Aktualitet/LajmeKryesoreKultureNdodhi

Krijohet “Lidhja e re” e shkrimtareve: Quhet Forumi i Shkrimtareve Shqiptare

Sot në mjediset e librarisë Babel, në një komunikim me publikun përmes medias, u prezantua
Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë
( shkurt Forumi ’26).
Ky organizim i ri letrar është konceptuar si një hapësirë e përbashkët dialogu, ku fjala letrare i tejkalon kufijtë gjeografikë dhe krijon ura mes zërave krijues të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe diasporës shqiptare.
Ky forum nuk synon vetëm të bashkojë emra, por të ndërtojë një komunitet mendimi, ku letërsia kuptohet si proces i gjallë, si përgjegjësi kulturore dhe si akt komunikimi.
Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë lind si përgjigje ndaj disa sfidave thelbësore që shoqërojnë sot letërsinë dhe librin shqip, duke u pozicionuar jo vetëm si vend diskutimi, por si mekanizëm ndërhyrjeje kulturore.
Së pari, përballë dominimit të tregut dhe logjikës komerciale, Forumi krijon një hapësirë ku vlera letrare rikthehet në qendër të vëmendjes. Përmes dialogut kritik dhe ballafaqimit estetik, ai synon të mbrojë autonominë e letërsisë nga reduktimi i saj në produkt.
Në kushtet e ndryshimit të lexuesit dhe praktikave të leximit, Forumi shërben si ndërmjetës mes autorit dhe publikut, duke nxitur kultura të reja leximi, takime letrare, diskutime të hapura dhe reflektim mbi mënyrën se si fjala shqipe qarkullon sot.
Përballë krizës së kritikës letrare, Forumi synon të rigjallërojë mendimin kritik përmes debateve profesionale, analizave të strukturuara dhe krijimit të një diskursi të përgjegjshëm rreth librit, larg logjikës së promovimit të shpejtë.
Në raport me qarkullimin e kufizuar të librit shqip, Forumi synon të veprojë si një nyje lidhëse mes hapësirave shqiptare, duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet shkrimtarëve, botuesve dhe institucioneve kulturore, si dhe duke forcuar praninë e librit përtej kufijve shtetërorë.
Sa i përket përkthimit, Forumi e sheh atë si urë kulturore dhe jo thjesht si proces teknik, duke e vendosur në qendër të diskutimeve për ndërkombëtarizimin e letërsisë shqipe dhe për cilësinë e përfaqësimit të saj jashtë.
Në një kohë kur shkrimtari luhatet mes vetmisë krijuese dhe nevojës për dukshmëri, Forumi ofron një komunitet profesional ku autorët gjejnë jo vetëm audiencë, por edhe dialog, mbështetje dhe bashkëndarje përvojash.
Së fundi, përballë sfidave që lidhen me gjuhën shqipe, Forumi afirmon gjuhën si hapësirë krijuese dinamike, duke nxitur diskutime mbi standardin, dialektet dhe shprehjet e reja, pa dogmatizëm, por me vetëdije estetike dhe kulturore.
Në thelb, Forumi shërben si një vendtakim i ideve, ku tradita dhe bashkëkohësia hyjnë në dialog, ku përvojat letrare ndërthuren dhe ku dallimet estetike nuk përjashtojnë, por pasurojnë. Ai krijon kushte për shkëmbim mendimi kritik, për reflektim mbi gjuhën shqipe si mjet krijues dhe për ballafaqim të vizioneve që formësojnë letërsinë shqipe sot.
Një dimension tjetër thelbësor i Forumit është rrjetëzimi: ndërtimi i lidhjeve të qëndrueshme mes shkrimtarëve, studiuesve, përkthyesve dhe institucioneve kulturore. Në këtë hapësirë, njohja dhe bashkëveprimi mes shkrimtarëve hap rrugë për projekte të reja letrare, botime, përkthime dhe prezantime ndërkombëtare.
Gjithashtu, Forumi synon të bëhet një platformë që i jep zë jo veç autorëve të konsoliduar, por edhe atyre në formim, duke e parë letërsinë si një vazhdimësi dhe jo si një hierarki të mbyllur.
Fjala shqipe, në gjithë larminë e saj, është një pasuri e përbashkët kulturore. Përmes fjalëve mund të bëhemi bashkë. Përmes fjalëve mund t’i shembim kufijtë. Përmes fjalëve, me vullnet për dialog konstruktiv, mund të përmirësojmë, mund të përmirësohemi…
Ndihem e nderuar, por dhe e ngarkuar me përgjegjësi që jam pjesë e grupit themelues të këtij Forumi, i cili synon të zgjerohet, të rritet, të zhvillohet dhe të bëhet një platformë ku bashkohen në dialog, mbështeten dhe promovohen vlerat letrare e estetike.
Aktualisht forumi përbëhet nga 18 anëtarë ( grupi themelues). President i forumit: Stefan Çapaliku (Tiranë); Zv. President: Ag Apolloni ( Prishtinë); Koordinator i përgjithshëm: Granit Zela (Tiranë); President nderi: Visar Zhiti ( USA).
Personalisht, veç shpresoj, me vullnetin e mirë njerëzor dhe ndihmën në Zot, që ky organizim vërtet t’i vijë në ndihmë komunitetit të shkrimtarëve shqiptarëve kudo ndodhen, jetojnë e veprojnë.
PËRMES FJALËVE
PAR VERBA
THROGH WORDS

Artikuj të lidhur

Back to top button