Aktualitet/LajmeKryesoreNdodhi

Lista e kandidatëve për KLGJ dhe KLP nuk gjen konsensus

Nënkomisioni Ad Hoc i Ligjeve për zgjedhjen e anëtarëve të rinj në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë nuk arriti të gjente konsesus të martën për përfshirjen e kandidatëve të skualifikuar në listën e kandidatëve të kualifikuar nga radhët e avokatisë, listë nga e cila do të zgjidhen dy anëtarë të rinj për secilin këshill.

Anëtarët e mazhorancës votuan kundër propozimit të opozitës për të përfshirë në garë dhe emrat e skualifikuar nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj, me pretendimin se përzgjedhja e tij kishte prapavijë politike dhe kishte përdorur dy standarde në kriteret e skualifikimit.

Kandidatët e skualifikuar nga Gjonçaj janë Përparim Kalo, Alban Alimema, Fatos Lazimi, Entela Shehaj (Memishaj), Saimir Vishaj dhe Albana Tushe.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi propozoi futjen e tyre në listën e kualifikuar, por mazhoranca votoi kundër duke rrëzuar përfshirjen e tyre në garë.

Sipas Bardhit, votimi tregoi se deputetët e PS dhe qëndrimet e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit përputhen gjithmonë, gjë që, sipas tij, “provon se përjashtimet e tij kanë qenë politike në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit”.

Por Kryetarja e komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka i kërkoi kolegut opozitar që të mos paragjykonte vendimmarrjen në këtë strukturë dhe të respektonte procedurën ligjore.

Më pas, nënkomisioni vendosi që për kandidatët e kualifikuar të votohet të enjten pasi t’u jepet mundësia të shpalosin platformat e tyre në një seancë dëgjimore.

Sipas raportit të Gjonçajt, kandidatët e skualifikuar nuk plotësojnë kriteret ligjore, kryesisht pasi nuk justifikojnë punën e pandërprerë si avokatë në 10 vitet e fundit apo për ‘detyrime tatimore”.

Në listën e kandidatëve të kualifikuar nga Sekretari i Përgjithshëm nga e cila do të përzgjidhen 2 anëtarët e rinj në KLGJ, në vendin e parë renditet avokatja Eris Hysi e ndjekur nga Erind Mërkuri, Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Klodian Gjermeni, Artan Reçi, Bledar Bajri dhe Saimir Kola.

Ndërsa listën e kandidatëve për dy vende në KLP e kryeson Erind Mërkuri, i ndjekur nga Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Artan Reçi, Bledar Bajri e Saimir Kola.

Dispozitat ligjore parashikojnë që 4 kandidatë për 2 vende vakante në KLGj dhe 2 në KLP i nënshtrohen votimit në seancë plenare pasi zgjidhen nga kjo listë me konsensus politik (4 vota pro) nga 5 anëtarët e nënkomisionin të ligjeve që ngrihet për këtë synim.

Kur mungon konsensusi, emrat nga lista zgjidhen me short dhe nëse Kuvendi dështon në 3 votime radhazi që të zgjedhë me 84 vota anëtarët e rinj të KLGJ-së e KLP-së, quhen automatikisht të emëruar ata që shorti i ka zgjedhur për raundin e tretë.

Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve ka tejkaluar me 6 muaj afatet ligjore, pasi mandati i anëtarëve të KLGJ dhe KLP ka përfunduar që në dhjetor.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button