
Ese e shkurtër nga Kim Mehmeti
Asokohe isha shumë i ri dhe besoja se arti është mburojë. Shumë vonë e kuptova sa kisha gabuar dhe se letërsia, të cilën aq shumë e doja, është fushëbetejë ku nga çdo anë të godasin ata që kurrë nuk lexojnë.
Në rininë e hershme as që e dija se pikëllimi i vërtetë është vuajtja që të shoqëron edhe pasi të ka braktisur dhimbja; se je i mposhtur atëherë kur fillon të ndash atë që duhet thënë nga ajo që duhet heshtur, atë që mendon nga ajo që nuk guxon ta thuash e ta shkruash.
Gjatë fillimeve letrare lodhesha shumë me pyetjen se si duhet jetuar dhe me hamendësimet pse duhet jetuar, gjë që mbase më ndihmoi ta kuptoja se asgjë nuk mund të të mposhtë aq sa sukseset e paguara me pjesë të njerëzores brenda teje.
Kur isha shumë i ri nuk e dija se të vraposh pas famës është si të ikësh nga vetvetja, si të duash të mbetesh pa asgjë përveç emrit dhe mbiemrit, të cilët disa do t’i pëshpërisin me respekt e disa të tjerë me përbuzje dhe dyshim.
Si ëndërrimtar i ri as që e dija se i suksesshëm bëhesh vetëm atëherë kur fillon të mos të të pëlqejë vetvetja dhe kur nuk mund të të mohojnë as ata që nuk të duan.
Pra, i suksesshëm bëhesh atëherë kur dikush t’i numëron veprat që ke shkruar e ti ndihesh sikur po t’i numëron dështimet dhe dyshimet që të mundojnë.
Por, sidoqoftë, vjen dita kur i riu në ty mbetet larg në të kaluarën, kur arrin edhe më shumë sesa ke ëndërruar, kur e kupton se sukseset nuk e pakësojnë pikëllimin dhe dhembjen, se ato nuk i paguajnë faturat e dritave, të ujit dhe këstet e kredisë; kur e kupton, pra, se sukseset janë vetëm maskë me të cilën e mbulon dëshpërimin dhe pakënaqësinë që ndjen.
Vjen dita kur bëhesh i njohur, por nuk i takon vetvetes aq sa atyre që e din cili je kur të takojnë në rrugë dhe ta shtrëngojnë dorën me bindjen se nuk ke të drejtë të mos ua japësh atë që u takon: disa orë nga jeta jote duke pirë kafe me ta.
Nuk ka si të mos vijë dita kur duhet ta pyesësh vetveten nëse suksesin e ke përdorur për të fituar para apo për ta bërë më të dukshme njerëzoren në ty: nuk ka, pra, si të mos vijë dita kur nuk të mbetet asgjë tjetër përveçse të thuash: nuk ia vlen të bëhesh i njohur dhe i suksesshëm nëse ke jetuar i përkulur.
Po, dikur isha shumë i ri dhe vetëgënjehesha se isha vizionar, andaj diku kisha shkruar se kompjuteri do të mund t’i bëjë të gjitha, por jo edhe të shkruajë poezi e tregime.
Ndërkohë, sot i jetoj ditët kur çdo idiot, me një të shtypur të tastierës së kompjuterit, mund ta ketë gati një përmbledhje me poezi apo tregime.
Çka më bën të ndihem si rojtar i kufomës së shkrimtarit brenda meje.



