BlogKryesoreOpinionsPolitike

Kujdes nga ata që duan të duken më të bardhë se bora

Nga Andi Mustafaj-
Për aq larg sa më shkojnë kujtimet, babai im ka debatuar gjithmonë me mua duke më trajtuar si të rritur. Pavarësisht moshës në të cilën isha, më dëgjonte dhe më jepte argumente e kundërargumente. Asnjëherë nuk e përjashtonte mendimin tim në mënyrë absolute.
Kur debatet ishin rreth politikës, unë shpesh dorëzohesha dhe nxirrja fjalinë e gatshme: “e po, nuk bëhen shqiptarët”, ose “ne shqiptarët jemi ndryshe”. Sepse babai sillte shembuj historikë, filozofikë. Ajo fjali ishte rrugëdalja ime nga racionaliteti i tij.
Aty ishte momenti kur ai mërzitej dhe më bërtiste. Mërzitej sepse ato fjali, tregonin sipas tij mosvlerësimin tim, jo vetëm për faktin që ai më respektonte në debat por edhe sepse, duke nxjerrë fjali të tilla të përgjithshme, unë ndaloja kuriozitetin tim për të hulumtuar dhe për të menduar.
“Pse s’jemi njerëz ne shqiptarët?” më përgjigjej me nerva. Si njerëz, edhe ne reagojmë si njerëz. Ndaj është thelbësore studimi i historisë së njerëzve, për të gjetur pikat e bashkimit dhe të ngjashmërisë, që të mësojmë prej tyre.
Po bëhen disa ditë që mundohem të jap këshilla duke u bazuar tek arsyeja, tek historia, tek filozofia e veprimtarisë politike dhe e protestave në veçanti. Duhet të mësojmë nga historia që protesta aktuale të jetë e suksesshme veçanërisht përsa i përket puritanizmit që po e prek.
Puritanizmi është një metodë e vjetër për të marrë drejtimin e masave qytetare që vërshojnë në protesta. Duke u mbështetur në euforinë, në emocionin, në pasionin e protestuesve, puritani ngre pastërtinë në kriter mbizotërues. Përcakton një standard moral në atë mënyrë që askush të mos e plotësojë dhe të gjithë të kompleksohen përballë tij.
Pastaj, duke u ushqyer pikërisht nga ky kompleks, puritani ngre skemën e vet: manipulon dhe vendos kush e plotëson standardin dhe kush jo. I mban njerëzit në pritje dhe në dëshirën për të qenë edhe ata po aq të pastër. Ndërton një peshore dhe gjithmonë, çuditërisht, del se ai vetë është mjaftueshëm i pastër, ndërsa të tjerët jo. Ai që cakton rregullat e bardhësisë është gjithmonë më i bardhi në sallë.
Çfarë na mësojnë lëvizjet puritane, ose ato që mbartin elemente puritanizmi? Na mësojnë një ligj të hekurt: ato shkojnë në mënyrë të pashmangshme drejt vetasgjësimit. Sepse puritanizmi, duke eliminuar njerëzit njëri pas tjetrit, lodh ndjekësit dhe vetëpastron radhët derisa mbeten vetëm gjyqtarët. Logjika që përjashton sot fqinjin, nesër do përjashtojë mikun, dhe pasnesër do kthehet kundër atij që e nisi. Pastërtia është uri që nuk ngopet kurrë.
Historia ka një shembull madhor dhe të përgjakshëm: Revolucioni Francez. Robespieri, “i pakorruptueshmi”, dërgoi në gijotinë njerëz në emër të virtytit dhe pastërtisë revolucionare. Derisa një ditë, me të njëjtat argumente që ai përdorte kundër të tjerëve, i prenë kokën edhe atij. Terrori i pastërtisë gëlltit gjithmonë në fund edhe priftin e vet.
Pse ka rëndësi kjo sot, për protestën tonë? Sepse protesta, për të pasur sukses, duhet të jetë bashkuese rreth një emëruesi të vetëm që të gjithë e kanë: largimi i kryeministrit. Çdo kriter tjetër që shtohet mbi këtë, kush ishte ku para dhjetë vjetësh, kush tha çfarë, kush është mjaftueshëm i pastër, e ngushton rrethin dhe e dobëson goditjen. Puritanizmi në protestë nuk është virtyt. Është sabotim, qoftë i ndërgjegjshëm, qoftë i pavetëdijshëm.
Puritani nuk e njeh natyrën njerëzore. Nuk i kupton njerëzit sepse i sheh në bardhë e zezë, kur njeriu është gjithmonë gri. Ai kërkon engjëj atje ku ka vetëm njerëz. Në rrugën e vet drejt pushtetit përfundon i ngrënë nga uria që vetë ndezi.
Ndaj e përsëris, sepse historia e ka treguar shumë herë: kujdes nga ata që duan të duken më të bardhë se bora. Nuk janë ata që do ta rrëzojnë regjimin. Janë ata që, pa e kuptuar, do ta shpëtojnë atë ose pjellën e ti.

Artikuj të lidhur

Back to top button