BlogKryesoreOpinionsRajoni

Kush e rrahu Nenad Rashkoviqin?

Nga Enver Robelli-

Autoritet e Kosovës duhet urgjentisht të hetojnë dhe ndriçojnë rastin e keqtrajtimit të Nenad Rashkoviqit nga fshati Dren i Zubin Potokut. Nëse këtë e ka bërë ndonjë pjesëtar i policisë së Kosovës, konsekuencat duhet të jenë të pamëshirshme. Në qoftë se e tëra është inskenim për lojëra parapolitike nga pala serbe, atëherë faturën duhet ta paguajnë ata që manipulojnë.

1.

2.

Duke qenë një organizatë politiko-paramilitare e dirigjuar drejtpërdrejt nga shërbimet sekrete të Beogradit, çdo pretendim i Listës Serbe duhet të merret me rezervën më të madhe, përfshirë edhe fotografitë e publikuara nga kjo “parti”, ku shihet një serb, siç thuhet, i keqtrajtuar rëndë nga Policia e Kosovës. Pamjet janë vërtet të rënda.

Policia e Kosovës, përmes zëvendëskomandantit për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur se “nuk kemi informacione se policia ka keqtrajtuar ndokënd”, por ka njoftuar se me rastin do të merret Inspektorati Policor i Kosovës. Ky institucion ka mandat të inspektojë Policinë e Kosovës.

Kjo është urgjentisht e nevojshme. Rasti duhet të sqarohet sa më shpejt dhe pa asnjë ngurrim, me të gjitha pasojat që mund të dalin prej tij. Nëse Policia e Kosovës është e përfshirë në këtë rast, ndëshkimi duhet të prekë nivelet më të larta të përgjegjësisë dhe komandës. Nëse Lista Serbe ka gënjyer opinionin duke riprodhuar një rast të ri “Gjorgje Martinoviq”, nuk duhet të presë mëshirë.

Që në vitin 2013, pra para 13 viteve, Aleksandar Vuçiqi, atëherë Ministër i Mbrojtjes dhe shef i të të gjitha shërbimeve sekrete serbe, pati thënë se vrasjen e 6 të rinjve serbë në Pejë, në kafeterinë “Panda”, në vitin 1998, nuk e kanë kryer shqiptarët. Që nga atëherë familjet e viktimave presin përgjigje për këtë krim monstruoz, që i ngjan një vepre të mirëorganizuar të shërbimeve sekrete të Beogradit për të acaruar edhe më shumë situatën në Kosovë dhe ashpërsuar represionin kundër popullsisë shqiptare. Rezultati i këtij represioni dihet.

3.

Kushdo që luan me zjarr, mos të befasohet nëse digjet. Askush – asnjë serb, asnjë rom, asnjë shqiptar – nuk guxon të keqtrajtohet nga Policia e Kosovës. Shqiptarët, si shumicë në Kosovë, duhet të sillen me përgjegjësi shtetërore ndaj çdo komuniteti. Nuk është kurrfarë patriotizmi të vendosësh flamuj kombëtarë ose flamuj të UÇK-së në ndonjë kishë serbe, siç bëri vaki këto ditë në një komunë të Kosovës. Kush e bën këtë, nënçmon vetë idenë e luftës çlirimtare – dhe kjo ide ka qenë barazia e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

E shoh tepër problematik dhe të panevojshëm edhe organizimin e koncerteve triumfaliste të shqiptarëve në veri të Mitrovicës. Kjo nuk ka të bëjë aspak me patriotizëm, por vetëm me inskenime qesharake të “Bruce Leeve” shqiptarë pa muskuj, që përdridhen si deputetë të VV-së. Udhëheqësit e kësaj partie duhet të jenë të vetëdijshëm për peshën e situatës.

Është kohë e vështirë, kohë emocionesh dhe dhimbjesh pas lajmeve për zbulimin e varrezave masive me viktima shqiptare në veri të vendit. Respekti më i madh këtyre viktimave u bëhet duke mos e ashpërsuar gjuhën dhe gjestet. Me rëndësi është të punohet profesionalisht në identifikimin e viktimave.

Nga mesi i shtatorit pritet shpallja e aktgjykimit në Hagë ndaj ish-udhëheqësve politiko-ushtarakë të UÇK-së. Në prag të kësaj ngjarjeje, secili i ndihmon Kosovës duke ruajtur gjakftohtësinë dhe duke u kujdesur që çdo reagim a zemërim, sado i kuptueshëm të jetë, të mos i bëjë dëm shtetit të Kosovës dhe atyre që kanë qëndruar në Hagë. Ka mjaft shërbime armiqësore, mjaft huliganë digjitalë, por edhe mjaft hajvanë të rrjeteve sociale që poshtërsitë e tyre të dikurshme biografike duan t’i “monetarizojnë” tani, duke u hequr si mbështetës të UÇK-së. Nuk keni qenë. Mos e fëlliqni Kosovën dhe nderin e atyre që ranë për lirinë e vendit. /Telegrafi/

Artikuj të lidhur

Back to top button