i mprehtë, si tehu i briskut, në rolin e një oficeri italian të zbulimit, në filmin “Vendimi”, duke përcjellë profilin origjinal të një psikoanalisti të fashizmit që mbart ftohtësinë e akullit, po edhe vëzhgimin ekzakt të pagabueshëm, si të ishte jo më një aktor shqiptar, po i lindur në truallin e “Çizmes së Mesdheut”. Qe ndjerë ndryshimi, në shfaqjet skenike “Vdekja e Dantonit” nga Bylner, më 1996- ën dhe te “Portreti i Dorian Greit” nga Oscar Wilde më 2002-shin, porse në kinema kjo do të ishte edhe më befasuese. Veçanërisht në filmat: “Syri Magjik” më 2005-n, “Amsterdam Express” më 2014, “Amiko Teacher” më 2014-n, “Honeymoons” dhe “Muaji i Mjaltit” më 2009-n që ishte edhe interpretimi i fundit për artistin e madh që shënonte periudhën e artë të interpretimeve të tij, si një mjeshtër zhbirimi i psikologjisë njerëzore. Më i dukshëm në film se sa në teatër, ku kamera fikson e jep detajin gjer në nuancat më të holla të interpretimit, fikson portretin e njeriut më estetikën më të përkryer.
Jo rastësisht, roli kryesor i Bujar Lakos, në fi e Çashkut “Syri magjik”, me skenarin e Koreshit e të vetë atij, do të ishte një event artistik edhe për publikun e Kajros (në Egjipt), ku tingëlloi alarmues edhe mesazhi i së vërtetave që duhet të përcjellin mediat ngado e kudo, me “syrin real”, kundër gënjeshtrës e lustrimit’ të realiteteve të rreme. Duke hapur kështu një hapësirë sa tragjike, aq edhe groteske. Fotografi Petro i Bujar Lakos që ka studiuar dikur në Paris e ka pasur aty edhe një episod erotik mbresëlënës, ndodhet tashmë në një realitet tjetër e në rrethana të tjera që e dërmojnë njeriun e lirinë e tij .”Syri” i aparatit fotografi e syri i tij real do të fi gjithçka që ndodh, kur jeta nëpërkëmbet. Hapet para tij “drama e humbjes” që e dëshpëron thellë e i krijon “plagë të reja”. Vështrimi i aktorit “shqyhet së brendshmi” tragjikisht. Gjithçka e fi edhe nga aparati i tij fotografi që xhiron e fi 97-ën, absurde e shkatërrimin e jetës normale. Në një interpretim vanitoz të një artisti të dimensioneve europiane, si Bujar Lakoja ynë… Paskëtaj, do të ishte i të njëjti nivel lartësie edhe në fi “Amsterdam express” në vitin 2004, “Amiko” dhe “Honeymoons”, i vlerësuar edhe në këto. Që do të nderoheshin me çmime ndërkombëtare e kombëtare, si aktori më i mirë (disa herë), me çmimin e karrierës dhe me “Palmën e Artë”, inderuar me titujt “Naim Frashëri i Artë” dhe “Artist i Merituar” qysh në vitin 1885 e “Nderi i Kombit”, së fundi, në vitin 2003. Jetoi 68 vite e iku në kulmin e lavdisë së tij, si aktori që zaptonte nivele e horizonte të pakufi papritmas, në një natë të kobshme të vitit 2016, nga një “atak kardiak”.
E kujtojnë me veneracion e hidhërim bashkë, shokët e partnerët e tij artist. Aktori e Poeti Timo Flloko shprehet: “Bujarin e pata shok të afërt”! Ishte i kompletuar si aktor, me të dhëna të veçanta e të çdo dimensioni, me një dramacitet të theksuar emocional e shpërthyes. Me interpretimet e tij arriti majat e aktrimit shqiptar, me role të mëdha si Halil Berati, Tunxhi, Mujo Barmema e Martin Kreka. Ajo ç’ka e bënte të veçantë, ishte se ai solli një tonalitet të ri, interpretim kontemporan, në teatër të lojës, në kinema. Qe modern, me personazhet e tij dhe i ndjeshëm. E paraqiste rolin, me personalitetin dhe karakterin e tij. Porse, duke shprehur personalitetin e Halil Beratit, donte të shprehte, më ndryshe dhe me mjeshtëri edhe një tjetër individualitet, si Tunxhin. Dhe është Bujari, në të gjitha rolet. Transformimi i tij qe i thellë, i brendshëm. Kjo e afronte atë me lojën e aktorëve të mëdhenj. Sigurisht që, ai mbetet një nga aktorët që, jo vetëm solli risi për brezat më të rinj, por la edhe “vulën” e vet në rolet që krijoi, të cilat do të mbeten në fondin e artë të aktrimit shqiptarë”. Ky proces i mrekullueshëm krijues i dimensioneve artistike të mëdha, ndodhte kur aktori Lako, ishte në partneritet me aktorë të të njëjtit nivel interpretues si me aktorin Ndriçim Xhepa. “Kur nisa punë në Teatër, kishim 10 vite diferencë me Bujar Lakon”, i shprehet me hidhërim Ndriçim Xhepa redaktores së gazetës “Panorama”, disa ditë pas largimit të tij nga jeta. Mirëpo do të ndodhte që të bëheshim kolegë dhe miq të loznim së bashku, në teatër e në film, në më shumë se 10 vepra skenike e filma, ndërkohë që ai kishte krijuar një emër të madh. Mund të përmendim kështu filmat: “I Paharruari” në vitin 1983, “Vendimi” në 84-ën, “Telefoni i një mëngjesi” në ’87-ën dhe “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur” në ’89-ën, ndërsa, në teatër; “Monserati”, ai me rolin kryesor të Monseratit dhe unë me rolin e Rikardos, në vitin 1986, “Vdekja e një komisioneri” në një treshe të rrallë interpretuese të dy vëllezërve (Biti-Bujari, Hepi-unë, me baba Robert Ndrenikën) në ’87-ën, “Vdekja e Dantonit”, ku ai qe në rolin e Dantonit’ të famshëm e unë në rolin e Robespierit, në vitin 1997, kur në vendin tonë po afronin trazira të tilla politike, në ’96-ën, si edhe te “Portreti i Dorian Greit”, ku do të interpretoja kryerolin dhe Bujari, atë të “Bazil Golthwerthit” në vitin 2002. Sidomos në këto të fundit ishim në role antagoniste. Po në larminë e roleve, ai shquhej për rifinitura të holla, me një lëvizje psikologjike, realiste, duke krijuar kështu figura artistike të rëndësishme. Ishte shumë i vërtetë dhe me një logjikë të hekurt në interpretimet e tij. Ndërsa në jetë ishim miq të mirë me të njëjtat mendime. E sa e merrte rolin ia dilte në krye me një lojë finese, elegante e emocionuese. “Bujar Lakon e pata partner, vitet e fundit, në filmin e Goran Paskalviëit, – më shkruan mjeshtrja e madhe e aktrimit Yllka Mujo. – Më herët, e kisha pasur, gjithashtu partner, te filmi i Mevlan Shanajt ‘Lule të kuqe, lule të zeza’. Bujari ishte një aktor në vlera të rralla, si në teatër dhe në film, kryesisht për natyrën e tij unike, të rrallë dhe aq tërheqëse. Eleganca ishte një nga tiparet që vihej re menjëherë, mënyra se si komportohej, si shihte, si ndiente, si dëgjonte, si përjetonte situata të caktuara. Bujari ishte natyrë kryesisht e heshtur. Atë duhej ta kuptoje nga heshtja e tij brilante. Nëse ka pasur ndonjëherë aktorë që ka folur në skenë nëpërmjet heshtjes, Bujari ishte modeli i përsosur. Aktor i roleve të vështira e komplekse i figurave të fuqishme emocionale i kursyer në detaje, me një ndjeshmëri të hollë që i buronte nga gjithë psikofizika e tij. I pabujshëm, i pazhurmshëm, i vetëmjaftueshëm, mik i shkëlqyer i atyre që e njohën. Dhe sigurisht ata që punuan me të, patën fatin që e njohën njeriun e mrekullueshëm dhe aktorin e madh, të rrallë të kinemasë dhe teatrit. Se ishte aktor nga më të ngrohtët që ka pasur teatri dhe kinemaja shqiptare. Me ikjen e Bujarit, teatrit i humbi një vlerë e pazëvendësueshme, një zë i fuqishëm dhe i thellë, një NJERI BUJAR!”
Bujar Lako do të mbetet ndër të parët artistë të periudhës së dytë që na lidhi natyrshëm me BOTËN ARTISTIKE, si aktor i vërtetësisë njerëzore dhe i realizmit psikologjik. Ai mishëroi fort bukur thënien e Artur Milerit: “Teatri është kaq i ngjashëm me jetën”, teksa sipas Shekspirit “E gjithë BOTA është një skenë” që Bujar Lako e pasuroi po nuk e gëzoi dot talentin e vet, të vlerësuar nga të gjithë ne, veçanërisht nga kolegët që e thërrisnin “BUJO”, me përkëdheli e nga publiku i tij që aq shumë e donte “Gjeneralin e vetë” të filmave e të teatrit!
( Nga libri “BREZI I ARTË I AKTRIMIT”)

Artikuj të lidhur

Back to top button