BlogEditorialKryesore

KUR JANË SHUMË KATËR SEKONDA…

Nga Zija Çela
* Nëse në këtë botë të gjithë ne, që të gjithë përpiqemi t’i fshehim të metat tona, ju nuk ngurroni të shfaqeni siç jeni, duke na kujtuar pa dashje përgjegjësinë tonë hipokrite ndaj natyralitetit dhe sinqeritetit.
* Një vidio aq e veçantë, sa shkoi viti dhe ende e kujtoj.
Bruna Gjoni PERVATHI: Të përshëndesim shkrimtari Zija Çela, fisniku dhe mendjendrituri. Ne të
dërgojmë një përshëndetje nga Qendra e Zhvillimit Ditor nga fëmijët me aftësi të kufizuara, ku punoj si mësuese.
ZÇ: Ju falem, me krahët e hapur për përqafime ju falem. Dhe për ta thënë që në krye, me një ndjenjë vetëqortimi gjithashtu. S’di përse, më parë se nga institucionet shtetërore, po e kthej gishtin qortues nga vetja. Sepse ju meritoni shumë dhe çfarëdo të bëhet për ju, mbetet përherë e pamjaftueshme.
Ka instrumente që e masin kohën në mënyrë të ftohtë, në atë numerike. Kështu, vidioja me të cilën më përshëndesni, zgjat vetëm katër sekonda. Por ekziston edhe një matje, që sekondave tuaja u jep dimension krejt tjetër. Sepse rrallë, fort rrallë i bie çdokujt që në pak çaste të përjetojë çmimin që ka ajo e madhërishmja, Dashuria e kulluar Njerëzore. Mbajeni fort pishtarin e saj, i cili sot më shfaqet në duart tuaja të guximshme e të bekuara.
Si mik e si shok, pa e fshehur valën e mallengjimit, ju them me bindje se ju jeni të hirshëm e të hijshëm, sepse të madh dhe të bukur e keni shpirtin. Nëse në këtë botë të gjithë ne, që të gjithë përpiqemi t’i fshehim të metat tona, ju nuk ngurroni të shfaqeni siç jeni, duke na kujtuar pa dashje përgjegjësinë tonë hipokrite ndaj natyralitetit dhe sinqeritetit. Andaj në sytë tuaj me xixa arrij të lexoj triumfin e jetës, por edhe mirënjohjen e thellë për prindërit dhe mësuesen e dashtun.
Në shtëpinë ku jam lindur, ishim shtatë fëmijë, mes tyre unë më i vogli. Kur isha në moshën tuaj, herë pas here nëna më thoshte: “Të paça e të lança mbrapa!” E tash, me zemër gjyshi, mua kështu po më vjen të them për ju.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button