Nga Capajev Gjokutaj-
Dy-tri javë të shkuara po i ngjitesha një të përpjete në kodrat e liqenit. Ecja me kokë ulur, përpiqesha të shihja me vemendje gjithçka në rrugë e anës saj. E bëj këtë pas here si një lloj meditimi, një mënyrë për t’i ikur të menduarit e për t’u përqendruar tek perceptimet shqisore, këtu e tani po pa veten.
Papritur nisi të lehte një qen, ndaj instiktivisht ngrita kokën. Sipër, nja 15-20 hapa më tej, po zbriste një burrë trupmadh me një qenush të llojit Bichon Frisé, që s’dihej kujt po i gërmushej. Kontrasti mes burrit të bëshëm e të fuqishem dhe kones kukull përftonte aty për aty një ndjesi komike.
Me gjasë po nënqeshja instiktivisht se burri, pa u afruar mirë dhe pa u përshëndetur, nisi të shpjegonte: Ç’ti bësh, e kam havale nga ime bijë. Si u afrua edhe më e u përshëndetëm shtoi se qenushin e bardhë e topolak e kishte blerë vajza, e kishte mbajtur disa muaj dhe pastaj ua kishte lenë ‘peshqesh’ prindërve.
Sos që duhet ta shetit dy herë dita, shtoi, po është mësuar me ushqim të shtrenjtë dhe ne pensionistë jemi. Me mirësjellje i thashë të shihte edhe anën pozitive, qenushi e shtynte të lëvizte dhe për një pensionist që priret të dembeloset, kjo nuk është pa dobi.
Të nesërmen, kur ua tregova ndodhinë miqve të kafenesë mora vesh se secili prej tyre dinte të paktën një rast kur qeni blihej nga fëmijët dhe, pas ca kohësh u kalonte prindërve të moshuar.
Fillozofi e kohës sonë, shpotit Lilua, çdo gjë është bërë njëpërdorimshe, si pjatat e si pelenat, merre, përdore për një copë here dhe flake. Ndërkohë që Lilua qahej m’u kujtua një mikeshë e huaj, që vite të shkuara, kur i thashë se kisha 29 vjet martuar, më pyeti duke qeshur: me të njëjtën grua?!
Sa vramuz që je, vetëm për të liga të shkon mendja, ia priti Ilmiu Lilos. Pse nuk mendon se është një strategji e fëmijëve. Shohin prindërit që po plaken, sa vjen e bëhen më inaktivë, lëvizja u bëhet përtesë, vetmia i shushat dhe bëjnë sikur blejnë një qen a qenush që pastaj plaku a plaka të merren me të, të lëvizin, t’i ledhatojnë, të inatosen e t’i qortojnë. Me një fjalë të jenë aktivë me trup e me ndjenja.
M’u duk interesant e real shpjegimi i Ilmiut. Po të nesërmen kur u gdhiva mahmur dhe nuk e di pse solla në mend gjithë këto, i dhashë të drejtë Lilos, edhe marrdhëniet priren të jenë të shkurtëra e njëpërdorimshe
Dhe për të harruar sadokudo dhimbjen e kokës nisa të meditoja për një gjë më abstrakte: kur zgjedhim të besojmë diçka, parapëlqejmë atë që është reale apo atë që na vjen për hosh