Aktualitet/LajmeKryesoreSport

Mbrojtja e fortë e Anglisë

Një nga diskutimet më të shpeshta të këtij Europiani ka qenë forma e dobët e Anglisë në fazën e grupeve. Pavarësisht se e mbyllën të parët grupin C me 5 pikë, Tre Luanët nuk kanë shfaqur një lojë bindëse. Debatet kanë qenë të shumta lidhur me mesfushën dhe sulmin, teksa shumë analistë dhe ish-lojtarë kanë ofruar alternativa nga më të ndryshmet lidhur me formacionin e anglezëve.

Në mesfushë, është e mundur të gjesh opinione se zgjidhja përkrah Declan Rice është Kobbie Mainoo apo Adam Wharton. Ose zbritja poshtë e Jude Bellingham nga pozicioni i mesfushorit të avancuar. Disa parapëlqejnë energjinë e Conor Gallagher. Ndërkohë që të shumtë janë ata që pranojnë se eksperimenti i Trent Alexander Arnold në mesfushë ka funksionuar mirë.

Gjithashtu propozohet që Phil Foden të zhvendoset në një pozicion më qendror pas Harry Kane. Ndërsa Bukayo Saka ka qenë një nga të paktit që i ka shpëtuar kritikave në të djathtën e sulmit. Por, për të ka pasur gjithashtu mendime se duhet të kalojë në ish-pozicionin e tij. Në krahun  e majtë të mbrojtjes, duke qenë se Anglia po vuan mungesën e një futbollisti natyral në atë pozicion.

Kjo shumësi opinionesh sjell disa përfundime. Pavarësisht zgjedhjeve, Southgate nuk mund t’i kënaqë të gjithë me formacionin e tij. Me këtë organikë që kanë në dispozicion, teoria që Tre Luanët nuk kanë ekuilibër bie poshtë. Ndërsa përveç dyshes së mbrojtjes Guehi-Stones, asgjë tjetër nuk ka funksionuar siç duhet.

Ndërkohë që kombëtaret favorite zakonisht kanë arritur konsolidimin në fazën me eliminim direkt, Anglia ka qenë e paqartë edhe me zotërimin e topit. Saqë është e vështirë të imagjinosh që Southgate të gjejë një formulë magjikë që skuadra të fillojë të luajë në një mënyrë pro aktive. Ai mund të zgjedhë si formulën më të mirë vazhdimësinë e strategjisë mbrojtëse që ka aplikuar deri më tani.

Pas së gjithash, në fund të fazës së grupeve, Anglia ka pësuar vetëm një gol. Spanja ka një rekord më të mirë, teksa ka mbajtur portën të paprekur në tri duelet e grupit B. Por sa i takon statistikës së golave të pritshëm, Spanja e ka pasur 2.7, ndërsa Anglia vetëm 1.1. Shifra më e ulët në Euro 2024.

Mbrojtjet e forta, më shumë se sa sulmet, kanë më shumë gjasa të shtyjnë një ekip drejt fitimit të një turneu. Anglia ka treguar soliditet defensiv, por kjo ndoshta ka ardhur dhe nga kundërshtarët jo shumë kompetitiv që janë përballur. Mbrojtësit anglezë, në mënyrë individuale mund t’i marrin disa merita.

Kieran Trippier përjetoi një sezon të vështirë te Newcastle. Dhe i aktivizuar në krahun e majtë të mbrojtjes, jo në rolin e tij natyral, është ekspozuar shumë pak. Në qendër, Marc Guehi është paraqitur shkëlqyeshëm përkrah John Stones.

Në të djathtë, Kyle Walker kritikohet shpesh, pasi varet shumë nga shpejtësia e tij për të rikuperuar vendosjet e gabuara. Por ky mund të konsiderohet si një atribut i vlefshëm i tij. Është e vështirë të kritikohet Jordan Pickford, pasi nuk është testuar mjaftueshëm.

Në tërësi, mbrojtja e Anglia po luan mirë në bashkësi. Declan Rice është më shumë sesa një mesfushor shkatërrues tek Arsenali, por tek Anglia është lojtar që nuk merr shpesh detyra organizimi. Dhe fokusohet në dhënien e sigurisë ndaj repartit të mbrojtjes.

Gallagher është i limituar me zotërimin e topit, por duket më i sigurtë në një sens mbrojtës se Trent Alexander-Arnold. Jude Bellingham nuk është shfaqur ende me formën e tij si te Reali, ndërkohë që Saka është mjaft i përgjegjshëm. Madje edhe pa topin në zotërim.

Alternativa e stolit si Cole Palmer, nuk ofron të njëjtën gjë si Saka pa topin në zotërim. Dhe kjo mund të shkaktojë probleme. Mainoo, një tjetër alternativë stoli deri më tani, luan për një klub si Man. United që është shumë i hapur mes linjave. Kështu që është e vështirë që ai të luajë me të njëjtin sistem tek Anglia.

Mënyra më e mirë e Anglisë për vazhdimin e turneut është t’i qëndrojë këtij plani, Të vijojë me strukturën e fortë në mbrojtje dhe të shpresojë për moment magjie nga Foden, Bellingham, Saka dhe Kane. Të gjithë në gjendje të prodhojnë gola në situata të vështira falë cilësive individuale.

Sigurisht është e vështirë që për Anglinë të bëhet kjo analogji për mënyrën e lojës, pasi e ka potencialin për t’u rritur më shumë në fazën sulmuese. Por, konceptet kolektive që tifozët dhe analistët anglezë kërkojnë, si loja me kombinacione të shpehta dhe lëvizhmëria në 30 metrat e fundit apo presingu ofensiv, kërkojnë kohë për t’u perfeksionuar në futboll kombëtaresh.

Nëse Southgate nuk e ka ndërtuar këtë sistem loje prej 8 vitesh tek Anglia, mundësitë janë minimale që ta bëjë skuadrën të luajë në një mënyrë të tillë për pak ditë në Gjermani.

Si rrjedhojë, për Anglinë mundësia më e mirë është të vijojë me strategjinë aktuale. Të ruajë portën e paprekur, të tregojë efikasitet para porte në mundësitë e shënimit që shfaqen dhe të shpresojë rrugëtimin e gjatë në Gjermani 2024.

Me shpresën se do të mund të fitojë Europianin e parë në histori. Aktualisht, Anglia ka më shumë shanse ta fitojë Kampionatin Europian duke bërë Greqinë e 2004 dhe Portugalinë e 2016, se sa me spektaklin ofensiv të Francës në Euro 2000 dhe Spanjës në Euro 2008.

Por më parë duhet kaluar pengesa Sllovaki. Dueli për një biletë në çerekfinale, do të luhet të dielën e 30 qershorit në Gelsenkirchen.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button