Nga Esmeralda Topi
Të paktën 16 bashki pa zyra të posaçme. Duhet të ishin ngritur që në shtator.
Që prej muajit qershor, bashkitë kanë marrë zyrtarisht një rol të ri për t’i dhënë shtysë procesit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje. Vendimi i qeverisë përcakton rregullat e reja të bashkëpunimit mes bashkive dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës duke u dhënë palëve rol koordinues në funksion të përmbylljes së legalizimeve.
Bashkitë kanë detyrim ngritjen e zyrave të posaçme me staf të dedikuar pas nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi me Kadastrën.
“Së pari janë bashkitë që do të vendosin prioritetet dhe do të përcaktojnë ritmin e planit të punës së zyrës vendore të legalizimit, pra procesi do të udhëhiqet prej jush me një staf të dedikuar që ju do të krijoni deri në muajin shtator, kur ky proces do të fillojë.”, deklaroi kryeministri Edi Rama, në muajin korrik gjatë takimit me kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Procesi që duhet të niste zbatimin prej muajit shtator, do të kontrollohej nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, pasi palët kanë detyrimin për t’i raportuar çdo muaj.
Fakt
Të dhënat e siguruara nga Faktoje.al përmes ligjit për të drejtën e informimit tregojnë se deri më 28 tetor, 16 bashki ende nuk kishin plotësuar detyrimin për nënshkrimin e marrëveshjes me ASHK-në brenda muajit shtator. që i përcakton VKM-ja,
“Në bazë të informacionit të deritanishëm që ka Ministri i Shtetit për Pushtetit Vendor, janë rreth 45 NJVV që kanë nënshkruar marrëveshjen me ASHK-në dhe e kanë miratuar atë në Këshillin Bashkiak.”, deklaron Ministria e Pushtetit Vendor.
“Bashkitë e tjera janë në proces të kryerjes së kësaj procedure”, shton më tej ministria, duke sugjeruar se megjithatë, një informacion më i saktë do të mund të gjendej “në zyrat e secilës bashki, ose në zyrën qëndrore të ASHK-së.”.
Legalizimet, roli i bashkive me rëndësi
Agron Haxhimali nga Instituti i Bashkive e sheh me rëndësi përfshirjen e bashkive në procesin e legalizimeve. “Është kërkuar vazhdimisht nga bashkitë që të kenë rol në këtë proces. Në thelb të këtyre ndryshimeve qëndron interesi për ta përshpejtuar procesin”, thotë ai.
Haxhimali shton se veç rolit koordinues bashkitë duhet të ushtrojnë presion edhe tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës. “Agjencia e Kadastres ka monopolin për certifikimin final, për çdo rast që mendojnë se dosja është korrekte dhe zvarrijet janë të pajustifikuara.” – shprehet ai.
Ligji parashikon dhjetorin e vitit 2028 si afat për përfundimin e procesit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje në Shqipëri.
“Duke marrë në konsideratë se janë gati 240,000 objekte për legalizim në të gjitha bashkitë, kjo të çon në dyshime lidhur me përfundimin e procesit.”, nënvizon Haxhimali.
“Kjo vonesë ka në thelb edhe proceset ankimore në gjykata për çështje të pronësisë por jo vetëm. Ç’ka do të thotë që as bashkitë as vetë Kadastra dhe askush nuk mund të ndërhyjë.”, përfundon ai.
Përfundim
Nisur nga informacionet e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se procesi i legalizimeve do të udhëhiqej nga bashkitë me një staf të dedikuar deri në muajin shtator e kategorizojmë gjysmë të vërtetë.