Nga Edmond Arizaj
Nuk ka gjë më mizore, besoj, se të bësh njësh me turmën, apo më keq, të hedhësh në këmbët e turmës një idhull, a ish-idhull të tyre. Sidomos në vende, ku idhujt janë me pakicë e ku prej vitesh pothuaj nuk mbijnë më, si vendi ynë. Gjendja e Parashëevi Simakut, sido të jetë, do të sjellë vetëm keqardhje, gëzim të brendshëm tek zemërliqtë e zakonshëm, kënaqësi tek smirëxhinjtë e dikurshëm, prehje tek ata që nuk kanë lënë gjë pa thënë prej mëse 30 vitesh…Asnjë ndjenjë, nga ato që përçonte dhe merrte dikur bukuroshja dhe zëëmbla Parashqevi nuk egziston më.
Pse e kërkoni me ngulm Parashqevinë? Ç’do të tregoni me jetën e saj? Ajo vetë nëse do të donte, vallë nuk dinte të shfaqej?! Vallë nuk dinte të fliste? Por ajo me sa duket ka dashur të jetë e zhdukur. Pse nuk e respektoni vendimin e saj?! Nëse do të kërkonte ndihmë, mendoni se në New York do t’ia kursente njeri nga mijëra shqiptarë që ka atje?! Nëse Parashqevia ka zgjedhur të jetojë fatin e saj, apo nëse thjesht fare nuk ia ndjen për askënd në botë dhe nuk do ta besdizë njeri, a nuk është mjaftueshëm për ta lënë të qetë? Dhe për mijërat e fansave të dikurshëm të saj, të këngëve a paraqitjes (por edhe ata që e kanë njohur nëpërmjet youtube), a nuk është më mirë t’i lëmë në kujtim Parashqevinë e dikurshme?
E di, nga ana gazetareske, është një debat i madh që mund të bëhet, por nëse gazetari është në shërbim të publikut, pyetja ime do të ishte: Ç’farë e mire i vjen publikut në këtë rast? Përveç sigurisht kuriozitetit pervers, dhe asaj kënaqësisë së fshehtë dhe të ndyrë që jemi të gjithë të barabartë.