BlogKryesoreKultureOpinions

Letërsia si profeci

Nga Dashnor Kokonozi-
Ishte mbase nga librat e tij të parë që i lexoja dhe më tej nuk është se lexova gjë tjetër, aq shumë më gërrici nervat me atë që m’u duk si një provokim i dikujt që kërkon protagonizëm.
Eshtë fjala për librin “Komploti kundër Amerikës” i Philip Roth. Deri atëherë besoja se nuk më pëlqente mënyra si shkruante. Me këtë roman i vuri vulën: Philip Roth nuk më pëlqente fare edhe për atë që shkruante!
Si mund të shkruash 20 vjet më parë për ardhjen në krye të Amerikës së dikujt me simpatira për metodat naziste (Charles Lindbergh ishte i njohur për këtë), me prirje të një populisti që i ka dalë boja e me slogane që të kujtojnë “America First”, që mbledh një tufë trushkulurish rrotull vetes, që e fut vendin në marrëdhënie të acaruara ndërkombëtare, që e përçan dhe shtyn shoqërinë amerikane drejt luftës civile?
Kohët e fundit po përpiqem të gjej ndonjë portë që të tërhiqem nga inati që pata ndaj tij. Kjo me metodën time të thjeshtë të daljes nga letërsia dhe gjykimin e saj nga një perspektivë jo letrare. Jo sepse kjo që po ndodh i jep të drejtë, por si ndodhi që atij koha po i jep të drejtë. (Të presim, gjithsesi them unë, nuk duhet nxitur)
Folëm për gjykimin e letërsisë nga një prizëm tjetër.
Një nga këto është hebraizmi i autorit, apo judaizmi, siç thuhet për të kategorizuar një kulturë të caktuar pa asnjë paragjykim.
Mos kushedi deri tani pjesa tjetër e botës vetëm se ka sajuar pretekse të rreme për të përligjur qëndrimin e saj armiqësor ndaj hebrejve (argumente fetare, zotvrasës, zotërimi i bankave, teori idiote komplotiste etj)
Por sikur urrejtja e vërtetë ndaj tyre ta ketë patur origjinën te aftësitë e jashtëzakonshme të profetëve hebrenj për të parashikuar ardhmërinë e botës?
Se ende nuk kam lexuar ndonjë profet të besueshëm që të mos jetë me origjinë semite. Pjesa tjetër e botës ka prodhuar vetëm fallxhinj.
Po qe kështu, historia duhet shkruar nga e para dhe atyre u duhet kërkuar përulësisht ndjesë!
Unë do t’i kthehem Philip Roth-it edhe një herë për të lexuar librat e tij të tjerë. Për të kuptuar fjala vjen se çmendim ka për zgjedhjet e 11 majit të ardhshëm në Shqipëri, gjë që e mësova sapo zbrita këtu dhe që më dha të kuptoj arsyen përse rrezikohet të damlloset një komb i tërë…

Artikuj të lidhur

Back to top button