Aktualitet/LajmeKryesoreRajoni

Lufta në Kosovë, 25 vjet nga fillimi i sulmeve të NATO-s kundër objektivave ushtarake të Serbisë

Sot 25 vjet më parë, 24 mars 1999, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm të kryer kundër popullit të Kosovës.

Sulmet filluan në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, mundësoi edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.

Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s. Sot, 25 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it janë në numër më të vogël. Ata janë të vendosur në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button