Aktualitet/LajmeBlogEditorialKryesoreOpinionsRajoni

Ku keni arritur…!

Nga Enver Robelli-

Ta marrim si shembull portalin islampress.ch – ky portal e përdor shkurtesën e Zvicrës (ch). Nuk ka adresë të deklaruar. Nuk dihet kush është kryeredaktor. Pasi vërejta se aty boton shkrime një imam, i cili e drejton xhaminë me emër arab “El-Hidaje” në St. Gallen, e pyeta vetë imamin: meqë ju botoni shkrime e publikoni pandërprerë video te ky portal, a mund të më thoni kush është përgjegjës i këtij portali. Imami ma dha emrin e një personi. I shkrova atij personi, i cili me vonesa u përgjigj se portali nuk ka seli fizike, është, sipas tij, portal virtual, pa redaksi. Ai nuk më tregoi ku banon, por numri i tij i telefonit ishte nga Maqedonia e Veriut.
Arsyeja pse u interesova se kush qëndron pas portalit islampress.ch është se aty gjeta një shkrim që për nga përmbajtja ishte jo vetëm antiamerikan, por edhe antishqiptar. Ndërkohë portali “virtual”, “pa redaksi” dhe “pa seli fizike” e ka fshirë tekstin, por i kam ruajtur citatet më problematike. Për shembull: “Amerika dhe Perëndimi nuk kërkojnë aleatë, por të bindur. Perëndimi nuk pranon mUsliman të pavarur. Ose do të jesh shërbëtor i tij, ose kërcënim për të. Bazat ushtarake që ngrihen në vendet muslimane nuk janë mburoja që mbrojnë popujt mUslimanë, por shtiza të ngulura në zemrat e tyre”.
Nuk mungonte në këtë tekst edhe kjo fjali antisemite: “…grepave të tij të pista e kriminale (entitetit sionist), që e vendosi në zemër të umetit pikërisht për këso qëllimesh”… Si mund të quhet i pistë një shtet apo një popull (në këtë rast Izraeli)? (Tjetër gjë është kritika legjitime ndaj politikave të qeverisë aktuale të këtij vendi për çka e kam thënë mendimin tim me dhjetëra herë).
Nëse perëndimi nuk po pranuaka myslimanë të pavarur, përse nuk jetoni në kasabatë tuaja, por vini në Zvicër a Gjermani? (Përndryshe xhamia “El-Hidaje” ka plane për ndërtimin e xhamisë së re për 16 milionë euro në St. Gallen).
Portalet e tilla pa adresë si islampress.ch, krerët e tillë fetarë që botojnë tekste në hapësira ku promovohet hapur antiamerikanizmi dhe antishqiptarizmi janë duke i bërë dëm shoqërisë shqiptare. Kjo është ajo sorollatja në dhe rreth xhamive për të cilën flas unë. Andaj kur po i shoh tani disa imamë nga Zvicra lindore që talent të vetëm kanë heshtjen përballë devijimeve fetare duke m’u drejtuar mua me mesazhe se “jemi të hapur” dhe “po japim kontribut për integrim”, përgjigjja është: pastrojeni oborrin tuaj së pari para se të kërkoni dialog.
Hapi i parë në këtë drejtim do të ishte kur nga prindërit kërkoni që, nëse i dërgojnë vajzat nëpër xhami për mësim fetar, të mos i detyrojnë të mbulohen sepse nuk duhet të mbulohen me shami fëmija 7 apo 8 vjeçarë. Me ndonjë dallim të vogël, shumica prej imamëve nuk e bëjnë këtë. Sepse që në fëmini duan t’ua caktojnë rolin vajzave: ato duhet të jenë “të dëgjueshme”, pastaj, kur të martohen (sepse sidomos kjo pritet prej tyre), duhet të jenë “shërbëtore të devotshme” të burrit.
Ju në mesin tuaj keni imamë, madje prijës, që thonë se “e pranojmë rezultatin e referendumit” për ndalimin e burkës në Zvicër, “ndonëse nuk jemi të kënaqur me të”. Domethënë imami që flet shqip thotë se nuk është i kënaqur që po ndalohet burka, simboli i shtypjes, i dehumanizimit, poshtërimit të gruas. Paramendojeni ku keni arritur: derisa universiteti më i famshëm i islamit sunit, Al-Azhari i Kajros, e ndalon burkën, e cila mbulon edhe fytyrën, imami që jeton në njërin nga shtetet më demokratike në botë, në Zvicër, nuk është i kënaqur që po i ndalohet burka. Dhe mos të harrojmë: e para grua që e shkeli ligjin kundër burkës dhe u gjobit në Zvicër ishte një kosovare.

Artikuj të lidhur

Back to top button