BlogKryesorePolitike

Leninizmi i djathtë, rasti Tramp

Nga Sebastian Zonja-
Pjesa e dytë
Taktikat revolucionare leniniste dhe zbatimi i tyre në fushatën e Donald Trampit në SHBA.
Revolucionet kanë veçantitë e tyre, ndërsa taktikat revolucionare edhe pse lidhen me kontekste të veçanta socio-politike mund të analizohen prej mësimeve të vyera të Vladimir Leninit, babai i revolucionit rus më 1917-ën.
Synimi i Leninit ishte shkatërrimi i strukturave perandorake në Rusinë cariste. Taktikat e tij kanë frymëzuar strategë të shumtë politikë nëpër botë. Donald Trampi dhe strategët e tij i përshtatën këto taktika për të lundruar nëpër terrenin e përçarë të politikës amerikane, duke shfrytëzuar pakënaqësinë popullore në rritje dhe destabilizuar strukturat tradicionale të pushtetit – siç e quan Trampi “këneta e Uashingtonit”.
Vladimir Lenini, arkitekti i Revolucionit Bolshevik, hartoi një manual revolucionar bazuar mbi parimet e goditjes dhe shkatërrimit të sistemit, mobilizimit masiv dhe etjes së paskrupullt për pushtet. Strategjitë e tij përmbajnë këto koncepte kyçe: Partia si pararojë, propaganda si instrument, kontrolli i narratives si mjet qendror, shfrytëzimin e krizave pa lënë asnjë hapësirë bosh dhe polarizimi i qëllimshëm i shoqërisë.
Le t’i marrim me radhë se ç’na udhëzon Lenini:
1. Partia si pararojë: Ideologu thekson nevojën e një organizate të disiplinuar dhe centralizuar për të udhëhequr revolucionin. Kjo “pararojë” e revolucionarëve profesionistë kishte për detyrë të drejtonte masat dhe të merrte kontrollin në momente kritike.
2. Propaganda dhe Agjitacioni: Lenini besonte në formësimin e opinionit publik përmes propagandës, duke kornizuar ideologjikisht të vërtetat për të mobilizuar masat.
3. Polarizimi: Lenini e shihte polarizimin shoqëror si mjet qendror për të delegjitimuar institucionet ekzistuese, për të dobësuar kundërshtarët dhe, në fund, njerëzit të mbanin anën e tij në këtë betejë.
4. Shfrytëzimi i krizave: Krizat, qofshin ato ekonomike, sociale apo politike, duhen shfrytëzuar deri në pikën e fundit për të galvanizuar pakënaqësinë publike dhe për të shtyrë përpara agjendat revolucionare.
5. Shkatërrimi i rendit ekzistues: Etika revolucionare e Leninit përqendrohet tek shpërbërja e strukturës ekzistuese të pushtetit, duke krijuar vakum, i cili, pasi të jenë përmbushur kushtet e mësipërme, do të mbushet nga lëvizja revolucionare me në krye Partinë dhe Udhëheqësin e saj.
Taktikat janë eficiente dhe i kanë përdorur lëvizje në Perëndim e Lindje. Po i risjellim në vëmendje për të treguar se tek shumë lëvizje politike, pragmatizmi qëndron mbi idealizmin, duke manipuluar sentimentin publik dhe mirëllogaritur kaosin që shkakton për të arritur qëllimet revolucionare.
Këto taktika revolucionare, duke i kamufluar nën konservatorizëm apo tradicionalizëm, i rimori strategu i Trampit, Stiv Benon. Korniza ideologjike e Benonit është e bazuar tek nacionalizmi populist, jo tek marksizëm-leninizmi, ndërkohë paralelet strategjike, sipas meje, qëndrojnë.
Nëpër intervista dhe shkrime, Stiv Benoni ka theksuar se ka tre objektiva kryesore: shpërbërjen e administratës shtetërore, promovimin e nacionalizmit ekonomik dhe mobilizimin e gjerë për një lëvizje populiste për të sfiduar dominimin e elitave. Donald Trampi ishte personi i duhur, sipas tij, që Benoni të vinte në jetë idetë dhe objektivat e synuar. Shoqëria amerikane ka probleme të thella të brendshme, ndërkohë që shfrytëzimi i disa taktikave leniniste për të goditur rendin aktual politik i volit të dyve.
Andaj, nëse shohim fushatën e Donald Trampit, vëmë re se njëra nga karakteristikat e saj është retorika për të goditur rendin ekzistues politik. Ashtu si Lenini kërkonte të shpërbënte deri në qelizë regjimin carist, retorika e Trampit synon delegjitimimin e elitës politike amerikane. Vlen të sjellim në vëmendje sulmet ndaj “Deep State”, medieve dhe elitës së Uashingtonit, ndërthurur me narrativën se janë të korruptuara deri në palcë dhe të paafta, për të minuar besimin e publikut te institucionet tradicionale. Trampi e portretizoi veten si dikush që vjen nga jashtë për të luftuar një sistem të manipuluar (fetarët e cilësuan “I dërguar nga Zoti me shpëtu Amerikën dhe botën”, ndërsa gjithë shkrimet kishin në fokus nxjerrjen në pah dhe thellimin e analizave për problemet aktuale që ka sjellë globalizimi, pabarazia ekonomike dhe diskutimet kulturore. Si me magji, kjo retorikë rezonoi fortë te klasa punëtore, duke pasqyruar apelin që Lenini bënte ndaj proletariatit. Mesazhet theksonin, përditë e më shumë, një ndarje të ashpër midis “amerikanëve të vërtetë” dhe armiqve, si emigrantët, globalistët dhe media. Është veprim shumë strategjik ta kornizosh debatin në kuadër binar. Kjo bëhet për të mobilizuar sa më shumë njerëz besnikë, ndërsa alienohen kundërshtarët. Përfitimi është i dyfishtë – nga një anë, ata që mëtojnë të bëjnë analiza nuk dëgjohen se cilësohen të lodhshëm, ndërsa lëvizja krijon një dinamikë të fortë të brendshme (“ne kundër atyre”) që nxit angazhim më të madh politik. Por për ta arritur këtë, duhet të kontrollohet narrativa, apo mjetet e komunikimit masiv. Lenini ishte nga të parët që e kuptoi këtë dhe tha shprehjen e famshme “jepmëni një gazetë dhe marr pushtetin!”. Që nga ajo kohë deri më sot ka kaluar shumë, ndaj fushatat e reja kanë në fokus edhe mediet digjitale. Aftësia e Trampit për të përdorur median sociale, veçanërisht Tuiterin (Twitter-in), i dha mundësi të anashkalonte kanalet tradicionale dhe të komunikonte drejtpërdrejt me mbështetësit. Strategjia rezultoi efektive, ndaj goditja e medias tradicionale vjen edhe për shkak të kësaj qasjeje të re.
Një aspekt tjetër që mund të shohim është edhe stili shumë i personalizuar udhëheqës i Trampit. Fushata e tij nuk ka ndonjë koherencë ideologjike brenda, pavarësisht debateve kulturore apo si duan ta paraqesin simpatizantët e tij, por fokusohet më shumë tek besnikëria ndaj personit – Partia dhe Udhëheqësi janë një.

Artikuj të lidhur

Back to top button